purpose in the cross 1920

Qershor 2024 


Doktrina e shlyerjes së kufizuar (e cila njihet ndryshe si “shlyerja e përcaktuar” apo si “shpengimi i veçantë”) thotë se shlyerja e Krishtit ishte e kufizuar (në shtrirje dhe në synim) vetëm te të zgjedhurit, pra, që Jezusi nuk i shleu mëkatet e gjithë botës. Në denominacionin tim, ne i marrim në pyetje të rinjtë që dëshirojnë të shërbejnë me kohë të plotë dhe përherë do të ndodhë që dikush do ta pyesë studentin e radhës: “A beson në shlyerjen e kufizuar?” Studenti do t’i përgjigjet duke i thënë: “Po, besoj se shlyerja e Krishtit është e mjaftueshme për të gjithë dhe e efektshme për disa”, çka do të thotë se vlera e vdekjes së Krishtit në kryq është aq e madhe sa të mbulojë të gjitha mëkatet e çdo njeriu që ka jetuar ndonjëherë, por është e vlefshme vetëm për ata që kanë besuar në Krishtin. Mirëpo, ky pohim nuk e prek thelbin e vërtetë të polemikës që ka të bëjë me qëllimin e Perëndisë në kryq.

Në thelb, janë dy mënyra se si mund ta kuptojmë planin e përjetshëm të Perëndisë. Njëra prej tyre thotë se që nga përjetësia, Perëndia kishte dëshirë që të shpëtonte sa më shumë njerëz që të ishte e mundur nga raca e rënë njerëzore, kështu që projektoi një plan shpengimi përmes të cilit do ta dërgonte Birin e Tij në botë si mëkatmbartësin e njerëzve të rënë. Jezusi do të shkonte në kryq dhe do të vdiste për të gjithë ata, të cilët do të besonin tek Ai në kohën e caktuar. Kështu pra, plani ishte i kushtëzuar, sepse Perëndia siguroi shlyerjen për të gjithë ata që e shfrytëzojnë atë plan, pra, për të gjithë ata që besojnë. Ideja është që Jezusi vdiq me shumë gjasë për të gjithë njerëzit, por është po ashtu teorikisht e mundshme që e gjithë vepra e Tij ishte e kotë, sepse çdo njeri i botës mund ta refuzojë veprën e Jezusit, duke vendosur që të mbetet i vdekur në shkeljet dhe mëkatet e veta. Kështu që plani i Perëndisë mund të dështojë, sepse askush mund të mos përfitojë prej tij. Kjo është pikëpamja mbizotëruese në kishën e sotme, pra, që Jezusi vdiq me shumë gjasë për gjithkënd. Tek e fundit, nëse dikush shpëtohet, kjo varet prej vetë këtij personi.

Pikëpamja e reformuar e kupton ndryshe planin e Perëndisë. Sipas saj, Perëndia, që nga përjetësia, hartoi një plan që nuk ishte i kushtëzuar. Pra, bëhej fjalë për një plan “A”, i cili nuk do të pasohej nga plani “B” nëse nuk do të dilte me sukses. Sipas këtij plani, Perëndia dekretoi se do të shpëtonte një numër të caktuar njerëzish prej njerëzimit të rënë, njerëz të cilët Bibla i quan të zgjedhurit. Me qëllim që plani i zgjedhjes të dilte me sukses në histori, Perëndia e dërgoi Birin e Vet në botë me synimin dhe projektin specifik për të realizuar shpëtimin e të zgjedhurve. Kjo u realizua në një mënyrë të përsosur, pa shkuar kot asnjë pikë e gjakut të Krishtit. Të gjithë ata që Ati i zgjodhi për shpëtim, do të shpëtohen përmes shlyerjes.

Tek Ungjilli sipas Gjonit, Jezusi thotë për delet e Tij që ato ia ka dhënë Ati.

Rezultati logjik i pikëpamjes jo të reformuar është se Perëndia nuk e di paraprakisht se kush do të shpëtohet. Për këtë arsye, ka teologë në ditët e sotme që thonë: “Perëndia shpëton aq njerëz sa mundet të shpëtojë”. Sa njerëz mund të shpëtojë Perëndia? Sa njerëz ka fuqi që të shpëtojë? Në qoftë se vërtet është Perëndi, atëherë Ai ka fuqi që t’i shpëtojë të gjithë njerëzit. Sa njerëz ka pushtet që t’i shpëtojë? A nuk mundet Perëndia që të ndërhyjë në jetën e të gjithëve, ashtu siç bëri në jetën e Moisiut, Abrahamit apo apostullit Pal, për t’i sjellë në një marrëdhënie shpëtuese me Veten? Sigurisht që Ai e gëzon të drejtën për ta bërë këtë!

Nuk e mohojmë dot se Bibla flet për Jezusin që vdes për “botën”. Gjoni 3:16 është shembulli parësor i një vargu që e përdor këtë gjuhë. Mirëpo, në Dhiatën e Re ka edhe një këndvështrim kundërpeshues, madje edhe në Ungjillin sipas Gjonit, sipas të cilit Jezusi e dha jetën e Vet jo për të gjithë, por vetëm për delet e Tij. Këtu, tek Ungjilli sipas Gjonit, Jezusi thotë për delet e Tij që ato ia ka dhënë Ati.

Te Gjoni 6, shohim se Jezusi thotë: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Gjoni 6:44), dhe fjala që përkthehet si “tërheq” faktikisht do të thotë “detyron”. Jezusi po ashtu tha në të njëjtin kapitull: “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë” (Gjoni 6:37). Thelbi i asaj që po thoshte është se të gjithë ata që Ati ka planifikuar të vijnë te Biri, do të vijnë dhe askush tjetër. Domethënë, shpëtimi yt nga fillimi deri në fund varet nga dekreti sovran i Perëndisë, i cili vendosi në hirin e Tij që të ketë mëshirë për ty, jo për shkak të ndonjë gjëje që pa në ty, e cila do ta kërkonte me forcë këtë gjë, por për hir të dashurisë së Birit. Arsyeja e vetme që mund të jap nën qiell se përse jam i krishterë është që jam një dhuratë e Atit për Birin, jo për shkak të ndonjë gjëje që kam bërë ose mund të bëj ndonjëherë.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/what-was-gods-purpose-cross  
Autori: R.C. Sproul
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin
5 gjëra që duhet t’i dini për Besoret