lmgm dritez 19

Dhjetor 2021                                                                       


Krishtlindja shënoi fillimin e tërheqjes më të suksesshme të Perëndisë. Ai ka qenë gjithmonë i kënaqur ta tregojë pushtetin e Tij përmes gjërave që nga jashtë duken si dështime. Perëndia bën tërheqje taktike për të korrur fitore strategjike.

Në Dhiatën e Vjetër, njërit nga dymbëdhjetë bijtë e Jakobit, Jozefit, iu premtua në ëndërr lavdi dhe pushtet (Zanafilla 37:5-11). Për ta arritur atë fitore, iu desh të bëhej skllav në Egjipt. Sikur kjo të mos mjaftonte, kur gjendja e tij u përmirësua për shkak të integritetit të tij, Jozefi u bë më keq se një skllav. Ai ra në burg.

 Gjithsesi, e gjitha kjo ishte planifikuar–ishte planifikuar nga Perëndia për të mirën e tij dhe të familjes së tij, dhe më në fund për të mirën e të gjithë botës! Arsyeja është që atje në burg ai takoi kupëmbajtësin e faraonit. Kupëmbajtësi e nxori para faraonit dhe ky i fundit e vendosi mbi gjithë Egjiptin. Më në fund, ëndrra e Jozefit u realizua. Vëllezërit e tij u përkulën para tij dhe ai i shpëtoi nga uria. Sa rrugë e çuditshme drejt lavdisë!

Sidoqoftë, kjo është udha e Perëndisë–madje edhe për Birin e Tij. Ai e zbrazi veten dhe mori trajtë shërbëtori. Më keq se një skllav, ai u burgos dhe u ekzekutua. Por njësoj si Jozefi, Ai e ruajti integritetin e tij: “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dhuroi një emër përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju” (Filipianëve 2:9-11).

Kjo është udha e Perëndisë, edhe për ne. Neve na është premtuar lavdi–nëse vuajmë bashkë me Të, sikurse thuhet te Romakëve 8:17. Rruga për t’u ngjitur lart, shkon poshtë. Për të ecur përpara, duhet të shkojmë pas. Udha drejt suksesit është përmes pengesave të caktuara në mënyrë hyjnore. Ato gjithmonë do të duken si dështime dhe kështu do të ndihemi.

Nëse Jozefi dhe Jezusi po na mësojnë ndonjë gjë këtë Krishtlindje është kjo: “Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës...” (Zanafilla 50:20).

Shenjtorë të trembur, merrni guxim
Retë nga të cilat keni kaq frikë
Janë të ngarkuara plot me mëshirë
Mbi ju do t’bien porsi bekim.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme