sunguk kim jhqbxsoruxa unsplash

Gusht 2022


Kam një bindje në rritje, e cila është kjo: Nevoja e madhe e kishës sot është për një punë të freskët dhe jetëgjatë të Frymës së Shenjtë. Bindja, të paktën për mua, nuk është thjesht për nevojën e kishës, në mënyrë që Fryma e Shenjtë të zbresë, të na ripërtërijë e të na rizgjojë. Në fakt, kjo bindje lidhet me nevojën tonë që ai të shfaqë mbretërimin e Jezu Krishtit si te të tjerët, ashtu edhe te ne.

Nëse, ashtu si unë, kjo bindje po ngrihet në zemrën e në mendjen tënde me forcë dhe me energji të re, bën mirë të pyesësh: “Si ta kuptojmë që bindja ka zënë vërtet vend në ne?” Pra: “Çfarë vërteton se ne vërtet e përqafojmë atë?”

Një përkushtim në lutje

Kohët e fundit, kam medituar shumë rreth pyetjeve të tilla dhe kam menduar se do të ishin të dukshme të paktën dy shenja.

Së pari, kjo bindje pranohet kur është i pranishëm një përkushtim në lutje; personi që lutet “e kupton”. Në fakt, jam i tunduar të them se vetëm ata që shkojnë rregullisht para Perëndisë në lutje, janë ata që vërtet e përqafojnë bindjen. Sepse përmes lutjeve të tyre, ata demonstrojnë një besim që vetëm Perëndia, në dhe përmes shërbesës së Frymës së Shenjtë, është në gjendje të përmbushë veprën e rigjenerimit. Nëse nuk jemi njerëz që lutemi, kjo tregon se ne ende mendojmë që mund ta bëjmë vetë punën.

Nëse kam të drejtë, pra, nëse lutja është provë e dukshme e bindjes sonë, atëherë ata që dëshirojnë që Perëndia të bëjë një punë të re për ungjillin në kohën tonë, do të jenë njerëz që luten.

Është interesante që kjo lidhje dinamike bëhet në çastet vendimtare të Ungjillit sipas Lukës. Të paktën katër herë njerëzit e njohin Jezusin për atë që është, ndërsa ai gjendet pranë dikujt që lutet:

Pak para se Pjetri të pranonte se Jezusi është Krishti, Jezusi lutet vetëm. (9:18-20)

Pjetri, Gjoni dhe Jakobi shkojnë në mal për t’u lutur dhe pastaj zëri i Perëndisë zbret nga qielli për të shfaqur jo vetëm kush është Jezusi, por çfarë duhet të bëjnë ndjekësit e tij në dritën e kësaj njohurie. (9:28-36)

Në pagëzimin e tij, Jezusi po lutet kur qielli hapet. Fryma e Shenjtë zbret dhe një zë nga qielli pohon Jezusin si Birin e tij. (3:21-22)

Të shenjtët në moshë, Simeoni dhe Ana, e njohin Jezusin për atë që është përmes shërbesës së Frymës së Shenjtë dhe në kontekstin e zakonshëm të ofrimit të lutjeve të vazhdueshme.

Këta katër shembuj janë të rëndësishëm. Besoj se ata na janë dhënë me plan. Na mësojnë se kur njerëzit vijnë te Krishti dhe kur fillojnë ta ndjekin atë, ata e bëjnë përmes veprës së re dhe të vazhdueshme të Frymës së Shenjtë–dhe kjo, përmes lutjes.

Kur ne vërtet e përqafojmë bindjen për nevojën tonë për Frymën, ne i kushtohemi punës së lutjes.

Përkushtim ndaj një ekspozimi biblik

Së dyti, kur bindja përqafohet për një shërbesë të re dhe jetëgjatë të Frymës së Shenjtë, lutja nuk është e vetmja gjë e pranishme. Lind edhe një përkushtim për ekspozim biblik.

Ndërsa kisha rimerr një ide të nevojës sonë të madhe, edhe njerëzit edhe predikuesit do të kenë uri për një ekspozim të thjeshtë dhe të pandryshuar të shpalljes së Fjalës së Perëndisë. Le ta themi ndryshe, ai që lutet është po ai që do t’i jepet tekstit biblik, dhe kjo nga nevoja.

Vepra e Frymës së Shenjtë dhe e predikimit së bashku

Tani jam i vetëdijshëm, të paktën edhe për shumë lexues, se marrëdhënia ndërmjet bindjes sonë në Frymën e Shenjtë dhe predikimit, nuk kuptohet menjëherë. Në fund të fundit, shumë prej nesh na kanë drejtuar–gabimisht–të besojmë se duhet të zgjedhim midis një përkushtimi ndaj Frymës së Shenjtë ose një përkushtimi ndaj Fjalës së Perëndisë. Ose do të kesh “besimin e rrugës” ose “maturinë shpirtërore”, por jo të dyja.

 Të njëjtët njerëz na kanë bërë të besojmë se njeriu ose ndjek një “kishë të drejtuar nga Fryma” ose “një kishë të qendërzuar në Fjalën”, por jo të dyja. Kjo urtësi tradicionale është gdhendur në ne. Por është e gabuar të mendosh se duhet të jesh i përshtatëm ose për të pashpëtuarit në lagje ose për ata që tashmë besojnë.

Të them të drejtën, jam i lodhur nga këto. Jam i lodhur nga ata që i vendosin korniza diskutimeve në këto linja, a thua se Fryma dhe Fjala janë të huaja për njëra-tjetrën. Dikotomia (ndarja në dy boshte) nuk është e vërtetë–dhe ka ardhur koha ta lemë mënjanë.

Ajo për të cilën do të flisja është se personi që dallon nevojën e kishës për një punë të re e jetëgjatë të Frymës, do të jetë po ai që e përkushton veten jo vetëm në lutje, por edhe në ekspozim biblik. Kjo sepse puna e Frymës së Shenjtë ka qenë gjithmonë e lidhur në mënyrë dinamike me shërbesën e Fjalës.

Shohim te Shkrimi si shembulli ynë

Një tekst, edhe pse mund të ishin zgjedhur shumë, mjafton për ta ilustruar këtë. Shiko te Hebrenjve 3, sidomos vargun 7, i cili fillon kështu: “Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë…”’

Në këto pesë fjalë ekzistojnë dy surpriza të mrekullueshme. Së pari, vër re, shkruesi i referohet autorësisë së Frymës së Shenjtë kur citon Psalmi 95. Kjo është goditëse dhe ne duhet ta dallojmë. Ai nuk tha: “Siç e thotë Bibla,” ose “Siç thotë psalmisti,” madje as “Siç thotë Shkrimi.” Ai shkruan: “Sikurse thotë Fryma e Shenjtë.”

Kuptimi i kësaj është i rëndësishëm: Nëse dëshiron të dëgjosh zërin e Frymës së Shenjtë, do ta gjesh të lidhur në mënyrë dinamike me tekstet biblike. Pra, Fryma e Shenjtë është tashmë i pranishëm si autor, në fjalë të caktuara shumë më parë në Shkrim. Mendoj se ishte John Piper që shkroi një Twitter diçka të tillë: “Nëse dëshiron ta dëgjosh Perëndinë të të flasë sot, shko në dhomën tënde, mbylle derën dhe lexoje Biblën me zë.” Pajtohem me këtë. Fjala e Perëndisë është zëri i Frymës. Për këtë arsye, bindja jonë se nevoja e madhe e kishës sot është për një punë të re e jetëgjatë të Frymës së Shenjtë do të thotë se, nga nevoja, një përkushtim i njëjtë me këtë bëhet ndaj ekspozimit biblik.

Surpriza e dytë te Hebrenjve 3:7 është gramatika: folja është në kohën e tashme! Thuhet: “Sikurse thotë Fryma e Shenjtë…” Rëndësia e kësaj nuk duhet humbur. Psalmi 95, i cili fillimisht iu dha një populli të lashtë që jetonin jetë shumë të ndryshme, thuhet se është fjala e gjallë dhe e tanishme e Perëndisë për një brez shumë më të vonshëm–dhe e njëjta gjë është e vërtetë për ne sot. Hebrenjve 3:7 cakton një marrëdhënie të vazhdueshme dhe dinamike midis shërbesës së kohës së tanishme të Frymës së Shenjtë dhe Fjalës së Perëndisë së shpjeguar.

Përfundime

Dhe ja ku është! Nevojitet një bindje për një punë të re të Frymës së Shenjtë dhe do ta dimë se ajo bindje po lind në kockat dhe në palcën tonë, kur përkushtimet për lutje dhe predikim janë gjithashtu të pranishme.

Në ditët e fundit, kjo bindje ka qëndruar në shpirtin tim me forcë dhe vitalitet. E di që është autentike, sepse lutja dhe predikimi kanë gjithnjë e më shumë efekte praktike në jetën time. Dhe dua që e njëjta gjë të jetë e vërtetë për ty.

Nga David Helm

9Marks


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga 9marks: https://www.9marks.org/article/the-holy-spirit-prayer-and-preaching/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Etiketa9marks

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do