Dhjetor 2024
Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"
I dashur pastor,
Vetëm në pesë vitet e fundit, sa prej jush që po lexoni këtë artikull e keni vënë në dyshim thirrjen tuaj, ose keni humbur miq apo bashkëpunëtorë në shërbesë, ose jeni ndier të lodhur në përgjithësi? Ndoshta ndieni një pakënaqësi sa vjen e më të madhe në kishën tuaj dhe jeni tunduar ta injoroni ose ta lini shërbesën fare. Nëse po vazhdoni akoma, mund të tundoheni të gjeni ngushëllim të përkohshëm në zakone të pashëndetshme ose shpërqendrime të kota. Pushimi dhe çlodhja janë thelbësore për udhëheqjen e shëndetshme pastorale. Ndonjëherë, për hir të shpirtit tonë, na duhet të ulim ritmin dhe të kalojmë më shumë kohë në lutje dhe në meditim për gjërat e Perëndisë.
Shumë studime, biseda dhe përvoja pastorale na tregojnë se shërbesa pastorale është nën presion të madh. Nuk ka zgjidhje të shpejta për këto sfida. Duke pasur parasysh lutjen dhe meditimin biblik, le të shqyrtojmë frymërisht Psalmin 23, duke u udhëhequr nga Gregori i Madh i shekullit të VI (rreth viteve 540–604), dhe nga mësimet e autorit Eugene Peterson-it. Afrimiteti me Perëndinë, qetësia e shpirtit dhe përkushtimi në meditim do të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin tonë frymëror dhe në jetën frymërore të atyre që ne u shërbejmë.
Eugene Peterson dhe pastori përsiatës
Unë (Shawn-i) e mbaj mend mirë çastin që mbarova së lexuari Pastoral Rule nga Gregori i Madh dhe The Contemplative Pastor nga Eugene Peterson. Ishte pranverë, sapo kishte nisur sezoni i bejsbollit. Librat i lexova kollaj, mbaj mend t’i kem përfunduar brenda një dite. Vizioni i Petersonit për ofiqin pastoral u shkri ngadalë me atë të Gregorit. Ky pasazh nga Petersoni ishte i njohur për mua, por atë ditë më preku ndryshe:
C. S. Lewis-it i pëlqente goxha ideja që vetëm njerëzit përtacë punojnë fort. Duke abdikuar*[1] nga puna thelbësore e vendimmarrjes dhe drejtimit, e themelimit të vlerave dhe vendosjes së qëllimeve, ne ua lemë këtë punë të tjerëve; kështu e gjejmë veten duke u ngutur me mund që të plotësojmë në momentin e fundit pesë a gjashtë detyrime, asnjëra prej të cilave nuk e ndihmon thirrjen tonë, vetëm për të shtyrë sa më larg katastrofën e zhgënjimit të dikujt tjetër.
Mirëpo, nëse e mbush më kot ditën time me aktivitete për t’u dukur, apo nëse i lë të tjerët të ma mbushin ditën me urdhërime kërkuese, nuk do të kem kohë të bëj punën që më takon, punën për të cilën jam thirrur. Si mund t’i drejtoj njerëzit në vendin e qetë pranë ujërave paqësorë, nëse unë vetë jam në një lëvizje pambarim? Si mund t’i bind njerëzit të jetojnë prej besimit dhe jo prej veprave nëse më duhet tërë kohës ta përshtat vazhdimisht agjendën time që t’i sjell të gjitha gjërat në vendin e vet? 1[1]
Ndërsa e lexova këtë, shpirti im u trazua, dhe e dija se diçka nuk shkonte. Sigurisht, duhet ta planifikojmë ditën tonë. Sigurisht, kemi shumë takime shërbese për të planifikuar. Sigurisht, duhen mbaruar projekte, duhen vizituar njerëz, duhen bërë telefonata. Por si mund të krijoj hapësirë në agjendë për perëndishmërinë time dhe të shtyj tej kërkesat e gjërave të tjera?
Psalmi 23, gjallëria dhe qetësia frymërore
Fjalët e Peterson-it bënë jehonë në shpirtin tim për ditë të tëra: Si mund t’i drejtoj njerëzit në vendin e qetë pranë ujërave paqësorë, nëse unë vetë jam në një lëvizje pambarim? Psalmi 23 e përshkruan Perëndinë si një bari për Davidin. Ai na ushqen. Ai na drejton. Ai na udhëheq. Perëndia na çon në ujërat e qeta që të ngopemi me praninë e Atit, me mirësinë e Birit dhe me paqen e Frymës.
Të gjithë njohim dikë në jetën tonë që ndjek diçka të cilën nuk mund ta kapë dot kurrë. Në sytë e tyre shohim lodhje në shpirt dhe, (nëse shohim me kujdes) një çrregullsi të jetës së tij të brendshme. Prej tyre emetohet një ndjesi trazire. Mbase diçka të tillë shohim disa prej nesh çdo mëngjes në pasqyrë. A duket kaotike jeta jote, e rrëmbyer nga një gjë te tjetra? A po i drejton njerëzit në mirësinë e Krishtit, ndërsa vetë dyshon në mirësinë e tij? A e ndien shpirtin të lodhur ndërsa kryen vepra të mira? A punon pa pushuar dhe rrëmbehesh së brendshmi pa kontroll, duke lënë mënjanë prehjen në Perëndinë? Ne në shërbesë bëjmë shumë gjëra të mira brenda një dite apo një jave — lutemi, mësojmë, këshillojmë, kujdesemi për nevojat e të tjerëve dhe për vejushat. Mbase ndihemi të rrëmbyer, sepse u kemi thënë “Po” më shumë gjërave të mira sesa duhet, dhe kujdesemi për punë shërbese të panevojshme.
Të punuarit për kishën mund të jetë diçka e mirë dhe fisnike; e kemi për detyrë të punojmë për shpirtrat e njerëzve. Mirëpo, puna pa pushim, mund të jetë idhujtari. Mund të jetë edhe shërbim pa depërtim frymëror kur kujdesemi për të tjerët duke qenë vetë bosh, duke kërkuar përmbushjen tonë. Fasada e të qenët i zënë dhe i dëshpëruar për t’u pranuar, mund ta kontrollojë identitetin tonë, ta mënjanojë mirëqenien tonë, përshpirtshmërinë tonë dhe kohën tonë të reflektimit.
Hapat e ngadaltë na afrojnë me Perëndinë.
Tradita e përsiatjes — e cila nisi me etërit e hershëm dhe vijon edhe sot — na zbulon që dëshira për t’u pranuar me çdo kusht prej të tjerëve dhe përkushtimi për të qenë të zënë pa kufi, janë vese frymërore. Duket se hapat e ngadaltë janë gjëja më e mirë për një agjendë të plotë të shërbesës. Augustini e krahason jetën e njeriut me një pelegrinazh që e bashkon shpirtin e tij me Perëndinë: “Gëzimet e heshtura na bëjnë thirrje vazhdimisht të kthehemi në shtëpi, larg nga zhurma që kemi përreth. Pse të nxitohemi e të ngutemi… ta kërkojmë Perëndinë, që është këtu në shtëpi me ne, nëse duam vetëm që të jemi me të?”2 Hapat e ngadaltë na afrojnë me Perëndinë.
Në fakt, hapat e ngadaltë do të na bëjnë edhe më të efektshëm në shërbesë. Kyle Hughes, duke reflektuar mbi mësimet e Gregorit të Madh për arsimtarët e krishterë, thotë: “Duke u kujdesur për shëndetin tonë frymëror dhe emocional, do të jemi më në gjendje të përballemi me gjërat e pashmangshme brenda e jashtë klasës, siç janë konflikti dhe tensioni, gjë që gradualisht do të na transformojë në njerëz shembullorë për nxënësit tanë”3. Pavarësisht nëse i shërbejmë një nxënësi në klasë apo një besimtari në kishë, jeta jonë frymërore është diçka me rëndësi për ta. Nuk them të ndërpresim gjithë detyrat e shërbesës, por të vendosen kufij në këtë punë, sepse jemi qenie njerëzore. Kelly Kapic e sqaron në këtë mënyrë: “Mohimi i natyrës sonë të kufizuar na paralizon në mënyra që ne nuk arrijmë t’i dallojmë. Dhe na e prish mënyrën si e shohim Perëndinë dhe përshpirtshmërinë e krishterë”4. Duhet të gjejmë kohë të pushojmë në Perëndinë, që të shërbejmë në mënyrë të efektshme.
Gregori i Madh, përsiatja dhe kujdesi për shpirtrat njerëzorëJeta përsiatëse do të thotë… të pushosh nga veprimi i jashtëm dhe t’i ngjitesh vetëm dëshirës së krijuesit, që mendja tani të mos gjejë kënaqësi në asnjë punë, por duke hedhur poshtë çdo shqetësim, të mund të shkëlqejë për të parë fytyrën e Krijuesit. — Gregori i Madh5
Një prej traktateve më domethënëse të Gregorit ishte libri i tij mbi kujdesin pastoral. George Demacopoulos-i e cilëson këtë libër si “më pastoralin në mënyrë të gjithanshme të epokës patristike”6. Pastoral Rule përfshin udhëzime për ofiqin pastoral dhe një jetë të pastruar asketike nga një peshkop i pjekur për një më të ri. Ka katër pjesë, ku dy të parat fokusohen në vëmendjen frymërore që një pastor duhet t’i kushtojë vetes dhe kishës, e treta përshkruan mënyrën se si duhet të baritojë një udhëheqës frymëror dhe e katërta që tregon si pastori duhet t’i kthehet përulësisë pas shërbesës publike.
Gregori qëndron midis dy botëve — përsiatjes asketike të Perëndisë dhe shërbesës publike të kishës; dashuria e dyfishtë ishte e rëndësishme për këtë vizion të të qenët peshkop. Nga njëra anë, pastori duhet ta dojë Perëndinë dhe pjesë e dashurisë për Perëndinë është përsiatja e tij. Nga ana tjetër, të krishterët duhet t’i duan të afërmit e tyre dhe kësisoj nuk mund të mbeten në një jetë asketike. George Demacopoulos-i shpjegon se Gregori “besonte që udhëheqja e suksesshme pastorale kërkon një balancë midis përsiatjes së një asketi të izoluar dhe aksionit të një administratori të mirë-trajnuar. Udhëheqësi ‘veprues-përsiatës’ nuk ishte thjesht më i efektshëm, por edhe një i krishterë më i mirë sesa thjesht i mbylluri apo thjesht menaxheri”7.
Gregori përfytyronte dy forma të të jetuarit: përsiatja dhe veprimi. Të përsiatësh Perëndinë do të thoshte të reflektoje mbi misteret e Perëndisë dhe të merrje pjesë në jetën hyjnore të Perëndisë. Këto aktivitete e paqtojnë shpirtin dhe e mundësojnë shërbesëtarin të pijë thellësisht nga pusi i pranisë së Perëndisë. Por, duhet bërë dhe shërbesë. Dy format gjithmonë shkojnë bashkë — askush nuk mund t’u shërbejë mirë të tjerëve nëse e ka përpirë krejt jeta e qetë, dhe askush nuk mund të përsiatë plotësisht nëse e ka përpirë krejt shërbesa. Kështu, Gregori i thërret ata që po hyjnë në ofiqin pastoral të ngadalësojnë dhe të ndjekin një jetë të balancuar të përsiatjes së Perëndisë dhe shërbesës së të tjerëve. Ai shkroi:
Udhëheqësi frymëror duhet të jetë një fqinj i dhembshur për të gjithë dhe pa të dytë në përsiatje, që të mund t’i marrë dobësitë e të tjerëve mbi vete përmes perëndishmërisë së tij të fortë, dhe t’ia kalojë dhe aspiratave vetjake për gjërat e padukshme, përmes meditimit të tij të lartë. Përndryshe, ndjekja e gjërave të larta do ta bëjë të përçmojë dobësitë e të afërmve të tij, ose duke iu përshtatur dobësive të të afërmve, ai do të braktisë ndjekjen e gjërave të larta.8
Gregori mësoi që edhe ndërsa përsiatin Perëndinë, pastorët duhet të sillen me dhembshuri ndaj të afërmve të tyre. Jeta e epërme e përsiatjes është një mënyrë për të mbartur dobësitë e kishës. Tërheqja në jetën e brendshme nuk duhet të jetë tërheqje nga shërbesa; përkundrazi, njeriu duhet të tërhiqet në jetën e brendshme vetëm që të dalë dhe t’i shërbejë të afërmit. Siç këshillon Gregori: “Është e domosdoshme që vëmendja që i kushtohet shqetësimeve të jashtme të njerëzve, të mbetet brenda një kufiri të caktuar”.9
Duke i kushtuar vëmendje jetës së brendshme me anë të lutjes dhe përsiatjes, pastorët janë më të pajisur për t’u përballur me agjendat e tyre të ngarkuara. Hapat e ngadaltë janë kyç për efekthshmërinë pastorale. Dëgjimi i urtësisë së Gregorit na ndihmon të kuptojmë që jeta aktive e shërbesës, furnizohet nga kultivimi i jetës së brendshme të përsiatjes, e nuk pengohet prej saj.
[1] * Shënim i redaktorit: Abdikoj - Heq dorë zyrtarisht nga pushteti mbretëror. Abdikoi nga froni.
Coleman M. Ford dhe Shawn J. Wilhite janë bashkautorë të librit Ancient Wisdom for the Care of Souls: Learning the Art of Pastoral Ministry from the Church Fathers.
Coleman M. Ford (PhD, Southern Seminary) është asistent profesor i shkencave humane në seminarin teologjik Southwestern Baptist në qytetin Fort Worth, Teksas. Ai shërben si mësues në qendrën për pastorë teologë (“Center for Pastor Theologians”). Është dhe bashkëdrejtues dhe studiues për qendrën për studime antike të krishtera (“Center for Ancient Christian Studies”). Është gjithashtu edhe asistent pastor. Ka botuar materiale në fushat e teologjisë patristike dhe përshpirtshmërisë së krishterë.
Shawn J. Wilhite (PhD, “Durham University”) është profesor i asociuar i Dhiatës së Re në universitetin California Baptist në qytetin Riverside, Kaliforni. Është dhe bashkëdrejtues dhe studiues për qendrën për studime antike të krishtera (“Center for Ancient Christian Studies”). Ka botuar libra dhe artikuj në fushën e Dhiatës së Re, krishterimit të hershëm dhe shkrimeve patristike.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-slowing-down-might-just-save-your-ministry/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024