what did jesus teach 2

Janar 2025  


Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi 

A është heshtja miratim?

Në një artikull të vitit 2012 për faqen e uebit Slate, Will Oremus bëri një pyetje provokuese: A ishte Jezusi homofob?1

Rasti që e nxiti këtë shkrim ishte një histori për një adoleshent homoseksual në Ohajo, i cili po e padiste gjimnazin e tij, pasi drejtuesit e shkollës ia ndaluan të veshë një bluzë ku shkruhej: “Jezusi nuk është homofob”.

Interesi i Oremusit nuk kishte të bënte me çështjet ligjore të historisë, por me saktësinë e asaj që shkruhej në bluzë. Oremusi sugjeron që pikëpamjet e Jezusit mbi homoseksualizmin ishin më pranuese sesa ato të Palit. Ai shkruan:

Megjithëse është e arsyeshme të supozosh që Jezusi bashkë me judenjtë e tjerë të Palestinës së shekullit I nuk do ta miratonin homoseksualizmin, nuk ka asnjë shënim që ai as ta ketë përmendur homoseksualizmin, aq më tepër të ketë shprehur neveri për të… Jezusi vetë nuk ofron asnjë ndalim të hapur të homoseksualizmit në asnjë vend në Bibël.

Oremusi duket se po sugjeron që, meqë Jezusi nuk e përmendi kurrë qartazi homoseksualizmin, nuk duket se ishte diçka që e shqetësonte.

Kjo pikëpamje është e dyshimtë për të paktën dy arsye.

Dy probleme

Në radhë të parë, ka shumë çështje etike për të cilat Jezusi nuk shprehu ndonjë pohim të qartë. Një vëzhgim i tillë nuk tregon se vizioni i tij moral është i veçuar nga këto çështje.

Jezusi nuk tha asnjëherë haptazi diçka lidhur me abortin, martesën brenda gjinisë apo ngacmimin fëminor. Por të dalësh nga ky fakt në përfundimin që mësimi i Jezusit nuk ka peshë për vlerësimin tonë etik të këtyre çështjeve, është diçka e pabesueshme.

Së dyti, Jezusi në fakt foli qartazi për imoralitetin seksual në përgjithësi dhe për natyrën e martesës. Ai të parën ai e dënoi (p.sh. Mateu 5:28, 15:19) dhe të dytën e përkufizoi sipas Zanafillës 2:24: “Për këtë arsye burri do të lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe do të jenë një mish i vetëm”. (Mateu 19:5; paralel me Marku 10:7-8)

Jezusi pohoi që bashkimi në besëlidhje i një burri dhe një gruaje është e vetmja shprehje normative e seksualizmit njerëzor. Është e pabesueshme të sugjerosh që nga këto fjalë të Jezusit nuk kanë peshë për çështjen e homoseksualizmit. Kanë peshë me patjetër.

Jezusi pohoi që bashkimi në besëlidhje i një burri dhe një gruaje është e vetmja shprehje normative e seksualizmit njerëzor.

Jezusi kundër Palit

Pra, Oremusi ka keqkuptuar domethënien e mësimit të Jezusit mbi çështjen homoseksuale. Megjithatë, ai vijon të krahasojë qëndrimin e Jezusit me atë të apostullit Pal. Ai shkruan:

Edhe nëse Jezusi e do ta shihte homoseksualizmin si mëkat, e kishte dobësi shoqërimin me mëkatarët, nuk i shmangte ata... Mirëpo jo të gjithë ndjekësit e Jezusit kishin një pikëpamje kaq të butë. Te Romakëve 1, Pali e dënoi homoseksualizmin si të panatyrshëm — si shembull të neveritshëm të rënies pagane — dhe tha se do të sillte zemërimin e Perëndisë.

Këtu kemi një variant të dyluftimit hermeneutik, aq popullor sot — pikëpamja se Jezusi dhe Pali kanë dallime themelore për një sërë çështjesh etike.

Nga njëra anë, kemi Jezusin: paqedashës, armikfalës, mbështetës i barazisë dhe përfshirjes së homoseksualëve.

Nga ana tjetër, kemi Palin: luftëdashës, mbështetës i dënimit me vdekje, patriarkal dhe përjashtues i homoseksualëve.

Ndërsa Jezusi ishte i mbushur me dashuri dhe tolerancë, Pali fliste për “zemërim” dhe intolerancë. Dhe kështu duket se vërtetohet slogani i bluzës së të riut. Pavarësisht prapambetjes të tipave si Pali, Jezusi nuk ishte një homofob.

Dyluftim fals

Ata që organizojnë dyluftime të tilla hermeneutike, mes Palit dhe Jezusit, po organizojnë një kundërvënie që as Jezusi, as Pali nuk do ta toleronin kurrë. Kjo qasje e nënçmon pohimin e Dhiatës së Re për të qenë bazë normative etike, duke i bërë germat e zeza si më pak autoritare sesa të kuqet.

Në fund të ditës, argumenti nuk ka të bëjë me ngjyrën e germave, por me natyrën e Shkrimit. Ata që dëshirojnë të themelojnë autoritetin biblik afatgjatë do ta shmangin qasjen e dyluftimit. Dhe ata që vërtet dëshirojnë të jenë të krishterë, që respektojnë germat e kuqe, do t’i dëgjojnë fjalët e Palit dhe autorëve të tjerë apostolikë të Shkrimit, si fjalë të vetë Krishtit.


Ky artikull është marrë nga libri What Is the Meaning of Sex? i autorit Denny Burk.


Shënime:
1. Will Oremus, “Wait, Was Jesus a Homophobe?” Slate, 9, 2012


Denny Burk (PhD, seminari teologjik Southern Baptist) është profesor i studimeve biblike të kolegjit “Boyce”, fakulteti i nivelit të parë të studimeve në seminarin teologjik “Southern Baptist”. Është edhe pastor i asociuar në kishën “Kenwood Baptist Church” në qytetin Louisville, Kentaki. Burk redakton revistën The Journal for Biblical Manhood & Womanhood dhe është folës e shkrimtar mbi çështjet e gjinisë dhe seksualitetit. Shkruan rregullisht në faqen e internetit DennyBurk.com.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-does-jesus-think-about-homosexuality/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?
I dashur pastor, shmange kurthin që do ta hedhë poshtë shërbesën tënde
A është e ndaluar që të krishterët të kenë tatuazhe? (Levitiku 19)