dear pastor shepherd not entrepreneur

Qershor 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"  

I dashur pastor,

Të përshëndes në emrin e çmuar të Zotit, Mbretit dhe mikut tonë, Jezu Krishtit. Shpresoj sinqerisht që edhe thjesht me përmendjen e emrit të tij, të gjesh freskim në qenien tënde. Për më tepër, a ka diku tjetër më shumë gëzim sesa tek ai? Nuk besoj! Dhe të mendosh se ai lutet për ty, me emër — e gjithë kjo është kaq mahnitëse! Puna jonë është e vështirë, por lehtësohet pak kur kujtojmë gjëra të tilla.

Doja të të shkruaja disa rreshta, me përpjekjen për ta riorientuar punën tënde. Jemi të shtrënguar nga çdo anë — rreziqe nga jashtë nga kurthet e djallit dhe rreziqe nga brenda nga dëshirat e mishit. Sigurisht, nga jashtë rrezikohemi edhe nga mënyrat që tundohemi të përshtatemi me gjedhet e botës (Romakëve 12:2). Një nga këto gjedhe që na tundon të konformohemi si pastorë është ta shohim veten, apo punën tonë, si sipërmarrës.

Tregtia e botës

Të korrat janë të bollshme, por punëtorë janë pak. Mbi 27 000 njerëz do të vdesin sot në Kinë. Tragjikisht, shumica pa Krishtin. Sa mijëra njerëz ka jashtë dritares sate që jetojnë me një të ardhme pa Krishtin? Shumë. Nevoja është e madhe, por përgjigjja, o vëlla, nuk gjendet te shpejtësia, te strategjia, apo te dhuntia, siç e kërkojnë drejtuesit e biznesmenët e mëdhenj të kohës sonë. Mbretëria e Perëndisë nuk është e kësaj bote (Gjoni 18:36).

Bota orvatet të kënaqë epshet e njerëzimit. Pamjet, tingujt, aromërat dhe ndjesitë janë tregtia e kësaj bote. Ato e përhapin në grumbuj për t’i tërhequr masat e për t’i mbajtur aty, në përfitim të vet. Ne mund ta kuptojmë përse leksionet me dërrasa të bardha dhe fushatat e zgjuara të marketingut, të kombinuara me udhëheqësit me dhunti dhe shërbimet shkëlqyese, tërheqin kaq shumë vëmendje. Mund ta kuptojmë se si produkti mund të riprodhohet “në masë”, siç thonë ata.

Kur revista “Fortune 500” vështron këto biznese shumëfishuese, është e lehtë të marrësh parasysh se si ne, në kishë, mund të mësojmë prej tyre. Fundja, ne besojmë në hirin e përbashkët, apo jo? Imagjinoni dot pastorë që do të ishin më shumë si Elon Musk-u, muzikantë që do të ishin më të shkathët se Taylor Swift-i? Sa tërheqës do të ishin drejtuesit e kishës, po të kishin dhunti si Obama?

Jo, jo o vëlla i dashur. Bota është e Atit tonë, por mënyra e botës nuk është ajo e Atit. Mesazhi ynë nuk është produkt gati për paketim, por një mesazh që duhet ruajtur me kujdes. Thelbi i mesazhit tonë është budallallëk dhe gur pengese për orekset e botës (1 e Korintasve 1:23). Ne, nga natyra, jemi pastorë, jo sipërmarrës. E ku qëndron ndryshimi? Mik i dashur, bëre mirë që më pyete.

Pastorë, jo sipërmarrës

A të kujtohet bashkëbisedimi i fundit midis Pjetrit dhe Zotit tonë? Në atë që mund ta quajmë mbledhja përfundimtare e kishëmbjelljes së Jezusit, ai pyet “kishëmbjellësin” kryesor:

Jezusi: “Simon, i Jonas, a më do ti mua më shumë se këta?”
Simon Pjetri: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.”
Jezusi: “Kulloti qengjat e mi.”
Jezusi: “Simon i Jonas a më do ti mua?”
Simon Pjetri: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.”
Jezusi: “Ruaji delet e mia.”
Jezusi: “Simon i Jonas, a më do ti mua?”
Simon Pjetri: “Zot, ti i di të gjitha gjërat, ti e di se unë të dua.”
Jezusi: “Kulloti delet e mia.” — Gjoni 21:15-17

Dashuria për Krishtin i përkushtohet kullotjes dhe ruajtjes së deleve të Mjeshtrit — ky ishte mësimi i fundit në klasën kishëmbjellëse të Jezusit. Sikur t’i kushtonim kaq vëmendje! Dashuria, kullotja dhe ruajtja janë çmimi delikat i vuajtjes së Jezusit. Kjo nuk është punë sipërmarrësish, është punë pastorësh.

Qëllimi ynë

Pali i shkruan pasuesit në kishëmbjelljen e suksesshme të Efesit dhe i thotë që “...qëllimi përfundimtar i kësaj porosie është dashuri, prej zemre të pastër, prej ndërgjegjeje të pastër dhe prej besimi pa hipokrizi” (1 e Timoteut 1:5). Pra, i dashur, qëllimi ynë është dashuria, jo fitimi. Dashuri e pastër e nxjerrë nga zemra të pastra dhe nga ndërgjegje të paqta, që nuk kanë nevojë për vlerësimin e klientëve, por për sinqeritetin e shpirtrave njerëzorë. Kjo lloj dashurie nuk bie poshtë kurrë (1 e Korintasve 13:8). Kurrë!

Kështu pra, nëse mbjellim kisha si pastorë, dhe jo si sipërmarrës, me qëllimin për të dashur Krishtin dhe për të kullotur e ruajtur delet e shpërblimit të tij, duke e ditur që një dashuri e tillë nuk mund të dështojë kurrë, atëherë mund të flemë rehat, pasi e dimë se puna jonë do të vazhdojë.

Mesazhi ynë nuk është produkt gati për paketim, por një mesazh që duhet ruajtur me kujdes.

Krahasoje gjumin e Mark Zuckerberg-ut me atë të nënës besnike të krishterë, e cila, nga pastërtia e zemrës dhe nga besimi i sinqertë, të mësoi të njohësh Krishtin dhe të ushqeu me kornfleks — kush mendon se e bën gjumin më mirë? As që diskutohet!

Jezusi fjeti në mes të stuhisë e i paqtoi detet veçse me fjalën e tij, ndërsa dishepujt i kapi paniku. Paqja e shpirtit të tij i qetësoi shpirtrat e trazuar të dishepujve. Ky është qëllimi ynë! Dashuria që del nga një zemër e pastër, një ndërgjegje e mirë dhe një besim i sinqertë.

Qëllimi ynë është një shpirt i qetë që buron nga një dashuri e pastër e Krishtit dhe e së mirës për të afërmin. Synimi ynë nuk është shtimi i mbledhjeve të turmave pa emër që vetëm Perëndia i njeh, porse ne jo. Turmat bënë që Jezusi të kishte dhembshuri, por qëllimi i tij ishte t’u gjente një bari që e njeh zërin e tij dhe emrat e tyre (Mateu 9:36; Gjoni 10:3).

Vëmendja pastorale nxit (nuk shuan)

E zgjata shumë. Duhet ta mbyll. Mirëpo, para se ta mbyll, më lejo të provoj t’i përgjigjem pyetjes që e di se po bën: Ç’bëhet me turmat që i dhimbsen Zotit? Janë kaq shumë dele pa bari! Po të largohemi nga strategjitë e dërrasës së bardhë për te koka e krevatit të shenjtorit që dergjet, a nuk do ngadalësohet përhapja e ungjillit? I dashur, kjo është një pyetje me vlerë.

Të përgjigjem me këtë pyetje: Fëmija i shëndoshë, që është rritur me prindër të përkushtuar, a nuk ka më shumë gjasa të dëshirojë më shumë fëmijë? A nuk është më e frytshme domatja që është ujitur më shumë? Sa herë është kënduar “Hir madhështor” në gjuhë të huaja dhe në mbledhje besnike atje? Raste të panumërta. Sigurisht që kjo ka të bëjë pjesërisht me vëmendjen e kujdesshme të Njutonit ndaj notave dhe fjalëve.

Vërtet, i dashur, saktësia pastorale ndaj njerëzve realë me emra realë nuk e shuan rritjen, përkundrazi, e nxit atë.

Pastorë, jo sipërmarrës. Burra që kanë synim dashurinë duke kullotur dhe ruajtur delet e shpërblimit të përjetshëm të Krishtit. Për këtë ka nevojë jo vetëm kishëmbjellja, por edhe bota. Le të bëjmë siç na udhëzon Zoti ynë dhe të lutemi sinqerisht që më shumë punëtorë të tillë të dalin e të dërgohen.

Deri në vazhdim pastor, mbetem…

Shërbëtori juaj i përulur,
Nathan.


Nathan Knight ka shkruar librin “Planting by Pastoring: A Vision for Starting a Healthy Church”. Nathan Knight (MDiv, Southeastern Theological Seminary) është pastor i kishës “Restoration” dhe shërben në ekipin drejtues të rrjetit kishëmbjellës “Treasuring Christ Together”. Ai dhe gruaja e tij, Andi, jetojnë në Uashington, DC, me dy bijtë e tyre.

Botuar me lejehttps://www.crossway.org/articles/dear-pastor-youre-a-shepherd-not-an-entrepreneur/ 
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin