Janar 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi
Ruajuni nga i ligu
Një nga titujt më të zakonshëm me të cilin njerëzit i drejtoheshin Jezusit ishte “mësues”; dhe i tillë ai ishte.1 Madje ai u vetëpërcaktua si i tillë te Gjoni 13:13 gjatë diskutimit në dhomën e sipërme: “Ju më quani Mësues [ho didaskalos, “Mësuesi”] dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam”. Tema e mësimit të Jezusit që nga fillimi i shërbesës së tij publike (Marku 1:14–15), ishte mbretëria e Perëndisë. Ndërsa mësonte për mbretërinë, ai mësoi të jemi të ndërgjegjshëm për të ligun. Perëndia dhe njerëzimi kanë një armik. Ky armik duhet njohur. Në shëmbëlltyrën e famshme të mbjellësit dhe farës, për shembull, Satani është ai që i rrëmben farat e mbretërisë përpara se të zënë rrënjë në jetën e dëgjuesit (Marku 4:15). Edhe në shëmbëlltyrën e egjrës te Mateu 13:24-30, Jezusi flet për një armik që mbjell egjër në mes të grurit dhe, duke shpjeguar te vargjet 36-43, Jezusi e identifikon armikun si “i ligu”, “djalli” (veçanërisht Mateu 13:38-39).
Në shëmbëlltyrën e deleve dhe të dhive, ne mësojmë që zjarri i përjetshëm (to pur to aiōnio) është për djallin dhe engjëjt e tij (Mateu 25:41). Por Jezusi mund të mësonte për këtë edhe më drejtpërsëdrejti sesa përmes shëmbëlltyrës. Sipas studiuesit N. T. Wright, Jezusi ishte duke folur për Satanin kur i paralajmëroi të Dymbëdhjetët te Mateu 10:28: “Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; por kini frikë më tepër nga ai që mund t’jua humbë edhe shpirtin, edhe trupin në ferr”.2
Megjithatë, kjo duket e pamundur! Megjithëse Jezusi i referohet Beelzebubit dhe shërbyesve të tij te Mateu 10:25, në vargun 26 ai i udhëzon dishepujt edhe që të mos kenë frikë prej tyre, por prej Perëndisë duhet të kenë frikë.3 Në një rast, Jezusi përshkroi një grup farisenjsh dhe mësuesish të ligjit si “një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës” (Mateu 12:39). Ai i paralajmëroi që fati i tyre mund të bëhej shumë më i keq sesa ishte për momentin. U tregoi për një njeri prej të cilit doli një frymë e ndyrë. Por çka e zëvendësoi atë frymë të larguar ishin edhe shtatë të tjera më të liga se e para. Këtë situatë ai e krahasoi me një shtëpi të boshatisur që u zaptua nga banorë edhe më të ligj (Mateu 12:43–45).4
Ajo që ne besojmë vërtet duket në jetën tonë të lutjes.
Lutuni për mbrojtje
Jezusi u mëson njerëzve edhe që janë objekte të trazirave të Satanit. Pjetri është një shembull i përshtatshëm për këtë (Luka 22:31-32): “...Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë [hymas, “ju”, shumës] ashtu siç shoshet gruri. Por unë jam lutur për ty [sou, njëjës], që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të kthehesh, forco vëllezërit e tu.”5 Shprehja e vjetër thotë lex orandi lex credendi, domethënë që ligji i lutjes është ligji i besimit. Ajo që ne besojmë vërtet duket në jetën tonë të lutjes. Teologjia që ne pretendojmë se kemi mund të thotë një gjë, por teologjia që ne veprojmë (praktikat tona të perëndishme, apo mungesa e tyre) mund të thonë diçka tjetër. Jezusi na mësoi të jemi të ndërgjegjshëm për të ligun në lutjen “Ati ynë” (Mateu 6:13): “Dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu…”.
Sidoqoftë, na kërkohet të jemi të ndërgjegjshëm për të ligun. Jezusi e praktikoi atë që predikoi duke u lutur për ruajtjen e besimit të Pjetrit (Luka 22:31–32). Ai e praktikoi atë që predikoi edhe në kopshtin e Gjetsemanit. Dhe në lutjen e tij “kryepriftërore” te Gjoni 17, ai u lut për dishepujt e tij (v. 15): “Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i ruash nga i ligu”. Jezusi e dinte që ndjekësit e tij kishin nevojë për mbrojtje hyjnore dhe, si kryeprifti i madh, ai jeton përjetë që të ndërmjetësojë për ta (Hebrenjve 4:14–16 dhe Hebrenjve 7:23–25).
Mposhtja finale pritet të ndodhë
Mishërimi i Krishtit pati shumë arsye. Një ndër kryesoret ishte mposhtja e djallit. Siç e kemi parë, mposhtja e djallit përfshinte edhe bindjen aktive të Krishtit (jetën e tij) edhe bindjen e tij pasive (vdekjen e tij). Jeta dhe vdekja e tij, nga njëra anë janë çelësat e shpëtimit tonë dhe nga ana tjetër janë mposhtja e errësirës. Jezusi bëri vullnetin e Atit. Ai u rezistoi tundimeve djallëzore në shkretëtirë dhe kësisoj u vërtetua si Adami besnik dhe Izraeli besnik. Ndërsa ata dy bij dështuan, ky bir mbeti i bindur deri në fund. Ai jetoi me anë të çdo fjale që doli nga goja e Perëndisë. Dhe e sulmoi errësirën e djallit, duke kryer ekzorcizëm me urdhrin e fjalës së tij. Edhe ai i mësoi dëgjuesit për djallin dhe rrugët e tij. Ai, si të thuash, e bëri errësirën të dukshme.
Kur erdhi drita e botës, errësira iu ngrit kundër. Mbi të gjitha, duke qenë mbi kryq në bindjen e tij pasive (të vuajtjes), Jezusi mbarti dënimin për ne dhe duke e bërë këtë, e zgjidhi frikën tonë për vdekjen që, e analizuar, ka të bëjë me gjykimin që e pason atë. Nuk ka më dënim për ata që janë në Krishtin Jezus, siç mësoi Pali te Romakëve (8:1), as ndarje nga dashuria e Krishtit (Romakëve 8:38–39). As ka më baza për akuza djallëzore kundër të zgjedhurve të Perëndisë (Romakëve 8:33–34). Krishti, në vdekjen e tij shlyese dhe zëvendësuese e zgjidhi edhe këtë. Pali e bën përsëri të qartë këtë edhe te Romakëve dhe te Kolosianëve. Mirëpo mposhtja finale e djallit dhe demonëve të tij pritet të ndodhë në fund. I krishteri jeton midis kryqit dhe rikthimit të fitimtarit.
Ky artikull është përshtatur nga libri Against the Darkness: The Doctrine of Angels, Satan, and Demons i autorit Graham A. Cole.
Shënime:
- Ungjilli i Gjonit e tregon këtë titull më shumë se një herë. Rabbi gjendet te Gjoni 1:38, 49; 3:2; 6:25; dhe “Mësues” te Gjoni 3:2 (didaskalos). “Mësues” u përdor shpesh në tregimin e Mateut të javës së kryqëzimit. Farisenjtë dhe herodianët te Mateu 22:16 iu drejtuan Jezusit si “Mësues” (didaskale), ashtu edhe saducenjtë te Mateu 22:24, edhe shkruesi farise te Mateu 22:36.
- N. T. Wright, Jesus and the Victory of God, 454–455.
- Mësoni më shumë për këtë pikëpamje nga R. T. France, Matthew, TNTC (Downers Grove, IL: IVP Academic, 2008), 189.
- N. T. Wright, Jesus and the Victory of God, 456, argumenton që shtëpia që ka parasysh këtu ësthë tempulli. Lëvizjet revolucionare siç ishte ajo e makabenjve e pastruan shtëpinë (tempullin) për njëfarë kohe, por ajo doli të ishte vetëm një prej shumë përpjekjesh të tilla. Sugjerim mbresëlënës, por në fund nuk është aq bindës.
- Është interesante të vërehet që Satanit i duhet të marrë leje prej Perëndisë për ta shoshitur Pjetrin si gruri. Pushteti i Satanit është i kufizuar. Madje, fjalët e Jezusit zbulojnë që Perëndia është objekti i një kërkese nga Satani dhe i një lutjeje nga Jezusi.
Graham A. Cole (ThD, Australian College of Theology) është dekan emeritus dhe profesor emeritus i teologjisë biblike dhe sistematike në shkollën Trinity Evangelical Divinity. Ai ka shërbyer në dy famulli si shërbesëtar i shuguruar anglikan dhe ka qenë drejtor i shkollës Ridley College. Grahami jeton në Australi me të shoqen, Jules.
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-the-devil-and-demons/
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025