what did jesus teach 3

Janar 2025  


Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi 

“Të varfrit i keni gjithmonë me vete”

Jezusi thotë te Marku 14:7: “...të varfrit do i keni gjithmonë me vete…” (shihni dhe Mateu 26:11 dhe Gjoni 12:8). Si duhet ta kuptojnë të krishterët këtë pohim të çuditshëm? Nëse varfëria do të ekzistojë gjithnjë, a do të thotë kjo se të gjitha përpjekjet për eliminimin e varfërisë, si në komunitetet tona edhe në botë, janë të kota?

Rëndësia e kontekstit

Jezusi është ulur për të ngrënë në shtëpinë e Simon lebrosit kur një grua i derdh mbi kokë një shishe parfumi të shtrenjtë. Disa nga pjesëmarrësit u indinjuan pasi menduan se kjo ishte një shpërdorim i parave. Këta e qortuan, duke thënë: “...ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t’u jepeshin të varfërve…” (Marku 14:5). Mirëpo Jezusi e mbron atë:

…Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje. Sepse të varfrit i keni gjithmonë me vete; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk më keni gjithmonë. Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim. Por po ju them në të vërtetë se në të gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj. (Marku 14:6–9)

Jezusi nuk po thotë që paratë tona duhen shpenzuar për gjëra më të rëndësishme sesa të varfrit. As po sugjeron që prania e vazhdueshme e të varfërve e bën të kotë kujdesin për ta. Kujdesin për të varfrit, ai e bën një prioritet normal, diçka që mund ta bëjmë në çdo çast që duam.

Në vend të kësaj, Jezusi do të nënvizojë sa i jashtëzakonshëm ishte ai moment për të. Ishte mes tyre, por pas pak do të largohej. Ai do t’ua tërheqë vëmendjen te vdekja e tij e afërt. Akti i saj është një përgatitje për varrimin e tij, meqenëse procesi normal i vajosjes së të vdekurit në rastin e Jezusit do të ndërpritej, për shkak të ringjalljes së tij (Marku 16:1–3).

Një vizion plot shpresë

Jezusi këtu është duke cituar nga Ligji i Përtërirë 15. Moisiu po e përsërit ligjin për popullin e Izraelit teksa ata janë në prag të Tokës së Premtuar. Ai i paralajmëron të mos jenë zemërgur dhe dorështrënguar ndaj të varfërve, por dorëhapur (Ligji i Përtërirë 15:7-8). U kujton të anulojnë borxhet dhe të çlirojnë skllevërit çdo shtatë vjet. Meqenëse përjetuan çlirim nga skllavëria në daljen nga Egjipti, duhet të jenë një shoqëri e çliruar dhe çliruese (Ligji i Përtërirë 15:15).

Në këtë kontekst, ai premton: “Nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush, sepse Zoti do të të bekojë me të madhe në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep si trashëgimi, që ti ta zotërosh, por vetëm me kusht që ti t’i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh të gjitha këta urdhërimet që sot të cakton” (Ligji i Përtërirë 15:4-5).

Kur populli i Perëndisë jeton nën sundimin e Perëndisë, nuk do të ketë të varfër mes tyre. Sundimi i Perëndisë është çlirues, një sundim drejtësie dhe bekimi. Është një sundim i paqes dhe i begatisë.

Realiteti i dhimbshëm

Mirëpo libri i Ligjit të Përtërirë paraqet edhe anën e shëmtuar të realitetit. Ai reflekton pabesinë e brezit izraelit në shkretëtirë, duke e parë jo si diçka anormale, por si tipike (Ligji i Përtërirë 1:26–46; 6:16; 8:1–20). Moisiu vazhdon të parashikojë rebelim të brezave të ardhshëm (Ligji i Përtërirë 31:14-29). Ky kërcënim për rebelim është një re e errët në këtë libër, e gjendur nën çdo thirrje të përsëritur për të kujtuar edhe atë që Perëndia bëri për t’i shpëtuar, edhe atë që populli bëri duke u rebeluar.

Kështu që megjithëse kapitulli 15 i Ligjit të Përtërirë premton se nuk do të ketë të varfër mes popullit të Perëndisë, nëse ata jetojnë nën sundimin e Perëndisë, ky kapitull është edhe kaq realist sa të thotë: “Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend…” (Ligji i Përtërirë 15:11). E thënë ndryshe, vetëm një transformim i zemrës rebele të njerëzimit do t’i japë fund varfërisë.

Bujari, jo apati

Vetëm rivendosja e sundimit të Perëndisë mbi tokë, në kthimin e Krishtit, do të sjellë drejtësi dhe barazi të plotë. Deri atëherë, do të ketë gjithnjë të varfër mbi tokë.

Larg nga të qenët një shkak mosveprimi, prania e vazhdueshme e të varfërve është një bazë për urdhërimin e vazhdueshëm për të qenë dorëhapur. Ligji i Përtërirë 15:11 vijon: “...nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim ty dhe të them: ‘Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfrit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj’”.


Tim Chester (doktor shkencash, “University of Wales”) është anëtar fakulteti në Crosslands dhe pastor në Grace Church, Boroughbridge, North Yorkshire. Ka shkruar mbi dyzet libra, përfshirë këtu A Meal with Jesus; Reforming Joy; dhe është bashkautor me Michael Reeves në librin Why the Reformation Still Matters.

Përktheu: Sergej Meçe          Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-the-poor/

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
A është e ndaluar që të krishterët të kenë tatuazhe? (Levitiku 19)
I dashur pastor, në një kulturë vipash, ti je thirrur të kënaqesh me atë që je