Janar 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi
Çfarë tha Jezusi
Pavarësisht faktit që ligji i Moisiut përmbante lehtësira të kufizuara lidhur me divorcin, Dhiata e Vjetër e bën të qartë se divorci nuk e arrin idealin e Perëndisë (Malakia 2:16). Ndaj nuk është për t’u habitur që Jezusi, kur u pyet lidhur me divorcin dhe rimartesën, i ktheu dëgjuesit e tij në fillim fare, duke u kujtuar atyre që Perëndia e krijoi njerëzimin si mashkull dhe femër (Zanafilla 1:27) dhe përcaktoi që burri, kur martohet, duhet të lerë pas atin dhe nënën e vet, dhe të bashkohet me gruan e vet (Zanafilla 2:24) në një bashkim si një mish i vetëm para Perëndisë, që nuk duhet ndarë nga njeriu: “...Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm; atë, pra, që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë” (Mateu 19:4-6; Marku 10:8-9).
Reagimi i dëgjuesve të Jezusit e tregon qartë që ata mendonin se lehtësirat e Moisiut i shfuqizonin qëllimet fillestare të Perëndisë në krijim. Duke pasur parasysh terrenin teologjik të kohës së tyre, ata nuk mund të mendonin për arsye tjetër përse kishte lejime të divorcit në ligjin e Moisiut (Ligji i Përtërirë 24:1-4). Mirëpo, sipas Jezusit, statutet e Moisiut u ndërfutën, jo për ta zëvendësuar synimin fillestar të Krijuesit, por thjesht për të pranuar realitetin e zemrës së ngurtë njerëzore (Mateu 19:7-8; Marku 10:5; shih Mateu 5:31-32). Në fakt, synimi i martesës ishte bashkimi besnik i një burri dhe një gruaje për gjithë jetën.
Reagimi i dishepujve
Duke e kuptuar standardin e lartë që Jezusi ka vendosur dhe duke e vlerësuar si tepër strikt, ndjekësit e tij të parë thanë: “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, nuk ia leverdis të martohesh” Mateu 19:10. Jezusi, duke e mënjanuar kundërshtimin e tyre, përgjigjet se disa e kanë vërtet dhuntinë e beqarisë (Mateu 19:11-12), ideali fillestar i Perëndisë për martesën qëndron. Disa argumentojnë se përgjigjja e dishepujve tregon se standardi i Jezusit duhet të ketë qenë edhe më i rreptë sesa pikëpamja e Shamait për “divorc në rast kurorëshkeljeje”, se reagimi i dishepujve vërteton një pikëpamje të Jezusit që nuk e lejon divorcin po të jetë konsumuar martesa.1
Mirëpo argumentet e mësipërme nuk të çojnë gjëkundi, veçanërisht për faktin se reagimi i dishepujve ndikohej me siguri nga konteksti dhe presupozimet e tyre. Si shumë nga bashkëkohësit e tyre judenj, ndjekësit e Jezusit mund të merrnin të mirëqenë një standard dorëlëshuar — mbase supozonin që standardi i Jezusit ishte edhe më dorëlëshuar, për shkak të dhembshurisë që tregoi ndaj gruas kurorëshkelëse të përmendur te Gjoni 7:53-8:11 — dhe si rrjedhojë, reaguan ndaj prononcimit aq të rreptë të Jezusit. Për më tepër, teksa judaizmi i asokohe e kërkonte divorcin në rastin e imoralitetit seksual, teksti duket se tregon që Jezusi thjesht e lejonte atë (duke nënkuptuar kësisoj nevojën për falje). Reagimi i llahtarshëm i dishepujve të Jezusit ndaj mësimit të tij te Mateu 19, mund të shpjegohet, sepse standardi i Jezusit lidhur me divorcin ishte edhe më i lartë se shkolla konservatore Shamai.2
Klauzola e përjashtimit
Është diskutuar shumë për të vetmin përjashtim që Jezusi duket se bën në lejimin e divorcit. Ky përjashtim, i përmendur edhe te Mateu 5:32, edhe te 19:9, përcakton që divorci është i paligjshëm “përveç tradhtisë bashkëshortore” (Versioni “Së bashku”) apo “kurvërisë” (Versioni “ABS”). Tekstet paralele te Marku 10:11-12 dhe Luka 16:18 nuk e përmendin përjashtimin, gjë që ka bërë disa të diskutojnë se Jezusi në fakt nuk e ka bërë këtë përjashtim, por Mateu (apo dikush tjetër) e shtoi atë më vonë. Edhe sikur të ishte kështu (gjë së nuk ka gjasa), klauzola e përjashtimit do të mbetej pjesë e Shkrimit të pagabueshëm e të frymëzuar dhe, kësisoj, autoritar për të krishterët sot.
Ndër ata që besojnë se fjalët e përjashtimit dolën nga goja e Jezusit, disa orvaten ta përputhin klauzolën përjashtuese të Mateut me pohimin absolut te Marku, Luka dhe Pali, duke thënë se këto janë pasazhet përfundimtare që duhen marrë parasysh, jo Mateu. Të tjerët hezitojnë ta nënshtrojnë përjashtimin e Mateut nën pohimet absolute të Markut, Lukës dhe Palit, dhe argumentojnë se të dyja pasazhet duhen studiuar veçmas për ta vlerësuar mësimin e Jezusit për çështjen në fjalë.
Incidenti i shënuar te Mateu 19:3-12 e ka pikënisjen me pyetjen e farisenjve: “A është e lejueshme që burri ta lërë gruan e tij për një shkak çfarëdo?” (Versioni “Së bashku”: “për çfarëdolloj shkaku”, Mateu 19:3, shih Mateu 5:31).3 Ashtu si në rastet e tjera, kundërshtarët e Jezusit duan ta tërheqin atë në ndonjë kontradiktë ose i parashtrojnë një dilemë në dukje që të zgjedhë midis dy këndvështrimeve të kundërta. Vërtet, fjalët “për ta tunduar” te Mateu 19:3 (shih Marku 10:2) tregojnë që drejtuesit fetarë po përpiqeshin ta detyronin Jezusin të zgjidhte midis shkollave konkurruese teologjike, si dhe ta fusnin në telashe me Herod Antipën, sikurse vuajti Gjon Pagëzori për denoncimin e bashkimit të paligjshëm të Herodit me Herodiadën, gruan e vëllait të tij Filip (shih Mateu 4:12; Mateu 11:2–3; Mateu 14:3–4; Marku 6:14–29).4
Synimi i martesës ishte bashkimi besnik i një burri dhe një gruaje për gjithë jetën.
Pra, pyetja e farisenjve ka të bëjë me pikëpamjet e shkollave të ndryshme rabinike të kohës së Jezusit, siç e diskutuam më sipër. Duke e marrë të mirëqenë se fjalët e “klauzolës së përjashtimit” janë të Jezusit vetë, sa përputhet dhe sa dallon Jezusi nga shkollat rabinike të kohës së tij? Pikëpamja e Jezusit ishte pafundësisht më e rreptë sesa ajo e mbrojtur nga shkolla e Hillelit, e cila besonte se divorci lejohej për “për një shkak çfarëdo ” (shih Mateu 19:3). Nga ana sipërfaqësore, pikëpamja e Jezusit është më afër asaj të shkollës Shamai, që e kufizonte ligjshmërinë e divorcit (me mundësi për rimartesë) në tradhti bashkëshortore. Mirëpo, siç u diskutua më sipër nga reagimi i dishepujve për mësimin e Jezusit, ndryshe nga Shamai, duket se Jezusi thjesht e lejoi divorcin në rastin e porneia-s, ndërsa Judaizmi i shekullit të parë e kërkonte atë.5
Për më tepër, përgjigjja e Jezusit shkon në mënyrë domethënëse përtej grindjeve legaliste midis atyre dy shkollave rabinike, dhe drejt e në thelb të çështjes. Jezusi, i aftë në stilin rabinik, po e kalon përligjjen e dhënë në Dhiatën e Vjetër nga njëri pasazh (Ligji i Përtërirë 24:1-4), te një sërë pasazhesh të mëparshme (Zanafilla 1:27; 2:24) dhe si rrjedhojë, e konsideron lëshimin e mëvonshëm si në varësi të parimit të përhershëm të themeluar në tekstet themeltare, që nuk i hedh kurrsesi poshtë ato. Kështu pra, duke u fokusuar në synimin fillestar të martesës në planin e Perëndisë, Jezusi u mëson ndjekësve të tij kuptimin e vërtetë të martesës. Jo vetëm që ai nënvizon karakterin e përhershëm të martesës si institucion hyjnor e jo thjesht njerëzor, por pohon se divorci në thelb bie ndesh me qëllimin krijues të Perëndisë.
Divorci dhe rimartesa nuk është asgjë më pak se revolucion, si për burrat edhe për gratë (shih veçanërisht Marku 10:11-12). Pavarësisht rregullave në ligjin e Moisiut, që përcaktonin trajtimin e barabartë të burrave dhe të grave lidhur me divorcin (Levitiku 20:10-12), në kohët e Dhiatës së Vjetër mbizotëronte një standard i dyfishtë ku grave u duhej të ishin besnike ndaj burrave (përndryshe, ndëshkoheshin), kurse për burrat bëheshin më shumë lëshime. Mirëpo mësimi i Jezusit i barazon të drejtat martesore. Kështu, Jezusi mësoi që epshi për një grua tjetër në zemrën e një burri përbën tashmë kurorëshkelje (Mateu 5:28), gjë që nënkupton se marrëdhëniet jashtëmartesore janë po aq të gabuara për burrat sa dhe për gratë.6
Pikëpamjet e ndryshme
Duke pasur parasysh diskutimin e mësipërm, bëhet e qartë se problemi kryesor për të kuptuar mësimin e Jezusit mbi divorcin dhe rimartesën ka të bëjë me kuptimin e fjalës porneia, pasi kjo është fjala kyç në klauzolën e përjashtimit të thënë prej Jezusit. Nuk ka dakordësi universale ndër të krishterët që besojnë Biblën mbi domethënien e saktë të fjalës porneia, megjithatë sugjerimet e studiuesve mund t’i ndajmë lehtësisht në tre pikëpamje të ndryshme.
Pikëpamja e parë e kupton porneia-n si referencë të kurorëshkeljes/imoralitetit seksual dhe pohon ligjshmërinë biblike të divorcit dhe rimartesës për palën e pafajshme që është tradhtuar nga bashkëshorti/ja (pro divorcit dhe rimartesës). Pikëpamja e dytë e kupton porneia-n si njëfarë mëkati seksual, siç është kurorëshkelja, por beson se Jezusi nuk e lejonte rimartesën, sado që e lejonte divorcin për shkak të mëkatit seksual (pro divorcit, por jo rimartesës). Pikëpamja e tretë për klauzolën e përjashtimit nuk e lejon as divorcin, as rimartesën në kontekstin modern (“as divorc, as rimartesë”). Studiuesit që kanë këtë mendim e kuptojnë porneia-n si njëfarë mëkati seksual që do ta bënte martesën të jashtëligjshme nën ligjin civil të Izraelit. Megjithatë duhet thënë se të treja pikëpamjet e lartpërmendura përfshijnë shumë nuanca dhe larmishmëri për secilin rast.
Parametrat e sugjeruara
Në vend që të mbrojmë një pozicion të caktuar lidhur me pikëpamjet e mësipërme, do të donim të sugjerojmë disa parametra për të formuar pikëpamjen tonë për mësimin e Jezusit mbi divorcin dhe rimartesën. Së pari, duhet thënë se fjala porneia është një term i përgjithshëm për mëkatin seksual. Domethënia e veçantë e fjalës porneia është gjithnjë e informuar nga konteksti ku është përdorur; megjithatë, gjithnjë i referohet specifikisht mëkatit seksual. Këtë fakt po e vëmë në dukje për të treguar se nuk mund të nxjerrim një doktrinë divorci “pa shkak” seksual nga mënyra si Jezusi e përdor fjalën porneia.
Së dyti, duke pasur parasysh synimin hyjnor të institucionit të martesës, mësimi i Dhiatës së Vjetër mbi divorcin dhe rimartesën, dhe pjesët e qarta të mësimit të Jezusit mbi këtë temë, shenjtëria e lidhjes martesore duhet inkurajuar nga çfarëdo pikëpamje të kemi për klauzolën e përjashtimit. Domethënë, edhe nëse ti e lejon divorcin dhe rimartesën për shkak të mëkatit seksual (siç është kurorëshkelja, pikëpamje kjo e shumicës në kishën moderne), përsëri divorci duhet parë si pasojë e mëkatit dhe, si rrjedhojë, një dështim fatkeq i synimit krijues të Perëndisë.
Së treti, për shkak të natyrës imponuese të çështjes së divorcit dhe rimartesës në kulturën bashkëkohore, besimtarët duhet të kujdesen në mënyrë të veçantë që pikëpamjet e tyre respektive të formohen nga teksti biblik, duke shmangur gabimet e zakonshme si ngatërrimi i rreptësisë me shenjtërinë apo i lirshmërisë me hirin. Për më tepër, për shkak të mosmarrëveshjeve të besimtarëve ortodoksë lidhur me këtë temë, i inkurajojmë të gjithë t’i mbajnë pikëpamjet e tyre mbi divorcin dhe rimartesën me mirëdashje, por me bindje, duke qenë të hapur për dialog të sinqertë me ata që shpallin mendime ndryshe.
Shënime:
- Shih Daniel I. Block, “Marriage and Family in Ancient Israel,” në vëllimin e Ken M. Campbell, red., Marriage and Family in the Biblical World (Downers Grove, IL: InterVarsity, 2003), 35. Prej kësaj vepre është frymëzuar diskutimi në vazhdim.
- Po aty, 41.
- Po aty, 47.
- Po aty, 53–55.
- Po aty, 66–68.
- Po aty, 77–78.
Andreas Köstenberger dhe David W. Jones janë bashkautorë të librit Marriage and Family: Biblical Essentials.
David W. Jones shërben si profesor i etikës së krishterë, drejtor i programit Master në Teologji dhe dekan i asociuar për administrimin e programit të masterit në seminarin teologjik “Southeastern Baptist”. Jones gjithashtu ka shkruar artikuj për publikime të ndryshme akademike dhe ka folur rregullisht në kisha, shërbesa e konferenca të krishtera. Për momentin banon pranë qytetit Raleigh, në Karolinën e Veriut, bashkë me gruan dhe pesë fëmijët e tyre.
Andreas J. Köstenberger (PhD, Trinity Evangelical Divinity School) është teolog për organizatën “Fellowship Raleigh”, bashkëthemelues i Biblical Foundations, dhe shkrimtar, redaktor e përkthyes i mbi gjashtëdhjetë librave. Ai dhe e shoqja, Marny, kanë katër fëmijë të rritur dhe jetojnë në Karolinën e Veriut.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-divorce-and-remarriage/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025