lmgm dritez 24

Dhjetor 2021                                                                       


Gjoni 18:37 është një tekst shumë i mirë për Krishtlindje, edhe pse vjen nga fundi i jetës tokësore të Jezusit dhe jo nga fillimi i saj.

Vërejmë që Jezusi nuk po thotë vetëm se Ai lindi, por që Ai “ka ardhur në botë”. Veçantia e lindjes së Tij është se Ai nuk filloi të ekzistonte atë ditë, por Ai ekzistonte para se të lindte në grazhd. Personi, karakteri, personaliteti i Jezusit të Nazaretit ekzistonin para se njeriu Jezus i Nazaretit të lindte.

Fjala teologjike për ta përshkruar këtë mister nuk është krijim, por mishërim. Personi, jo trupi, por qenia thelbësore e Jezusit, ekzistonte para se Ai të lindte si njeri. Lindja e Tij nuk ishte ardhja në ekzistencë e një personi të ri, por ardhja në botë e një personi pafundësisht të lashtë.

Mikea 5:2 e thotë kështu shtatëqind vjet para se Jezusi të lindte:

Por ti, o Bethlem Efratah,
megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës,
nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael,
origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta,
nga ditët e përjetësisë.

Misteri i lindjes së Jezusit nuk është thjesht se lindi prej një virgjëreshe. Ajo mrekulli u caktua prej Perëndisë që të dëshmonte për një mrekulli edhe më të madhe–domethënë që fëmija i lindur në Krishtlindje ishte një person që ekzistonte “nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë”.

Lindja e Tij, pra, ishte e qëllimshme. Që para se të lindte, Ai mendoi për lindjen e Tij. Bashkë me Atin e Tij, Ai pati një plan. Pjesë e atij plani të madh ishte edhe ajo që tha në orët e Tij të fundit mbi këtë tokë: “Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën; kushdo që është prej së vërtetës, dëgjon zërin tim” (Gjoni 18:37).

Jezusi ishte e vërteta e përjetshme. Ai foli vetëm të vërtetën. Jezusi mishëroi të vërtetën më të madhe të dashurisë. Ai po mbledh në familjen e Tij të përjetshme të gjithë ata që kanë lindur nga e vërteta. Ky ishte plani që nga ditët e lashta.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme

>