Janar 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Çfarë mësoi Jezusi
Pacifizmi dhe Predikimi në mal
A i detyron të krishterët të jenë pacifistë mësimi i Jezusit te Predikimi në mal për të kthyer faqen tjetër dhe për të mos i rezistuar të ligut?
Për shkak se shumica e pacifistëve fetarë i bazojnë bindjet e tyre mbi supozimin që, etika e “dashurisë” së Jezusit nga mësimi i Mateut 5:38-42, është pacifiste, jemi të detyruar ta shqyrtojmë kuptimin e këtij mësimi të Predikimit në mal.
Mateu 5:38-42 është një nga gjashtë ilustrimet e mësimit të Jezusit mbi ligjin (Mateu 5:17). Me këtë ilustrim, së bashku me pesë të tjerat, Jezusi pohon detyrimet etike të ligjit të Dhiatës së Vjetër — detyrime që janë të vazhdueshme. Po ashtu, ai nis me një formulë që Jezusi tashmë e ka përdorur katër herë në këtë grupim mësimesh — “Ju keni dëgjuar se qe thënë... Por unë po ju them...”
Ndonëse disa nxënës të tekstit biblik i interpretojnë këto fjalë se i referohen ligjit të Moisiut, një lexim i tillë nuk përputhet me kontekstin. Jezusi sapo e ka thënë për ligjin e shfaqur në besëlidhjen e vjetër në hyrje të mësimit të tij, i cili është ripohuar vazhdimisht nga profetët se nuk duhet lënë mënjanë (Mateu 5:17); është i detyrueshëm.
Jezusi nuk mund të jetë duke kundërshtuar veten. Por konteksti kërkon që nocionet bashkëkohore — në fakt, shtrembërimet bashkëkohore — të ligjit, duhen riparuar. Një gabim i tillë bashkëkohor ilustrohet në lidhje me hakmarrjen.
Jezusi dhe Lex Talionis
Te Predikimi në mal, Jezusi nuk e mënjanon idenë e hakmarrjes në vetvete, as ligjin e “dhëmbit” (lex talionis), si një standard të drejtësisë publike.
Por Jezusi po i sfidon dëgjuesit e tij të shqyrtojnë qëndrimet e tyre, që të përgjigjen siç duhet ndaj fyerjeve dhe padrejtësive personale. Fakti që bëhet fjalë për fyerje (lëndim personal) dhe jo për sulm (lëndim publik) sugjerohet nga përmendja e shuplakës në faqen e djathtë. Dhe qartësohet, nga ilustrimi i mëtejshëm: “dhe në qoftë se dikush do... të të marrë tunikën tënde, jepi edhe mantelin” (Mateu 5:40). Trajtimi i fyerjeve dhe i rrobave (nevojë bazike njerëzore) nuk janë subjekt i fushës së qeverisjes dhe politikave shtetërore.
Në të vërtetë, të katër ilustrimet e moshakmarrjes — kthimi i faqes tjetër, ofrimi i mantelit, mbajtja e bagazheve të dikujt një milje më tepër dhe dhënia hua e atij që kërkon — korrespondojnë me fushën e punëve private. Këto janë çështje abuzimi apo parehatie personale, jo politikash publike. Ato tregojnë fyerje, jo sulm.
Lëndim personal, jo politikë shtetërore
Prandaj urdhërimi i Jezusit për të mos i rezistuar të ligut (Mateu 5:39), në kontekstin e vet, duhet vendosur në fushën e lëndimit personal, jo të politikave shtetërore. Kapitujt 5-7 të Mateut nuk synohen si deklaratë mbi natyrën e shtetit apo autoriteteve qeveritare; përkundrazi, ato lidhem me çështje të dishepullimit personal. marrëdhëniet e saj më të afërta janë me Romakëve 12:17-21, jo me Romakëve 13:1-7.
Në sferën e çështjeve personale dhe private, drejtësia nuk kërkon hakmarrje. Në sferën e çështjeve publike, kur qeveritari është i porositur për të mbrojtur të mirën e përbashkët, drejtësia kërkon hakmarrje. Ky është mësimi i qartë i Dhiatës së Vjetër dhe jo mendimi “i kompromisit” i të ashtuquajturave imperializëm apo kostandinianizëm.
Një ndihmë nga C. S. Lewis
Në esenë e tij mbresëlënëse, “Pse nuk jam pacifist” (Why I Am Not a Pacifist), autori C. S. Lewis trajton urdhërimin e Jezusit për “kthimin e faqes tjetër”, që ai beson se nuk mund të nënkuptojë se nuk duhen mbrojtur të tjerët. “Ka ndokush mendimin,” pyet ai, “se dëgjuesit e Zotit tonë e kuptuan sikur po thoshte që, po të tentonte ndonjë maniak vrastar të vriste një palë të tretë, të më hidhte tej mua për të hapur rrugën, unë u dashka të rri mënjanë dhe ta lë të kryejë krimin?” 1
Nëse Jezusi po bën thirrje për pacifizëm absolut bazuar te Mateut 5.38-39, atëherë do të ishim të detyruar të kthenim faqen tjetër të dikujt tjetër gjithashtu. Lewis preferon të pranojë leximin më të dukshëm të këtij teksti.
Dëgjuesit e Jezusit ishin “persona privatë të një kombi të çarmatosur” dhe “lufta nuk do të kishte qenë kurrë në mendjen e tyre”; do të ishte e paimagjinueshme.2 Mënyra se si e kupton Lewis-i vjen nga një lexim i thjeshtë i tekstit.
Të thirrur për t’i rezistuar të ligut
Në fund të fundit, të krishterët janë thirrur vërtet për t’i rezistuar të ligut në kohën dhe vendin ku kjo është e mundur, siç e kanë kuptuar gjithmonë shenjtorët në të shkuarën dhe të tashmen. Siç pohon apostulli Pal në terma tepër të qartë, qeveria ekziston pikërisht për këtë funksion që i është dhënë nga Perëndia:
Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën dhe do të kesh lavdërim nga ai, sepse është shërbenjës i Perëndisë për të mirën tënde; por, po të bësh të keqen, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbenjës i Perëndisë, hakmarrës për të ushtruar zemërim kundër atij që bën të keqen. (Romakëve 13:3-4)
Edhe kur Jezusi e ndalon shpatën si mjet për përparimin e Mbretërisë së Perëndisë, Dhiata e Re nuk mëson një pacifizëm parimor apo absolut. As nuk e ndalon të krishterin që të “mbartë shpatën” — apo edhe të shërbejë si epror — në shërbim të shoqërisë dhe për të mirën e përbashkët të komunitetit.
Shënime:
1. “Why I Am Not a Pacifist,” në vëllimin The Weight of Glory and Other Addresses, rish. red. (New York: HarperCollins, 2001), 86.
2. Po aty., 50.
J. Daryl Charles (PhD, Westminster Theological Seminary) është studiues në institutin “John Jay” dhe autor, redaktor dhe bashkëredaktor i katërmbëdhjetë librave.
Timothy Demy (PhD, Salve Regina University), është komandant i Marinës së ShBA-ve, profesor i asociuar i etikës ushtarake në kolegjin e luftës detare të ShBA-ve.
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/what-did-jesus-teach-about-violence-and-turning-the-other-cheek/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025