dear pastor serve with for kids

Dhjetor 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"

Fëmijët tanë nuk janë thirrur për të shërbyer

Në kampin e parë ku mori pjesë ime bijë, unë isha folës dhe gruaja ishte gjithashtu e pranishme. Vajza na dha udhëzime të rrepta që të mos flasim me të gjatë kampit. Ne vetë e respektuam marrëveshjen, megjithëse ajo ndonjëherë vinte në dhomën tonë për të folur me ne. Kuptuam që vajza jonë nuk e donte presionin nga njohja si bija e predikuesit. Fëmijët tanë nuk i janë përgjigjur një thirrjeje specifike për shërbesë. Ndërsa bashkëshortet tona po, në momentin kur erdhën në shërbesë bashkë me ne.

Nga ana tjetër jemi të sigurt që thirrja e dishepullimit të krishterë, fëmijëve tanë u vjen nga Perëndia. Prandaj, edhe pse nuk u kemi thënë asnjëherë fëmijëve të bëjnë apo të mos bëjnë diçka si fëmijë udhëheqësish të krishterë, u kemi thënë se po këmbëngulim për diçka pasi është më e mira për ta — sepse jemi të krishterë.

Sidoqoftë, të qenët fëmijë i shërbesëtarëve në kishë ka të tjera presione të veçanta dhe unike. Fëmijët tanë presin që ne të kujdesemi për ta, por thirrja jonë është të kujdesemi për të tjerët. Është me rëndësi thelbësore t’i bindim se ata marrin prioritet në jetët tona. Dhe kjo më çon në pohimin se kryqi që na duhet të mbartim është jeta e balancuar. Nuk është e lehtë të jesh krejtësisht i përkushtuar ndaj familjeve tona dhe njerëzve që u shërbejmë në të njëjtën kohë. Mirëpo mundimi i përkushtimit ndaj të dyjave (jeta e balancuar) është kryqi ynë.

Fëmijët e mi ndonjëherë më kërkojnë të bëj gjëra të vështira, për shembull t’i marr në mesnatë nga një festë, kur kam pasur aq shumë punë dhe kam aq shumë nevojë për gjumë, apo të luaj kriket (lojë amerikane) me tim bir kur jam aq i lodhur e aspak në humor për lojë. Mësova që këtyre kërkesave t’u përgjigjem si një privilegj të gëzueshëm, jo si një barrë. Ishte e kushtueshme, por për një të krishterë çmimi i dishepullimit është normal, nuk është punë e madhe. Punë e madhe ishte gëzimi ynë në kujdesin e dashur për fëmijët tanë. Shpresoj që kur fëmijët tanë ta dinë se sa me gëzim e paguajmë çmimin e kujdesit të tyre, nuk do t’u neveritet kujdesi ynë për njerëz të tjerë. Shpresoj edhe se nuk do ta shfrytëzojnë për keq mirësinë tonë.

Më lejoni t’ju tregoj një rrëfim, që motivohet nga shkrirja e disa prej përvojave të mia. Biri i një pastori po garon në garën rajonale të vrapimit dhe ka arritur në finale. Gara është të dielën në orën katër pasdite. Por pastori ka një takim të domosdoshëm në kishë në orën dy. Ia shpjegon të birit situatën dhe i thotë se do të përpiqet të jetë aty për garën finale, por nuk mund të jetë i sigurt për këtë. Të premten u telefonon anëtarëve të komitetit për t’u treguar për situatën dhe u kërkon të jenë në kohë për mbledhjen. U telefonon sërish të shtunën në mëngjes.

Takimi nis në kohë dhe përfundon në orën tre e gjysmë. Babai nxiton për në stadium ku po zhvillohet gara. Parkon makinën, vrapon për në fushë dhe mbërrin pa nisur vrapimin i biri. Ndërsa ai vrapon, i biri dëgjon zërin e të atit që thërret “Jepi bir!”. I nxitur nga fjalët e të atit, ai merr vrull dhe fiton garën.

Ati shkon tek i biri për ta uruar. Biri vëren që i ati po gulçon më shumë sesa ai, dhe e pyet: “Mirë unë që vrapova në garë, po ti pse po gulçon?” I ati i përgjigjet: “Duhet të arrija në kohë për garën tënde, ndaj vrapova”. Me shumë mundësi, ky bir nuk do të inatoset për shërbesën e të atit. Ai e di se, sado që i ati kujdeset për të tjerët, është gati të paguajë çmimin e kujdesit për të.

Mirëpo ndonjëherë nuk mund të jemi me fëmijët tanë në çastet e rëndësishme të jetës së tyre. Ky ishte një nga aspektet më të vështira të thirrjes sime të shërbesës në lëvizje. Unë mësova, që të mos thosha diçka të tipit: “A nuk e kuptoni që kam shërbesë për të bërë?”, të shpjegoja pamundësinë time për të qenë aty, si diçka që më trishtonte thellë. Pastaj mund ta ndanim trishtimin bashkë, pa ua hedhur fajin fëmijëve se nuk e kuptonin thirrjen prej Perëndisë.

Diplomimi i sime bije nga universiteti ishte një ngjarje e madhe në familjen tonë. U diplomua me fletë lavdërimi, shumë më mirë sesa ati i saj! Kjo gjë më gëzoi shumë. Por nuk munda të jem në atë ngjarje, sepse isha në Angli. Data e diplomimit u caktua në çastin e fundit, pasi e kisha planifikuar udhëtimin. Ato ditë, nuk i kishim mundësitë e komunikimeve me Zoom, Skype dhe WhatsApp, por i dërgova asaj disa mesazhe SMS për t’i shprehur trishtimin që nuk arrita të jem aty dhe gëzimin për suksesin e saj. Ende më kujtohet mesazhi që më ktheu. Shpresoj që dhimbja që ajo ndjeu nga mosprania ime, u pakësua nga shprehja e trishtimit tim.

Nuk është e lehtë të jesh krejtësisht i përkushtuar ndaj familjeve tona dhe njerëzve që u shërbejmë në të njëjtën kohë. Mirëpo mundimi i përkushtimit ndaj të dyjave (jeta e balancuar) është kryqi ynë.

Bashkë me gruan ishim të bindur që, edhe pse fëmijët tanë nuk kishin marrë thirrje për shërbesë, kishin të drejtën të jetonin në një familje të lumtur. Dhe bëmë ç’ishte e mundur për t’u siguruar që shtëpia jonë të ishte një vend i lumtur. Në vitet 1988-89, kur në Shri Lanka shpërtheu një revolucion i dhunshëm, jeta u bë e trazuar dhe disi e rrezikshme. Shkollat u mbyllën për muaj të tërë. Shumë vetë u larguan nga vendi, duke thënë se po shkonin për hir të fëmijëve të tyre. Unë sapo isha kthyer nga një pushim shabati prej gjashtë muajsh në seminarin teologjik “Gordon-Conwell” në Shtetet e Bashkuara. Kisha qenë shumë i lumtur aty, duke bërë gjërat që unë doja — siç janë studimi, shkrimi dhe mësimdhënia. Në mes të atyre telasheve, në vitin 1989, Gordon-Conwell-i më shkroi për të më ofruar atë që dukej si puna e ëndrrave të mia, duke përfshirë gjithçka që më pëlqente të bëja. Mirëpo unë dhe gruaja u bindëm që thirrja jonë ishte për të shërbyer në mënyrë të përhershme në Shri Lanka, ndaj e refuzova atë ftesë.

Megjithatë duhet ta bënim faktin e qëndrimit tonë në Shri Lanka të vlefshëm për fëmijët tanë. Fundja, ne iu përgjigjëm thirrjes për në Shri Lanka, jo ata. Kur folëm për këtë me gruan, vendosëm që bekimi më i mirë që mund t’u linim fëmijëve tanë ishte një shtëpi e lumtur. Çfarëdo të përjetonin jashtë, duhet ta dinin se do të ktheheshin në një shtëpi të ngrohtë, miratuese dhe të lumtur.

Njoh disa familje punëtorësh të krishterë, familje me probleme në vetvete, prej të cilave kanë dalë të krishterë të shkëlqyer. Njoh edhe fëmijë rebelë që kanë dalë nga shtëpi të krishtera të dashura e të shëndetshme. Sido që të jetë sfondi familjar i një fëmije, në fund të fundit është pranimi apo refuzimi i hirit ai që e ndikon udhën në të cilën një fëmijë do të marrë në të ardhmen. Por ne që jemi në shërbesë, mund të bëjmë çmos për t’u dhënë fëmijëve tanë sadopak një pamje të bukurisë së një shtëpie që karakterizohet nga gëzimi i Zotit. Gëzimi në Zotin ka një fuqi tërheqëse që të përndjek, fuqi e cila mund t’i kthejë te Krishti kur të përballen me tundimin për t’u rebeluar.


Ajith Fernando ka shkruar librin The Family Life of a Christian Leader.


Ajith Fernando (ThM, seminari teologjik “Fuller”) është drejtor i mësimdhënies në organizatën Youth for Christ në Shri Lanka, pasi ishte drejtor kombëtar i asaj shërbese për tridhjetë e pesë vjet. Bashkë me gruan e tij, Nelun, shërbejnë në kishë kryesisht me të varfrit në zonat urbane, dhe shërbesa e tij përfshin këshillimin dhe mentorimin e stafit dhe pastorëve më të rinj. Ka shkruar njëzet e një libra të botuar në njëzet e katër gjuhë. Ajithi jeton në Colombo, Shri Lanka bashkë me gruan, dhe kanë dy fëmijë të rritur dhe katër nipër e mbesa.

Botura me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-you-can-serve-both-your-ministry-and-your-kids/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Etiketa

Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
Një përbërës kyç i efektshmërisë së shërbesës së fëmijëve dhe të rinjve
I dashur pastor, përulësia do kurajë