Dhjetor 2024
Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi
Jezusi: teologu i madh i ferrit
Mund të duket e habitshme, por asnjë folës biblik nuk e nënvizon ferrin si pasojën përfundimtare të gjykimit dënues të Perëndisë, aq sa Jezusi. Biri i Perëndisë ishte teologu i madh i ferrit.
Megjithatë, të krishterët nuk duhet të habiten që Krishti flet më shumë për ferrin sesa kushdo tjetër. Jezusi ishte ai që e krahasoi ferrin me luginën e Hinomit pranë Jerusalemit (e quajtur edhe Gehena), një plehërishte gjigante publike ku mbeturinat dhe të vdekurit digjeshin në flakë të vazhdueshme; kështu “Gehena” mbeti si një emërtim për ferrin. Jezusi e krahasoi ferrin me një burg dhe errësirë të jashtme. Në të paktën njëzet raste të ndryshme, ai e përngjasoi ferrin me një “zjarr”.
Llazari dhe i humburi pasanik
Teksti kryesor nga fjalët e Jezusit për ferrin gjendet te Luka 16:19–31. Konteksti më i gjerë i këtij mësimi lidhet me abuzimin e pasurisë. Mirëpo, duke përshkruar kontekstin e përtejshëm të këtij mësimi, Krishti zgjeroi doktrinën e ferrit. Pasazhi ka të bëjë me një të pasur që u bë më i humburi për shkak të kënaqësisë në pasurinë e tij, duke injoruar besimin e vërtetë te Perëndia dhe shërbimin ndaj njerëzimit, derisa e gjeti veten në ferr për egoizmin e tij të paperëndishëm.
Ky pasazh ngjan shumë si shëmbëlltyrë, por nuk cilësohet veçanërisht si i tillë. Në këtë tekst, synimi primar i Jezusit nuk është të përshkruajë detajet e jetës së përtejme të një jobesimtari, por na ofron vërtet një këndvështrim të brendshëm të ferrit, duke përmbledhur detaje të rëndësishme lidhur me atë që mësojmë gjetiu për këtë temë.
Pa kthim pas
Një parim themelor që Jezusi mësoi në mësimin për pasanikun dhe Llazarin ishte që ferri nuk ka kthim pas. Ati Abraham ia thotë atij që dridhet nga vuajtjet pse gjendja e tij nuk mund të tjetërsohet: “...midis nesh e jush është vendosur një humnerë e madhe, që ata që duan të kalonjnë që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne” (Luka 16:26).
Humnera midis qiellit të përjetshëm dhe ferrit të përjetshëm është bërë i patjetërsueshëm me anë të dekretit të përjetshëm të Perëndisë. Fjala “vendosur” te Luka 16:26 ka pak a shumë të njëjtin kuptim si shprehja jonë “e shkruar në gur”.
Humnera midis qiellit të përjetshëm dhe ferrit të përjetshëm është bërë i patjetërsueshëm me anë të dekretit të përjetshëm të Perëndisë.
Luka 16 dëshmon që kur një jobesimtar ndërgjegjësohet për këtë realitet tragjik menjëherë pas vdekjes së tij, tashmë është tepër vonë të përulet para ungjillit të Krishtit dhe të kryqit, që e ka refuzuar qindra apo mijëra herë; është tepër vonë për të besuar në Jezusin si Zot; është tepër vonë të përgjërohesh për mëshirë hyjnore.
Shkrimi ia ofron mundësinë e hirit çdo qenieje njerëzore në të gjithë jetën e tij. Dëgjojmë te 2 e Pjetrit 3:9 për durimin e madh të Zotit: “...sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim”. Megjithatë njerëzit do të humbasin pa e njohur Krishtin — sapo të kenë kaluar derën e vdekjes.
Paralajmërimi i mjaftueshëm
Një tjetër parim që mëson Jezusi te Luka 16:27–30 është që Fjala e Perëndisë i jep njerëzimit paralajmërimin e mjaftueshëm për si ta shmangin ferrin. Pasaniku e kuptoi këtë kur ilaçi nuk mund ta ndihmonte më atë personalisht. Ai përjetoi impulsin e tij të parë altruist teksa u përgjërua që një lajmëtar të paralajmëronte familjen e tij që ta shmangnin gjendjen e tij.
Por atij i thuhet që dëshmitë e Moisiut dhe profetëve u janë paraqitur të gjithë njerëzve të gjallë (v. 29). Fjala e zbuluar e Perëndisë mund t’i tregojë njerëzve që ne të gjithë kemi nevojë të mësojmë për mëkatin tonë dhe hirin e Shpengimtarit. Te Luka 11:28, Jezusi shpalli: “Lum më tepër ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë!”. Mos e lini t’ju shpëtojë ironia e jashtëzakonshme këtu. Pasaniku mendonte që nevojitej diçka më shumë se Fjala e Perëndisë — mbase një shenjë e mrekullueshme. Ai shkoi aq larg sa ta predikonte atë lloj mrekullie që do të komunikonte më mirë se Fjala e shkruar e Perëndisë: dikush që kthehet nga vdekja, duke tërhequr një vëmendje të gjerë publike. Çfarë marrëzie!
Pa kaluar shumë kohë pasi mësoi këtë mësim të ungjillit, i njëjti Jezus që flet te Luka 16 u ngjall prej së vdekurish. Dhe cili ishte rezultati i kësaj? Një numër i vogël njerëzisht në rrethinat e Jerusalemit e përqafuan si Zotin e tyre të gjallë. Megjithatë, shumica u tallën dhe iu kthyen leximit të lajmeve sportive apo çmimeve në bursë për të parë të rejat e tjera të ditës.
Mosbesimi është i vendosur të mos i vlerësojë provat historike për Krishtin. Ai vetë, që iu tha se një familje me siguri do t’i përgjigjej mrekullisë së mbinatyrshme të një lajmëtari të ngjallur nga vdekja, u bë vetë ai lajmëtar i mrekullueshëm. Dhe ai ende refuzohet.
Vetëm lajm i keq?
Le ta zëmë se Bibla nuk do të na thoshte asgjë lidhur me ferrin. A mos do ta bënte kjo Shkrimin e Shenjtë më “të dashur” apo të dhembshur? Vallë fshehja e të vërtetave të pakëndshme tregon se merakosemi vërtet për fatet e të tjerëve? Te Luka 16, ne gjejmë folësin unik që lajmëroi me shumë këmbëngulje alternativën fatkeqe të ferrit, përkundrejt shpëtimit të hirshëm hyjnor; ky është i njëjti Zot që vdiq dhe u ringjall për të na shpëtuar nga ai fat.
Shkrimi është i vendosur: nuk ka rrugëdalje nga ferri. Mirëpo, ungjilli i dashurisë dhe mëshirës së Perëndisë tregon rrugën e vetme të shpëtimit, para se të jetë tepër vonë. Jezusi e tha te Gjoni 5:24: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë”.
Sa premtim i mrekullueshëm! Por Jezusi shpalli i vendosur që mund të kalosh nga vdekja në jetë vetëm sa je gjallë, pa hyrë në dhomën e pakthyeshme të mallkimit të papërshkrueshëm.
Kjo do të thotë se ajo që ti bën me Krishtin tani, ka rëndësi të përjetshme.
Michael Allen Rogers (DMin, seminari teologjik Westminster) ka qenë pastori kryesor në kishën presbiteriane “Westminster” (pjesë e kishës presbiteriane në Amerikë) në Lancaster të Pensilvanisë, SHBA, që nga viti 1994, dhe është autor i librit “Pagëzimi dhe besëlidhja e hirit” (Baptism and the Covenant of Grace).
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-hell/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2024