Çfarë mësoi jezusi në lidhje me lutjen

Shkurt 2025  


Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi 

Na mëso të lutemi

Çfarë mësoi Jezusi për lutjen? Nga njëra anë mund t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje lehtësisht, nëse konsiderojmë përgjigjen e vetë Krishtit ndaj kërkesës së një prej dishepujve të tij: “Zot, na mëso të lutemi...” (Luka 11:1). Zoti përgjigjet duke ofruar atë që zakonisht quhet Lutja e Zotit (Luka 11:2–4). Por në fakt kjo kërkesë lindi ngaqë një prej dishepujve po vërente jetën e lutjes së vetë Krishtit (Luka 11:1: “Dhe ndodhi që, ndërsa po lutej në një vend...”). Kjo do të thotë se çdo përpjekje për të kuptuar çfarë mësoi Jezusi për lutjen do të jetë e mangët, nëse nuk e kuptojmë së pari që Jezusi ishte i përkushtuar ndaj lutjes dhe se pse ai lutej aq shpesh.

Në fillim, Perëndia...

Perëndia Atë e mori Jezusin “nga barku” dhe “e bëri” të besonte [në Perëndinë] që në gjirin e nënës së tij (Psalmi 22:9). Me fjalë të tjera, Perëndia e bëri Jezusin të dhënë pas lutjes nga fillimi deri në fund të jetës së tij (Luka 23:46). Siç tha psalmisti, mund të thoshte dhe Zoti ynë:

“Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot,
besimi im qëkurse isha fëmijë.
Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënës sime;
ti më nxore nga barku i nënës sime;
ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.” (Psalmi 71:5–6)

Kjo është e mundur sepse Perëndia e vendos forcën edhe nga goja e foshnjave (Psalmi 8:2). Jezusi rritej dhe “forcohej… plot urtësi”, sepse hiri i Perëndisë ishte mbi të (Luka 2:40). Zakonet e hirit ishin të ngulitura thellë në qenien e tij, saqë ai gjithmonë merrej me punët e Atit të tij, duke u mësuar prej tij çdo mëngjes (Isaia 50:4–6). Ati e mësoi Jezusin të varej tek ai, veçanërisht në lutje.

Marrëdhënia e Krishtit me Atin na mëson shumë për lutjen. Fjalët e para të shënuara të Jezusit te Luka 2 flasin për besnikërinë e tij ndaj Atit, kur ai foli për punën e tij në shtëpinë e Atit të tij. Fjalët e fundit të regjistruara të Jezusit flasin për besimin që kishte tek Ati, ndërsa ai thërret: “‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!’. Dhe, si tha këto, dha frymë” (Luka 23:46).

Lutja, nëse vërejmë jetën e Krishtit, është marrëdhënie intime me Atin tonë qiellor. T’i drejtoheshe Perëndisë në lutje si “Ati im” ishte pothuajse e padëgjuar në kohën e Krishtit. Hebrenjtë zakonisht i referoheshin Perëndisë në lutje si Jahve, Zoti im, Perëndia im, ose Perëndia i atit tim. Këto fjalë të Krishtit janë thjesht të pashoqe: “Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: ‘Të lavdëroj ty o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut...’” (Mateu 11:25). Qoftë në lutjet e caktuara liturgjike apo ato “të lira” spontane, nuk ka analogji në letërsinë hebraike të kohës që të na ofrojë atë që Jezusi bën në jetën e tij të lutjes, e cila ishte qartazi një shembull për ata që do të quheshin me emrin e tij.

Kështu, lutja revolucionare e Jezusit përputhet me natyrën radikale të shërbesës së tij. Pa shembuj të mëparshëm hebrenjsh besnikë që t’i drejtoheshin Perëndisë si “Atë” në lutje, hebreu besnik suprem (Jezusi) i referohet Perëndisë si “Atë” pothuajse gjithmonë në lutjet e tij të shënuara. Duhet të ketë një arsye shumë të fortë për këtë zhvillim.

Fjala aramaike abba i referohet një marrëdhënieje babë-e-bir. Para kohës së Krishtit, fëmijët që flisnin aramaisht mësonin t’i referoheshin prindërve të tyre si abba dhe imma. Gjatë jetës së Krishtit, jo vetëm fëmijët e vegjël përdornin abba, por edhe fëmijët e rritur i referoheshin babait të tyre si abba. Megjithatë, t’i drejtoheshe Perëndisë me abba do të konsiderohej mungesë respekti nga hebrenjtë. Ajo që bëri Zoti ynë ishte risi dhe, siç thashë, revolucionare, në mënyrën se si i afrohemi Perëndisë. Nëse Jezusi nuk do të ishte ai që ishte (Biri i vetëmlindur), do të kishim arsye për t’iu bashkuar hebrenjve në akuzën ndaj tij për blasfemi: “Prandaj judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte shabatin, por edhe se thoshte se Perëndia ishte Ati i vet, duke e bërë veten të barabartë me Perëndinë” (Gjoni 5:18).

Për shkak të marrëdhënies unike dhe të veçantë të Jezusit me Atin, mbetet më se e përshtatshme t’i drejtohemi atij si Atë. Si Biri i përjetshëm i Atit, marrëdhënia intime që shijuan ata, zbulohet qartë në lutjen e shprehur nga Krishti në Mateun 11:27: “Çdo gjë m’u dha në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë”. Duke pasur parasysh afrimitetin e qartë të zbuluar në njohjen e ndërsjellë që Ati dhe Biri kanë për njëri-tjetrin, Jezusi me të drejtë i drejtohet atij si Atë dhe hap rrugën që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë.

Lidhja e lutjes

Jezusi, si ndërmjetës, na çon te Perëndia, por duke derdhur mbi ne Frymën e tij, në mënyrë që jeta jonë e lutjes të pasqyrojë të tijën, duke na lidhur me Atin tonë qiellor përmes Frymës së Shenjtë.

Përveç marrëdhënies unike të tij me Atin si Biri i Perëndisë, Jezusi i drejtohej atij si Atë edhe për shkak të pranisë së fuqishme të Frymës së Shenjtë që banonte brenda tij. Fryma nuk është vetëm e Atit (Mateu 10:20), por edhe e Birit (Galatasve 4:6). Fryma siguron lidhjen e Trinisë dhe, me të, bashkimin e dashurisë midis Atit dhe Birit. Prandaj, nuk duhet të habitemi që në shërbesën e tij tokësore si Perëndia-njeri, Mesia shfaqet si njeriu frymëror par excellence. Madje, Isaia e parashikoi këtë qindra vjet para lindjes së Krishtit:

Fryma e Zotit do të pushojë mbi të;
fryma e urtësisë dhe e zgjuarsisë,
fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë
dhe e frikës së Zotit. (Isaia 11:2; Isaia 42:1; 61:1)

Fryma e Shenjtë i qëndronte Krishtit si shoqërues i pandashëm tokësor dhe (tani akoma më tepër) qiellor. Ai ishte derdhur në zemrën e Krishtit që Krishti t’i drejtohej natyrshëm, shpesh dhe me gëzim Perëndisë si “Abba! Atë!” (Romakëve 8:15). Fryma dëshmonte për frymën e tij se ai ishte Biri i Perëndisë (krahaso me Romakëve 8:16). Fryma na dëshmon neve se jemi fëmijë të Perëndisë; por kjo është e vërtetë vetëm sepse Fryma vjen nga dora e Krishtit, i cili na mundëson të marrim pjesë në gëzimin që kishte ai si Biri i Perëndisë.

Jezusi, si ndërmjetës, na çon te Perëndia, por duke derdhur mbi ne Frymën e tij, në mënyrë që jeta jonë e lutjes të pasqyrojë të tijën.

Pa mundur t’i thërriste Perëndisë në këtë mënyrë, Krishti do të kishte përjetuar agoninë, acarimin dhe mjerimin më të thellë, veçanërisht për shkak të marrëdhënies së tij aq intime me Atin, do të kishte qenë në thelb një mohim i “atësisë”. Por meqë askush tjetër nuk mund të pohojë se është i vetëmlinduri prej Atit, Krishti pati gëzimin dhe privilegjin unik të zbulimit të Perëndisë për ata që u ndërgjegjësuan nga thirrja e tij mesianike.

Lutja trinitare

Çfarë na mëson Jezusi për lutjen? Jezusi në lutje na tregon Perëndinë. Por, më specifikisht, ne përballemi me një Perëndi triun, që na sjell te vetja e tij: ne i lutemi Atit tonë në emrin e Birit përmes fuqisë së Frymës. Lutja që nuk është trinitare, nuk është lutje e krishterë. Jezusi nuk na siguron vetëm një shembull të mrekullueshëm të pamjes së një jete lutjeje, por ndërmjetëson për ne, në mënyrë që ne të mund të ndjekim shembullin e tij “...me klithma të larta dhe me lot…” (Hebrenjve 5:7), në lutjet tona te një Perëndi që do të na dëgjojë edhe neve, për shkak të përulësisë sonë dhe për shkak se ai është Ati ynë që është në qiell.


Mark Jones ka shkruar librin The Prayers of Jesus: Listening to and Learning from Our Savior.


Mark Jones (PhD, Leiden Universiteit) shërben si pastor i kishës presbiteriane “Faith Vancouver” (PCA) në British Columbia, Kanada. Ai ka shkruar shumë libra, përfshirë Living for God dhe God Is, dhe ka mbajtur fjalime kudo nëpër botë mbi kristologjinë dhe jetën e krishterë. Marku dhe gruaja e tij, Barbara, kanë katër fëmijë.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-prayer/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?