Korrik 2024
Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"
Aspiro për të realizuar transformim
“Pa ulini pak pritshmëritë”, tha pastori me gjysmëbuzëqeshje dhe duke bërë shenjë me pëllëmbë, si për të ngadalësuar një veturë. Këtë rekomandim ua bëri një grupi të vogël besimtarësh që po ankoheshin për mungesën e shenjave të shëndetit biblik në shërbesën e tyre. Sipas perspektivës së këtij pastori me përvojë, këta besimtarë naivë po prisnin shumë nga Perëndia për shërbesën e tyre, dhe duhet të risinkronizoheshin për t’u kënaqur më shumë me gjendjen aktuale të njerëzve në kishën e tyre të vuajtur.
Tragjikisht, shumë pastorë detyrohen nga realitetet e shërbesës që të përvetësojnë një qasje të ngjashme me këtë në predikimin e tyre. Pasi një nënë i bëri një thirrje të sinqertë që ta bënte predikimin e tij më të kuptueshëm për personat më pak të studiuar në bashkësinë e tij, një pastor tjetër në vend që të bënte pak më shumë përpjekje për të ndihmuar, thjesht e mbylli duke thënë që grupi i tij i të krishterëve nuk e marrka aq seriozisht besimin dhe vazhdoi duke i lënë “këta të vegjlit” të durojnë tridhjetë minutat e pakuptueshme të diskutimit të tij të studiuar çdo mëngjes të diele. Megjithatë, jo çdo rast apatie të predikuesit duket kaq qartësisht sa në këta shembuj, predikuesit mund të heqin dorë nga aspirata predikim-shndërrues dhe kënaqen thjesht me një transferim informacioni. Një bindje e shëndoshë teologjike e natyrës “së kryer, por të papërfunduar” të mbretërisë së Krishtit, mund të shtrembërohet në një pritshmëri “të kryer, por pa vlerë” nga predikimi.
Shumica e predikuesve nuk e nisin në këtë mënyrë. Ne e marrim përsipër thirrjen e shërbesës duke besuar se ungjilli është fuqia e Perëndisë për shpëtim (Romakëve 1:16), ndaj predikimi i ungjillit do të jetë një mjet i fuqishëm për të realizuar qëllimet e hirshme të Perëndisë në jetët e njerëzve. Vështirësitë e përpjekjeve për të zgjeruar misionin e Krishtit në një botë ende të rënë, me kisha ende të korruptueshme, na i presin krahët e na bëjnë të vendosim që më mirë të kënaqemi aty ku jemi. Lodhja, frika dhe madje tundimet për të dyshuar në mesazhin që po predikojmë, mund të na e presin hovin e mëparshëm për predikim dhe të na bëjnë ta dorëzojmë vizionin e realizimit të qëllimeve të hirshme të Perëndisë në jetët e njerëzve, përmes administrimit të fjalës së tij nga ana jonë.
Mbase të kujtohet koha kur zemra jote flakëronte nga zbulesa e Perëndisë për atë që mund të bënte fjala e tij dhe atë që mund të arrinte përmes saj, dhe këto premtime e gjallëronin qëndrimin tënd ndërsa administroje dhuntinë dhe detyrën që të ishte dhënë prej Perëndisë (Jeremia 23:29; Hebrenjve 4:12–13; Isaia 55:11; Romakëve 10:17; 1 e Pjetrit 4:10–11; Romakëve 12:6–8). A të kujtohet kur i qaseshe predikimit si një luftë e sinqertë me një dëshirë të sinqertë për lavdinë e Perëndisë në zemrat dhe jetët e njerëzve, për shkak se besoje që po punoje me Perëndinë ndërsa ai realizonte vullnetin e tij në njerëzit, përmes fjalës së tij të predikuar (Kolosianëve 1:28–29; 1 e Korintasve 3:9; 2 e Korintasve 5:20)? Këto lloj bindjesh kishin predikuesit që Perëndia përdori për të drejtuar kishën e tij në të shkuarën! Për shembull, John Calvin-i besonte se natyra e Shkrimeve kërkonte një qëndrim të sinqertë dhe pritës nga predikuesi teksa ky predikonte. Ai thotë:
Kur shtjelloj Shkrimin e Shenjtë, gjithnjë e kam këtë si rregull: që kush më dëgjon, të mund të përftojë të mirën nga mësimi që jap dhe të ndërtohet për shpëtim. Po të mos e kem këtë dëshirë, po të mos realizoj ndërtimin e atyre që më dëgjojnë, jam një sakrilegj, duke bërë të kotë Fjalën e Perëndisë.1
Kësisoj, nëse je një predikues që ka bërë që vizioni yt për predikimin të venitet apo të shuhet, si mund t’i shërosh zakonet dhe zemrën tënde?
Duaje Perëndinë dhe dëgjuesin tënd
Dashuria është emocioni gjallërues për ushtrimin e dhuntive që na janë dhënë prej Perëndisë për t’i administruar (1 e Korintasve 13:1–8; 1 e Timoteut 1:5). Pa dashuri, nuk arrijmë asgjë! Kultivimi i sinqertë i dashurisë për lavdinë e Perëndisë (Mateu 22:37), dhe për të mirën e përjetshme të dëgjuesve tanë (Mateu 22:39), është konsideruar historikisht si detyra thelbësore për një predikues (p.sh. Katekizmi i zgjeruar i Uestminsterit, 159). Predikimi i sinqertë i ungjillit duhet të mbushet me ndjesinë që predikuesi vërtet shqetësohet për lavdërimin e Perëndisë nga njerëzit që i përgjigjen atij përmes ungjillit që po predikon, dhe që ata që e dëgjojnë, e kuptojnë dhe përfitojnë nga mënyra se si e komunikon ai fjalën (1 e Korintasve 14:7–12). Dashuria nuk do të na lërë të kënaqemi me gjendjen aktuale në nderin që Perëndia tashmë po merr (Romakëve1:13; Romakëve 15:16), apo në bekimin e ungjillit që njerëzit tashmë po përftojnë përmes shërbesës sonë (1 e Korintasve 9:19–23; Romakëve 1:11; Efesianëve 4:16).
Kërkoji Perëndisë ta vendosë fjalën e tij në gojën tënde
Mundet që dhuntitë e mira të Perëndisë të përdoren për të na larguar nga mendimi se kemi nevojë të mbështetemi tek ai (Ligji i Përtërirë 8:11-14). Dhuntia e mirë e Perëndisë për trajnimin me një qasje të studiuar të interpretimit biblik mund të zihet përfund nga zemra[1] ende e korruptuar e pastorit për ta kthyer shtjellimin e saktë, thjesht në një ushtrim akademik. Predikimi që realizon synimet e Perëndisë për popullin e tij, vjen nga një predikues të cilit, përmes studimit të tij të Shkrimit (2 e Timoteut 2:15), Perëndia i ka vënë fjalën në gojën e tij (Jeremia 1:9). Nuk arrijmë kurrë aty ku nuk na nevojitet më ndihma e drejtpërdrejtë e Perëndisë për të krijuar dhe për të tejçuar mesazhin që ai na kërkon t’u predikojmë njerëzve të caktuar, në një vend të caktuar dhe në një kohë të caktuar (Efesianëve 6:19; Luka 11:13). Ne mund ta ripërtërijmë aspiratën në predikim, të nxitur nga ungjilli që përlëvdon Perëndinë, me një rikthim të qëllimshëm në varësinë e ndërgjegjshme te Perëndia për ta formuar mesazhin e tij nga Shkrimet për qëllimet e tij, për popullin e tij dhe në ne si predikuesit e tij.
Dashuria është emocioni gjallërues për ushtrimin e dhuntive tona, të cilat na janë dhënë prej Perëndisë për t’i administruar.
Kujtoni Frymën e Shenjtë
“Në rrënjë të shumë shërbesave të padobishme është mosnjohja e veçantë e fuqisë së Frymës së Shenjtë.”2 Mund të ndodhë që bindja jonë e saktë se Shkrimet janë gjithnjë fjala e Frymës që i frymëzoi dhe që nëpërmjet tyre, ai vazhdon të flasë gjithnjë dhe tani, mund të kthehet në përtaci për të qenë të varur në mënyrë të ndërgjegjshme te Fryma. Ne mund të kënaqemi me të qenët teknikë në trajtimin tonë të të dhënave të një teksti, pa kujtuar që pa punën e drejtpërdrejtë të Frymës në shpirtin e dëgjuesit (1 e Korintasve 2:4), në jetët e njerëzve dhe të kishës, nuk do të ndodhë asgjë me vlerë të përjetshme. Teksa përgatisni dhe transmetoni predikime, si predikues të ungjillit, duhet të dëshironi në mënyrë të ndërgjegjshme Frymën e Shenjtë dhe të jeni të varur prej tij për t’u ndriçuar dhe për t’u transformuar si ju, si dëgjuesit!
Ki pritshmërinë që Krishti e drejton kishën tënde përmes predikimit tënd
Predikimi është drejtim për çështjen e Krishtit. Si Krishti, ashtu dhe apostujt e tij predikuan të ndërgjegjshëm për pritshmërinë që, me anë të predikimit të tyre, po përuronin dhe zgjeronin mbretërinë e premtuar të Perëndisë (p.sh. Luka 4:43, 8:1; Veprat 20:25, 28:31). Predikuesit mund ta rigjallërojnë dëshirën për realizimin e vullnetit të Perëndisë përmes predikimit të tyre duke përqafuar bindjen që Krishti e udhëheq popullin e tij për qëllimet e tij nëpërmjet predikimit të fjalës së tij. Çdo aspekt i misionit dhe shërbesës së Krishtit, përmes kishës së tij, kërkon udhëheqje të mençur pastorale, dhe kjo udhëheqje pason gjithnjë predikimin e fjalës. Ndaj, predikuesit që nuk kanë turp t’i përkushtohen përparësisë së predikimit, duhet të zhvillojnë një vizion për t’i çuar vërtet njerëzit në luginat e blerta që përcaktohen në fjalën e Perëndisë dhe të disiplinohen në parimet dhe praktikat e udhëheqjes së mençur që mund t’i pajisin ata për ta integruar predikimin dhe udhëheqjen, për ta arritur këtë vizion. Nëse predikuesit nuk e kanë këtë vizion dhe nuk janë të pajisur apo të gatshëm për ta drejtuar kishën aty ku e cakton fjala, kisha do të drejtohet nga diçka tjetër veç fjalës së predikuar. Dhe një bashkësi ose do të dalë nga rruga e përcaktuar prej Perëndisë për të, nga modelet e drejtimit sipas urtësisë së botës, ose do të ngelet në vendnumëro në misionin që Perëndia i ka caktuar, duke qenë e kënaqur thjesht me mbledhjen e informacionit.
Nëse je një predikues, je drejtues i çështjes së Krishtit dhe duhet të dëshirosh ta udhëheqësh popullin e Perëndisë (dhe mund ta bësh këtë) për realizimin e qëllimit të Perëndisë nëpërmjet predikimit të fjalës së tij, dhe duhet të praktikosh zakonet e një udhëheqësi-predikues.
Shënime:
John Calvin, i cituar në librin e T. H. L. Parker, Calvin’s Preaching (Louisville: Westminster John Knox, 1992), 25.
Charles Spurgeon, Lectures to My Students, 195.
John Currie është autor i librit “The Pastor as Leader: Principles and Practices for Connecting Preaching and Leadership”.
John Currie (DMin, Westminster Theological Seminary) është profesor i teologjisë pastorale në seminarin “Westminster Theological”, ku mëson mbi predikimin dhe udhëheqjen. Si pastor, ai ka udhëhequr disa kisha në Kanada dhe SHBA, i përkushtuar për t’i dhënë përparësi predikimit ekspozues. John-i jeton në Filadelfia me të shoqen, Rhonda-n. Kanë dy djem të rritur dhe tetë nipër e mbesa.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-dont-settle-for-the-status-quo-in-your-preaching/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024