Shkurt 2025
Ky artikull është pjesë e serisë I dashur pastor
Mos prediko veten
Më kujtohet që dëgjoja hera-herës një predikues magjepsës. Ishte sa shakaxhi, aq dhe prekës. Na mahniste çdo herë. Dilnim nga kisha duke folur sa i mirë ishte predikimi. Por të hënën në mëngjes, nuk e mbaja mend kurrë se për çfarë bënte fjalë. Më kishte prekur, por vështirë se mund përcaktoja se përse më kishte prekur. Kishte plot anekdota të fuqishme, por nuk jam i sigurt nëse po na mësonin diçka.
Unë nga natyra nuk jam folës tërheqës. Kur predikoj në ndonjë kishë tjetër, ata të teknikës më pyesin cilat pjesë të skenës do të përdor gjatë predikimit, që të kenë gati këndet e kamerave. Iu them të mos lodhen hiç. Lëvizja më e madhe që mund të bëj është ta peshoj trupin nga njëra këmbë te tjetra. Nuk jam aq shprehës. Mund t’i dalloni siluetat e famshme të Charles Simeon-it gjatë predikimeve në shekullin XIX, me kokën dhe krahët të hedhur në pozicione të ndryshme shprehëse. Po të bënte dikush të njëjtën gjë me mua, çdo imazh do të dukej identik.
Por ngushëllohem për faktin se apostulli Pal mund të mos kishte qenë folësi më i talentuar në publik:
Sepse dikush thotë: “Letrat e tij janë të rënda dhe të forta, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij e përbuzur”. (2 e Korintasve 10:10)
Dhe, megjithëse jam i paaftë në të folur, nuk jam i tillë në dituri; madje jemi shfaqur tërësisht ndër ju në gjithçka. (2 e Korintasve 11:6)
Pali e pranonte edhe vetë që nuk ishte folësi më bindës sipas standardeve të botës. Ndaj nuk kemi pse të dëshpërohemi nëse ndihemi se na mungon diçka. Perëndia nuk ka nevojë që ne të jemi zërat më të dalluar në qytet, që të na përdorë.
Edhe pse një pjesë e imja do të donte të isha një komunikues më dinamik, jam i lumtur që nuk e kam dhuntinë e të qenët llafazan. Sado bukur do të ishte ta rrokje vëmendjen e një turme në mënyrë të përsëritur, fakti që nuk jam në gjendje ta bëj, është diçka e shëndetshme. Po ta dija se mund t’ua tërheq vëmendjen njerëzve thjesht me karizmën time të natyrshme, kjo do të më tundonte, dhe mund të mos punoja aq fort për ta kuptuar dhe predikuar tekstin sikurse duhet. Por mua më duhet të punoj fort për gjithçka që më duhet të them. Përmbajtja e predikimit tim duhet të bindë, ose do më duket sikur kam dalë kot aty. Nëse fjala nuk prek askënd, unë vetë nuk kam për ta bërë këtë.
Pra, nëse predikimi nuk është thjesht transferim të dhënash apo përpjekje për të prekur njerëzit me karizmën tonë, atëherë çfarë është ai?
Një vizion predikimi i besëlidhjes së re1
Dhiata e Re fokusohet në një vizion të katërfishtë të predikimit. Le ta shpalosim atë.
Së pari, po predikojmë Jezusin. Pali shkruan: “[Krishtin] që ne e kumtuam, duke e paralajmëruar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Krishtin Jezus” (Kolosianëve 1:28). Nuk po mësojmë thjesht Biblën, as po shpjegojmë thjesht një pasazh. Nuk po u japim njerëzve thjesht informacion për Jezusin. Ne po e shpallim atë. Përmbajtja e predikimit tonë është një person. Kisha nuk po dëgjon thjesht një mesazh; ata po takojnë Shpëtimtarin. Për çfarëdo tjetër të bëjë fjalë predikimi ynë, përfundimisht duhet të ketë të bëjë me Krishtin.
Së dyti, po shpallim një Jezus pafundësisht të mirë. Dëgjoni sërish apostullin: “Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të predikuar midis paganëve pasurinë e pahulumtueshme të Krishtit” (Efesianëve 3:8). Ndërsa kërkojmë të shpallim Jezusin, duhet të sigurohemi që po shpallim këtë Jezus me pasuri të papërshkrueshme.
Ka plot Jezusë të tjerë. Shohim “Jezusin” gati-tu-të-përmbushë-ëndrrat. Shohim “Jezusin” vetëm-të-qorton-që-t’ia-dalësh-më-mirë. Shohim “Jezusin” më-interesojnë-vetëm-problemet-sociale. Por i vetmi Jezus që ka rëndësi është ai që ekziston vërtet. Pali thotë se ai është Jezusi i “pasurive të papërshkrueshme”. E thënë ndryshe, Jezusi që duhet të shpallim është pafundësisht i mirë. Asnjëherë nuk mund ta përmbledhësh sa i mirë është ai. Duhet ta predikojmë në atë mënyrë që të jetë e qartë se askush në univers nuk është si ai. Kur predikojmë në këtë mënyrë, zemra jonë vepron.
Së treti, po i sjellim njerëzit te Jezusi i kryqëzuar. “O galatas të pamend! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar midis jush?” (Galatasve 3:1). Pasuritë e pamatshme të Jezusit na vijnë përmes vdekjes së tij. Ndaj nuk mund ta shpallim atë, pa e shpallur të kryqëzuar.
Por vini re se kjo nuk është thjesht t’u tregosh njerëzve për vdekjen e tij. Teksa Pali predikonte kryqin, njerëzit ishin në gjendje ta shihnin atë. Nuk ishte thjesht një fakt historik që u paraqitej në mendje; para syve të tyre ishte një realitet ekzistencial. Por mos e keqkuptoni. Pali nuk po bënte vizatime në një dërrasë të zezë. Ai po e shpallte kryqin me aq urgjencë, a thua se galatasit ishin aty në këmbët e kryqit. Predikimi i kishte transportuar atje.
Në fund të fundit, vetë Krishti po shpall Krishtin. Vargjet që kam përmendur më sipër e kanë hedhur poshtë mënyrën si e kam kuptuar predikimin ndër vite. Mirëpo njëri e ka bërë këtë më shumë se të tjerët. Para disa vitesh, po lexoja Efesianëve për rehatin tim, kur lexova këtë: “Dhe ai erdhi për të predikuar paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër” (Efesianëve 2:17). Pali këtu shkruan për mënyrën se si mesazhi i ungjillit erdhi më së pari te lexuesit e tij në Efes. “Juve që ishit larg” është mënyra e Palit për të folur për kombet; “atyre që ishin afër” domethënë, judenjtë. Komuniteti i krishterë në Efes përbëhej nga të dy grupet dhe, mrekullisht, i njëjti ungjill i paqes i kishte ardhur secilit. Për më tepër, të qenët “larg” dhe “afër” funksionojnë bashkë si merizëm, figurë letrare që kombinon të kundërtat për të shprehur tërësinë. Deri në kthimin e Krishtit, të gjithëve kudo u predikohet paqe. Vërtet, ideja më e lartë e Palit është që ungjilli i ka bërë të gjithë popujt (por veçanërisht këto dy grupe) në një njerëzim të ri. Jezusi nuk krijoi thjesht një komunitet të ri, por një lloj të ri komuniteti ku mund të marrin pjesë barazisht dhe plotësisht judenjtë dhe kombet.
Perëndia nuk ka nevojë që ne të jemi zërat më të dalluar në qytet, që të na përdorë.
Por ajo që më bëri përshtypje kur lexova Efesianëve 2:17 nuk ishte ungjilli i paqes, por ai që e predikonte: “Ai erdhi dhe iu predikoi paqen juve”. Krishti erdhi dhe u predikoi Efesianëve.
Kjo ngre pyetjen: Kur?
Efesi është në Turqinë e sotme, rreth një mijë milje larg nga vendtakimet e zakonshme të Jezusit në Galile. A mos pati ndonjë çast të paregjistruar të shërbesës tokësore të Jezusit kur ai u shfaq befas në Mesdhe për një turne të shpejtë predikimi në Azinë e Vogël? Jo. Krishti erdhi dhe predikoi kur ungjilli vetë erdhi për herë të parë në Efes. Kur Pali dhe kolegët e tij shpallën mesazhin e krishterë, Krishti vetë erdhi dhe u predikoi paqen efesianëve.
Kjo është mbresëlënëse! Pali dhe të tjerët ishin folësit, por Jezusi ishte predikuesi. Mendojeni pak. Pali tashmë ka thënë se Krishti “vetë është paqja jonë” (2:14). Në të, është gjithë plotësia harmonizuese e shalomit të Perëndisë. Ai është qendra integruese e të gjitha gjërave. Në të, përputhen bashkë më në fund të gjitha pjesët, dhe jeta arrin në një kohezion të thellë dhe çlirues. Kurrë nuk do të gjejmë paqe përfundimtare pa të. Jezusi është paqja jonë. Kjo do të thotë se ai është edhe predikuesi, edhe i predikuari — edhe mjeti, edhe mesazhi, komunikuesi dhe përmbajtja, folësi dhe ligjërata.
Gjithë ato vite më parë në pluhurin e Efesit të lashtë, teksa Pali dhe të tjerët punonin, mbronin Jezusin, u përgjigjeshin kundërshtimeve, dëgjonin pyetje armiqësore dhe u shpjegonin të vërtetën e ungjillit të painteresuarve, të hutuarve dhe kërkuesve gjithashtu — në gjithë këtë, Krishti po predikonte Krishtin për burrat dhe gratë e Efesit. Nëpërmjet shërbëtorëve tij të gabueshëm njerëzorë, Jezusi u predikoi Jezusin zemrave të atyre që dëgjojnë.
Si mund të duam diçka më pak se kjo nga predikimi ynë? Kur e hapim fjalën e Perëndisë me popullin e Tij, dëshirojmë që vetë Krishti të vijë dhe të bëhet i njohur për zemrat e atyre që dëgjojnë: që ai të predikojë, që ai të mbahet mend.
Ky artikull është përshtatur nga libri You’re Not Crazy: Gospel Sanity for Weary Churches i autorëve Ray Ortlund dhe Sam Allberry.
Shënime:
- Pjesë të këtij materiali janë përshtatur nga artikulli i Sam Allberry: “Ephesians 2 Wrecked My View of Preaching”. The Gospel Coalition (website), 2 tetor, 2021, https://www .thegospelcoalition.org/.
Sam Allberry është pastor i asociuar në kishën “Immanuel” në Nashville. Ai ka shkruar disa libra, siç janë What God Has to Say about Our Bodies dhe Is God Anti-Gay?, dhe është bashkëdrejtues i podkastit You’re Not Crazy: Gospel Sanity for Young Pastors. Ai është studiues pranë qendrës “Keller” për apologjetikë kulturore.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-let-christ-preach/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025