Çfarë erdhi të shkatërrojë Krishtlindja

Dhjetor 2020


1 e Gjonit 3:8

Për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.

Ardhja e Birit të përjetshëm të Perëndisë në botë si Perëndia njeri, ardhja e Jezu Krishtit, është fakt historik. Megjithatë, mijëra njerëz thonë se e besojnë këtë fakt dhe pastaj jetojnë njësoj si gjithë të tjerët. Ata kanë të njëjtat ankthe se gjërat e mira do të humbasin, kanë të njëjtat zhgënjime se gjërat e vështira nuk mund të ndryshohen. Me sa duket, nuk ka shumë fuqi për të dhënë përgjigje të drejta rreth fakteve historike nëpër sondazhet fetare.

Kjo ndodh për shkak se ardhja e Birit të Perëndisë në botë është shumë më tepër sesa një fakt historik. Ky ishte një mesazh shprese i dërguar nga Perëndia tek adoleshentët, te prindërit e vetëm, te bashkëshortët e irrituar dhe te bashkëshortet e zymta, te gratë mbi peshë dhe te burrat e pafuqishëm, te fqinjët me aftësi të kufizuara, te njerëzit me tërheqje ndaj së njëjtës gjini, te predikuesit dhe te të dashuruarit; te ju.

Përderisa Biri i Perëndisë jetoi, vdiq, u ringjall, mbretëron dhe po vjen sërish, mesazhi i Perëndisë përmes Tij është shumë më tepër sesa thjesht një fakt historik. Ai është një dhuratë Krishtlindjeje për ju nga zëri i Perëndisë së gjallë.

Kështu thotë Zoti: “Kuptimi i Krishtlindjes është se ajo që është e mirë dhe e çmuar në jetën tuaj, nuk ka pse të humbasë kurrë, ajo që është mëkat dhe e padëshirueshme në jetën tuaj, mund të ndryshohet. Frika se ato pak gjëra të mira që ju bëjnë të lumtur, po iu rrëshqasin nga duart dhe se zhgënjimet që gjërat e këqija, të cilat i urreni te vetja apo te situatat tuaja, nuk mund të ndryshohen—këto janë frikërat dhe zhgënjimet që Krishtlindja erdhi që t’i shkatërrojë.

Mesazhi i shpresës nga Perëndia këtë Advent është se ajo që është e mirë, nuk ka pse të humbasë kurrë dhe ajo që është e keqe, mund të ndryshohet. Djalli përpiqet të heqë të mirën dhe të sjellë të ligën. Jezusi erdhi të shkatërrojë veprat e djallit.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin