Thelbi i natyrës së Perëndisë

1.Njohuria e Perëndisë. Shpesh mundësia e njohjes së Perëndisë është mohuar për një sërë arsyesh. Por, ndonëse është e vërtetë se njeriu s’mund ta njohë dot kurrë plotësisht Perëndinë, kjo nuk nënkupton se s’mund ta njohë aspak. Perëndinë mund ta njohim vetëm pjesërisht, por gjithsesi me një njohuri të vërtetë dhe reale. Kjo është e mundshme, për shkak se Perëndia na është zbuluar vetë. I lënë në forcat e veta, njeriu s’do të kishte qenë kurrë në gjendje ta zbulonte ose ta njihte Perëndinë.

Njohuria që kemi për Perëndinë është e dyfishtë. Njeriu ka njohuri të lindur të Perëndisë. Kjo nuk nënkupton thjesht se, për shkak se është krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, njeriu ka af- tësinë e natyrshme që ta njohë. Po kështu, kjo nuk nënkupton se, që nga lindja, njeriu sjell me vete në këtë botë njëfarë njohurie të Perëndisë. Kjo shprehje thjesht nënkupton se, në kushte normale, brenda njeriut zhvillohet natyrshëm njëfarë njohurie e Perëndisë. Sigurisht, kjo njohuri ka natyrë shumë të përgjithshme.

Por, përveç kësaj njohurie të lindur të Perëndisë, njeriu edhe e përfton njohurinë, duke mësuar nga zbulesa e përgjithshme dhe e veçantë e Perëndisë. Kjo nuk arrihet pa përpjekje nga ana e njeriut, por vjen si rezultat i kërkimit të vetëdijshëm dhe të vazhdueshëm të njohurisë. Ndonëse kjo njohuri është e mun- dur vetëm për shkak se njeriu ka lindur me kapacitetin që të njohë Perëndinë, ajo e çon përtej kufijve të njohurisë së lindur të Perëndisë.

2.Njohuria e Perëndisë që përftohet nga zbulesa e veçantë. Ndo- nëse s’është e mundur ta përkufizosh Perëndinë, është gjithsesi e mundur të japim një përshkrim të përgjithshëm të qenies së tij. Ndoshta më e mira është ta përshkruajmë si Frymë të kulluar me përsosmëri të pakufishme. Ky përshkrim përfshin elementet e mëposhtme:

  • Perëndia është Frymë e kulluar. Bibla nuk përmban asnjë përcaktim të Perëndisë. Ajo që i afrohet më tepër një përkufizimi janë fjalët që Jezusi i tha gruas samaritane: “Perëndia është fry- më”. Kjo do të thotë se, në thelb, Ai është frymë [pra, shpirt] dhe se në Perëndinë gjenden medoemos të gjitha cilësitë që i përkasin idesë së përsosur të frymës. Fakti që ai është frymë e kulluar për- jashton idenë se ka ndonjëfarëlloj trupi apo se, në ndonjëfarëlloj mënyre, është i dukshëm për syrin njerëzor.
  • Perëndia është personal. Fakti se Perëndia është frymë nën- kupton se ka dhe personalitet. Fryma është qenie inteligjente dhe morale dhe, kur themi se Perëndia ka personalitet, nënkuptojmë pikërisht faktin se ai është Qenie e arsyeshme, i aftë që të përcak- tojë rrjedhën e jetës së vet. Tani, shumë e mohojnë personalitetin e Perëndisë dhe e konceptojnë thjesht si forcë ose fuqi joperso- nale. Mirëpo Perëndia i Biblës është me siguri Perëndi personal, me të cilin njerëzit mund të bisedojnë, të cilit mund t’i besojnë, i cili hyn në përjetimet e tyre dhe i ndihmon në vështirësi, dhe i cili u mbush zemrën me gëzim dhe hare. Për më tepër, ai na e zbuloi veten në formë personale në personin e Jezu Krishtit.
  • Perëndia është pafundësisht i përsosur. Perëndia dallohet nga gjithë krijesat e veta, për shkak të përsosmërisë së tij të pakufishme. Qenia dhe virtytet e tij s’kanë aspak kufij ose të meta. Ai jo vetëm që është i pafund dhe i pakufishëm, por spikat mbi gjithë krijesat e veta edhe për shkak të përsosmërisë morale dhe madhështisë së lavdishme. Fëmijët e Izraelit i kënduan madhë- shtisë së Perëndisë, pasi kaluan përmes Detit të Kuq: “Kush bara- zohet me ty midis perëndive, o ZOT? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudi- bërës?” (Eks. 15:11). Disa filozofë të ditëve të sotme thonë se Perëndia është i “fundmë, në zhvillim e sipër, mundohet, vuan dhe merr pjesë në disfatat dhe fitoret e njeriut”.
  • Perëndia dhe përsosmëritë e tij janë një. Thjeshtësia është një nga karakteristikat themeltare të Perëndisë. Kjo nënkupton se ai nuk përbëhet nga pjesë të ndryshme dhe se qenia e cilësitë e tij janë një. Mund të themi se përsosmëritë e Perëndisë janë vetë Perëndia, siç ia ka zbuluar veten njeriut. Ato janë thjesht shfaq- jet e shumta të Qenies hyjnore. Prandaj, Bibla thotë se Perëndia është vërtetësi, jetë, dritë, dashuri, drejtësi, e kështu me radhë.

    Mësoni përmendësh. Pasazhe të Shkrimit që vërtetojnë:
  • a.Se Perëndia mund të njihet:

    1 Gjon 5:20. “Por dimë se Biri i Perëndisë erdhi dhe na dha të kuptuarit, që të njohim të Vërtetin; dhe jemi në të Vërtetin, në Birin e tij Jezu Krisht; ky është i vërteti Perëndi dhe jeta e përjetshme”.

    Gjoni 17:3. “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”.

    b.Se Perëndia është Frymë:

    Gjoni 4:24. “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën”.

    1 Timoteut 6:16. “I vetmi që ka pavdekësinë dhe banon në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as nuk mund ta shohë”.

    c.Se Perëndia është qenie personale.

    Malakia 2:10. “A nuk kemi të gjithë të njëjtin Atë? A nuk na ka krijuar i njëjti Perëndi?”

    Gjoni 14:9b. “Kush më ka parë mua, ka parë Atin; si vallë po thua: ‘Na e trego Atin?’”

    d.Se Perëndia është i pamasë në përsosmëri:

    Eksodi 15:11. “Kush barazohet me ty midis perëndive, o ZOT? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?”

    Psalmi 147:5. “I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarsia e tij”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>