Dhjetor 2024
Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi
Ki parasysh motrat dhe vëllezërit e tu
Ndërsa rrekem të trajtoj lidhjen e mësimit të Jezusit me gjendjen aktuale të politikës, e marr me mend se lexuesit me shumë gjasa do të nisin menjëherë të mendojnë për çështje si aborti, imigracioni, racizmi, drejtësia sociale dhe një sërë problemesh të tjera. Ky është një impuls i mirë. Nëse vërtet e marrim seriozisht zotërimin sundues të Krishtit në jetën tonë, duhet rrjedhimisht të kërkojmë ta zbatojmë atë zotërim në pjesëmarrjen tonë në politikë.
Shumica e lexuesve të këtij artikulli do të jenë qytetarë në republika demokratike që kanë të drejtën e fjalës, organizimit, peticionit dhe votës. Pa diskutim që u duhet të mendojnë me kujdes se si mund të veprojnë në një mënyrë të përgjegjshme dhe të dashur, nën dritën e marrëdhënies së tyre vertikale me Perëndinë sa edhe të marrëdhënieve horizontale me mbartësit e tjerë të shëmbëllimit të Perëndisë, sikurse ata. Unë mendoj se është e dobishme të mendojmë në kategoritë e vëllazërisë dhe motërisë së përbashkët të burrave e grave nën atësinë e Perëndisë. Edhe vetë e shprehura në këtë mënyrë na ndihmon të nisim të mendojmë në mënyrën e duhur.
Në vend që të merrem një-më-një me çështjet aktuale dhe të sugjeroj se cilat zgjedhje do të miratoheshin prej Jezusit (gjë që në disa raste do më bënte të tejkaloja të drejtën dhe aftësinë time, në bazë të kufizimeve, anësive dhe natyrës sime mëkatare), unë po vë në dukje dy mësime kryesore që i shoh të rrezatojnë nga Shkrimi.
Si e shohim qeverinë
Mësimi i parë ka të bëjë me mënyrën si e shohim qeverinë. Ka një ngjarje nga jeta e Krishtit që na bën ta shqyrtojmë çështjen drejtpërsëdrejti. Te Marku 12:13-17, Jezusi u përball me një auditor armiqësor që mezi priste ta kapte në fjalë me një pyetje, e cila do ta bënte të qortueshëm. Si mësues i gjithçkaje të “vërtetë”, a do t’i paguante ai taksa Cezarit? Ai kërkoi për një monedhë dhe reflektoi mbi gdhendjen në të. Pa imazhin e Cezarit dhe u përgjigj: “I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë”. Ky pohim ka ndikimin e drejtpërdrejtë që paraja vjen nga një sistem të krijuar prej qeverisë, ndaj i duhet dhënë qeverisë tarifa që kërkon. Por Jezusi kaq mund ta thoshte edhe duke thënë vetëm: “I jepni Cezarit”. Porse ai thotë: “I jepini Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë”.
Më duket se ajo që Jezusi po thotë në këtë pasazh është se qeveria ka vendin e vet. Ajo ka një të drejtë dhe detyrë legjitime që duhet përmbushur. Mirëpo, vetë fakti që përmendet Perëndia në këtë pohim parashtron një dimension të ri. Ideja dhe realiteti i një Cezari është gjë madhështore dhe e madhërishme, mirëpo sapo i qasim Perëndinë këtij sundimtari tokësor, shtati i Cezarit duket menjëherë dhe në mënyrë radikale i zvogëluar. Cezari duket si gjithë të tjerët. Mbretëritë tokësore do të shkërmoqen dhe statutet do të bien poshtë. Ajo që i bën vërtet domethënëse këto gjëra është fakti që ato pasqyrojnë (shpesh turbullt) sundimin më të lartë të Perëndisë. “I jepini Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë.”
Ka një fushë legjitime aktiviteti që i takon qeverisë, por caqet e saj nuk janë të njëjta me sundimin pa kufij të Perëndisë. Qeveria nuk duhet ngatërruar kurrë me autoritetin që autorizon çdo autoritet. Kur qeveritë jo vetëm që e tolerojnë mëkatin, por edhe e festojnë atë, ato i presin këmbët vetë karrigeve të tyre. Dhe kur qeveritë kërkojnë t’i detyrojnë të krishterët ta tradhtojnë besimin e tyre në çështjen e zotërimit sundues të Jezusit — domethënë, faktit që Jezusi është Zot dhe jo Cezari — të krishterët duhet të thonë bashkë me apostujt (dhe dëshmorët ndër epoka) se duhet t’i bindemi Perëndisë dhe jo njerëzve (Veprat 5:29).
E drejta mbretërore e Jezusit
Mësimi im i dytë në lidhje me atë që Jezusi mëson, buron drejtpërsëdrejti nga i pari. Te Mateu, kapitujt 24 dhe 25, Jezusi shpall në mënyrë të padiskutueshme të drejtën e tij mbretërore. Ai do të ulet në një fron të lavdishëm, jo si disa krerë fisesh me pushtet të kufizuar, apo as si perandorët e mëdhenj të shumë vendeve, por si Mbret mbi gjithë kombet me njerëzit e tyre të mbledhur para tij. Ne i çmojmë demokracitë tona dhe të drejtat tona për të pasur qeveri, autoriteti i të cilave varet nga miratimi ynë. Kjo është diçka shumë e mirë për ne si imazh-mbajtës të Perëndisë në lidhje me njëri-tjetrin dhe për të parandaluar ndonjë qenie të vetme njerëzore, apo një grup të vogël njerëzish, të ushtrojnë një pushtet të skajshëm. Mirëpo duhet të mbajmë mend që Jezusi nuk është thjesht një mik apo një vëlla. As mos e vini në dyshim. Ai është një mbret. Jo vetëm që është një mbret, por është mbreti i vetëm i vërtetë.
Çdo autoritet i vërtetë buron nga Perëndia.
Mendoj se një nga mësimet më të mira për ne nga përvoja e mjerueshme e monarkisë izraelite (për të cilën Perëndia i paralajmëroi ata) është fakti që ka vetëm një njeri vërtet të denjë për të sunduar. Ky njeri është Jezu Krishti. Çdo autoritet i vërtetë buron nga Perëndia.
Ndikimi politik i këtij realiteti është që sado të emocionohemi për presidencat e njerëzve si Donald Tramp, Barak Obama, Xhorxh W. Bush, Bill Klinton dhe Ronald Regan, duhet të jemi akoma më të vëmendshëm ndaj realitetit të së drejtës mbretërore të Jezu Krishtit. Sundimi i Krishtit mund të na duket i largët, kur lajmet dhe media sociale fiksohen çdo ditë dhe çdo çast me nxitimin e vendimeve, aktiviteteve dhe kundërshtive që qarkojnë politikanët, por ne duhet të jemi më të urtë dhe të kuptojmë që sundimi i tij është si qielli i përshkruar në The great divorce të C. S. Lewis. Ai është real. Është real në të qenët i gëzueshëm, i rrezikshëm, drithërues dhe shkatërrues. Ne jemi veçse hije nën dritën e tij, nëse jemi të ndarë nga Zoti ynë i vërtetë.
Unë e kam studiuar politikën për pjesën më të madhe të jetës sime. Si shumë të tjerë, kam jetuar dhe vdekur mbi shumë fitore dhe humbje që shoqërojnë fushatat moderne dhe betejat legjislative. Mirëpo sa më shumë plakem, aq më të qartë e kam se gjëja më domethënëse që kam për të thënë për politikën është që Jezu Krishti është Mbret. Këto janë fjalët që duhet të na ndezin nga brenda.
Hunter Baker është autor i librit Political Thought: A Student’s Guide.
Hunter Baker (doktor, Universiteti Baylor; master juridiku, Universiteti i Hjustonit, ShBA) është rektor dhe dekan i fakultetit në universitetin “North Greenville” të Karolinës së Jugut. Baker shërben edhe si ndihmës redaktor në revistën Journal of Markets and Morality si dhe redaktor e kontribuues në Touchstone: A Journal of Mere Christianity. Ai bën gjithashtu punë kërkimore për komisionin “Southern Baptist Ethics & Religious Liberty”.
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-politics/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024