Çfarë mësoi jezusi në lidhje me familjen

Shkurt 2025  


Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi 

Thirrje për braktisje

Megjithëse Jezusi e pohoi martesën dhe i bekoi fëmijët, koncepti i tij për bashkësinë e besimtarëve përshkruhet me terma familjare që i tejkalonin marrëdhëniet e natyrore të njerëzve.1 Ky është një nga aspektet më mbresëlënëse, më dalluese dhe më qendrore të thirrjes së Jezusit për të qenë dishepuj.2 Siç e thotë ai vetë: “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren atin e vet dhe nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im”.3 Sikurse përcaktonte parashikimi në Dhiatën e Vjetër, Jezusi nuk erdhi për të sjellë paqe, por një shpatë: “Mos mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Sepse erdha ta ndaj njeriun nga ati i tij, dhe bijën nga nëna e saj, dhe nusen nga vjehrra e saj, dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet” (Mateu 10:34–36).

Jezusi e dinte nga përvoja e tij personale që refuzimi frymëror vjen edhe nga familja e e gjakut (Marku 3:21; 6:1–6; Gjoni 7:1–9) dhe pohoi se besnikëria parësore e tij dhe e ndjekësve të tij duhet të jetë Perëndia Atë (Luka 2:49; Marku 3:31–35). Ishte diçka e pritshme për ndjekësit e parë të Jezusit që t’i linin pas, edhe në kuptimin e parë të fjalës, familjet e tyre biologjike, të paktën gjatë tre viteve të shërbesës tokësore të Jezusit (ndonëse në vazhdim duket se dishepujt vijuan normalitetin në marrëdhëniet familjare, 1 e Korintasve 9:5). Kjo qartësohet nga ajo që mbase është tregimi më i hershëm i thirrjes së dishepujve prej Jezusit në Ungjillin sipas Markut, ku ai thërret Simonin, Andrean vëllanë e tij, dhe bijtë e Zebedeut, dhe këta peshkatarë e lënë thirrjen e tyre të natyrshme dhe kontekstet familjare për të ndjekur Jezusin (Marku 1:16–20 par. Mateu 4:18–22; krah. me Luka 5:2–11).

Ata që i rezistojnë thirrjes së Jezusit për të qenë dishepuj, shpeshherë nuk janë të gatshëm të braktisin lidhjet e tyre natyrore për hir të besnikërisë totale ndaj Jezusit. Luka shënon një seri prej tri rastesh të tilla, ku dishepuj të mundshëm të Jezusit nuk janë të gatshëm ta ndjekin në mënyrë të pakushtëzuar, dhe kthehen pas, si iu thuhen përkatësisht këto fjalë: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku të mbështesë kryet”, “Lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë”, dhe “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë” (Luka 9:58, 60, 62; krah. me Mateu 8:19–22).

Dorëheqja nga lidhjet familjare

Të tre ungjijtë sinoptikë shënojnë edhe rastin e një të riu pasanik që nuk ishte i gatshëm të linte pas pasurinë e tij për të ndjekur Jezusin, refuzim ky që bën kontrastin me përkushtimin e pakushtëzuar të dishepujve ndaj mjeshtrit të tyre (Marku 10:17-31, par. Mateu 19:16-30; Luka 18:18-30). Në përgjigje të pohimit të Pjetrit se ai me dishepujt e tjerë kanë lënë gjithçka për ta ndjekur atë, Jezusi premton: “...nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit, a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe të ungjillit, që të mos marrë tani, në këtë botë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekjet, dhe në botën e ardhshme, jetë të përjetshme. Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe të fundit të parët” (Marku 10:29-31).

Vetë Jezusi jep shembull të kësaj duke e mënjanuar vazhdimisht familjen e tij biologjike kur ajo mund të binte ndesh me besnikëritë më të larta frymërore.4 Prandaj Jezusi dymbëdhjetë-vjeçar iu përgjigj prindërve të tij i shqetësuar: “Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Luka 2:49). Më vonë Jezusi qorton së pari të ëmën dhe pastaj vëllezërit që nuk arrinin të kuptonin radhën hyjnore të shërbesës së tij (Gjoni 2:4; 7:6-8).

Ai refuzoi sërish të tërhiqet brenda kufijve të marrëdhënieve të tij natyrore kur familja e tij e shqetësuar shkoi ta kërkojë, e frikësuar se mos lodhja nga shërbesa e tij e ngarkuar e ka bërë të luajë mendsh. Kur i thanë që familja po e priste përjashta, u kthye me pyetjen dramatike: “Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?”. Dhe pyetjes së vet iu përgjigj duke i parë ata të ulur rreth tij dhe shpalli: “Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi! Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!” (Marku 3:31-35, shihni dhe Marku 3:20-21). Duket se me kalimin e kohës, nëna e Jezusit dhe (të paktën disa nga) vëllezërit e tij, e pranuan vërtet që edhe ata duhet t’i nënshtrojnë pretendimet e tyre familjare ndaj besnikërisë ndaj Jezusit si Shpëtimtari dhe Zoti i tyre (p.sh. Veprat 1:14; shih edhe Luka 1:46-47).5

Konteksti i mëtejshëm i farefisit

Ka dhe më shumë shembuj të tjerë (krah. Luka 11:27-28; Gjoni 19:26-27), por rrjedhojat e mësimit të Jezusit mbi dishepullimin janë të qarta. Në vend të shpalljes së një ungjilli që i bën besimtarët ta kenë martesën dhe familjen6 prioritetin kryesor — sado rol jetik që të kenë këto në qëllimet e Perëndisë për njerëzimin — Jezusi i vendos lidhjet e natyrshme farefisnore në kontekstin e mëtejshëm të mbretërisë së Perëndisë.7 Prandaj, sado që Jezusi i pohoi marrëdhëniet e natyrshme, siç është institucioni hyjnor i martesës dhe detyra për të nderuar prindërit (Marku 10:8-9, 19), ai e pranoi si më të lartë thirrjen për të qenë dishepull. Përkushtimi ndaj së vërtetës mund të çojë në përçarje, jo në paqe, të familjes së natyrshme (Mateu 10:34), dhe në këtë rast duhet të marrë përparësi ndjekja e Jezusit (Luka 9:57-62).8

Ndërsa Jezusi i vendosi detyrimet e njerëzve brenda kornizës më të gjerë të mbretërisë së Perëndisë,9 kjo gjithsesi nuk duhet të merret sikur të krishterët mund t’i neglizhojnë përgjegjësitë e tyre familjare. Siç shkruan më vonë Pali: “Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar” (1 e Timoteut 5:8). Është e qartë se prania fizike e Jezusit në tokë dhe tre vitet e shërbesës së tij publike kërkonin një ndjekje fizike të pakushtëzuar të mjeshtrit në një mënyrë unike. Njëkohësisht, parimi frymëror i ndjekjes së Jezusit duhet të jetë prioriteti i parë i të krishterit dhe kur ky parim e çon individin në konflikt me detyrimet e familjes fizike, ai duhet të ndjekë më së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij (Mateu 6:33).


Shënime:
1. Kini parasysh që Hugenberger-u e dallon këtë si provë që martesa është besëlidhje; shihni Gordon P. Hugenberger, Marriage as a Covenant: Biblical Law and Ethics as Developed from Malachi (Grand Rapids: Baker, 1998), 176–81. Për materiale interesante shtesë, shihni Joseph H. Hellerman, The Ancient Church as Family (Minneapolis: Fortress, 2001).
2. Vëreni konkluzionin e Stephen C. Barton-it, Discipleship and Family Ties in Mark and Matthew (Cambridge: Cambridge University Press, 1994), 56, që “ka një precedent të fortë për “armiqësinë” në dukje të familjes dhe dishepullimin në kontekstin e Jezusit tek ungjijtë”, duke treguar për judaizmin nga familja e Abrahamit e më tutje, për dorëheqjen nga jeta familjare në Qumran (siç tregohet e idealizuar nga Filoja dhe Jozefusi), dhe komunitetet “Therapeutae” (Filo). Por shihni dhe kritikën e dalluar nga John Barclay në Studies in Christian Ethics 9, nr. 1 (1996): 47–50.
3. Luka 1:26; krah. Mateu 10:37: “...që e do të atin ose nënën [birin ose bijën] më shumë se mua...”
4. Krah.  me trajtimin krijues dhe sugjerues të Cynthia Long Westfall-it, “Family in the Gospels and Acts,” në vëllimin Family in the Bible, red. Richard S. Hess dhe M. Daniel Carroll R. (Grand Rapids: Baker, 2003), 125–47, që diskuton lidhjet familjare të Jezusit nën rubrikat “Maria nëna e pamartuar”, “Njerku Jozef”, “Jezusi biri i paligjshëm” dhe “zëvendësimi i famijes së Jezusit”, krejt eseja e së cilës fokusohet pothuajse ekskluzivisht në identitetin e Jezusit dhe eksperiencën e tij të familjes së tij tokësore.
5. Cilësimi i Francis-it në Veprat 1:14 “ripohim i lidhjeve familjare” (në një ese që përveç kësaj është e shkëlqyer) nuk na bën përshtypje, në vëllimin “Children and Childhood in the New Testament,” 81. 6. Kr. Rodney Clapp, Families at the Crossroads: Beyond Traditional and Modern Options (Leicester; Downers Grove: InterVarsity, 1993); dhe kritika në Stephen C. Barton, “Biblical Hermeneutics and the Family,” Family in Theological Perspective, 10–16; si dhe Nicholas Peter Harvey, “Christianity against and for the Family,” Studies in Christian Ethics 9, no. 1 (1996): 34–39; dhe përgjigjen nga Linda Woodhead-i po aty, 40–46.
7. Kr. Barton, Discipleship and Family Ties.
8. Kr. Stephen C. Barton, “Family,” Dictionary of Jesus and the Gospels, red. Joel B. Green, Scot McKnight, dhe I. Howard Marshall (Downers Grove: InterVarsity, 1992), 226–29.
9. Sado që Westfall-i, “Family in the Gospels and Acts,” 146, mund ta ekzagjerojë dikotominë aty kur thotë: “Mirëpo Jezusi nuk deshi që familja të ishte institucioni më i rëndësishëm në tokë apo njësia qendrore e identitetit dhe qëllimit të krishterë”.


Ky artikull është përshtatur nga libri God, Marriage, and Family: Rebuilding the Biblical Foundation nga Andreas J. Köstenberger dhe David W. Jones.


David W. Jones shërben si profesor i etikës së krishterë, drejtor i programit “Master në Teologji” dhe dekan i asociuar për administrimin e programit të masterit në seminarin teologjik Southeastern Baptist. Jones ka shkruar gjithashtu artikuj për publikime të ndryshme akademike dhe ka folur rregullisht në kisha, shërbesa e konferenca të krishtera. Për momentin banon pranë qytetit Raleigh, Karolinën e Veriut, me gruan dhe pesë fëmijët e tyre.

Andreas J. Köstenberger (PhD, Trinity Evangelical Divinity School) është teolog për organizatën Fellowship Raleigh, bashkëthemelues i “Biblical Foundations” dhe shkrimtar, redaktor dhe përkthyes i mbi gjashtëdhjetë librave. Ai dhe e shoqja, Marny, kanë katër fëmijë të rritur dhe jetojnë në Karolinën e Veriut.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-family/

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa

Autori


Postime të ngjashme

Virusi Korona dhe Krishti
Çfarë është ungjillëzimi?