Diçka Për Të Cilën Ia Vlen Të Këndosh

Dhjetor 2020


Sepse ka priftërinj të cilët ofrojnë dhurata sipas ligjit, që shërbejnë sipas shembullit dhe hijes së gjërave qiellore... Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, e cila bazohet mbi premtime më të mira...

Hebrenjve 8:4-10

“Dhe kjo do të jetë besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit pas atyre ditëve, thotë Zoti: unë do t’i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre dhe do t’i shkruaj në zemrat e tyre, dhe do të jem Perëndia e tyre dhe ata do të jenë populli im.”

Këtu shohim se Krishtlindja do të thotë dy gjëra. Së pari, do të thotë zëvendësimi i hijeve të Dhiatës së Vjetër me realitetin. Tempulli dhe sakrificat, priftëria, festat, ligjet e ushqimeve ishin të gjitha hije dhe kopje të realitetit në qiell. Ky realitet është Jezu Krishti dhe vepra e Tij si Kryeprifti ynë, si sakrifica jonë dhe si fokusi i adhurimit tonë. Jezusi i përmbush dhe i zëvendëson hijet e Dhiatës së Vjetër.

Së dyti, do të thotë që Perëndia e bën realitetin e Krishtit të vërtetë për ne personalisht, përmes veprës së besëlidhjes së re, kur e shkruan këtë të vërtetë në zemrat tona. Perëndia lëviz fuqishëm në zemrat dhe mendjet tona për ta mposhtur rezistencën tonë ndaj bukurisë së realitetit të Tij. Ai e shkruan vullnetin e Tij, të vërtetën e realitetit të Jezusit, në zemrat tona në mënyrë që ta shohim Atë për faktin se kush është në të vërtetë dhe të jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm për t’i besuar dhe për ta ndjekur, të lirë nga brenda jashtë dhe jo si skllevër të shtrënguar nga jashtë.

Perëndia është i drejtë dhe i shenjtë, i veçuar nga mëkatarët; mëkatarë si ju dhe unë. Ky është problemi ynë kryesor në Krishtlindje dhe në çdo periudhë tjetër. Si mund të jemi të drejtë para një Perëndie të drejtë dhe të shenjtë? Gjithsesi, Perëndia është i mëshirshëm dhe ka premtuar te Jeremia 31 (pesëqind vjet para se të vinte Krishti) se një ditë Ai do të bëjë diçka të re. Ai do t’i zëvendësojë hijet me realitetin e Mesias. Ai do të veprojë fuqishëm në jetën tonë dhe do ta shkruajë vullnetin e Tij në zemrat tona që të mos jemi të shtrënguar nga jashtë, por të vullnetshëm nga brenda; për ta dashur, për t’i besuar dhe për ta ndjekur Atë.

Ky do ishte shpëtimi më i madh i imagjinueshëm: nëse Perëndia do të na ofronte realitetin më të madh në univers për t’u kënaqur me Të dhe pastaj të punonte në ne për t’u siguruar që këtë gjë ta gëzojmë me lirinë dhe kënaqësinë më të madhe të mundshme. Kjo do të ishte një dhuratë Krishtlindjeje për të cilën ia vlen të këndojmë. Kjo është saktësisht ajo që Perëndia ka bërë.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin