pro choice 1920

Mars 2024  


Ku qëndron thelbi i qëndrimit pro-zgjedhje? Në qoftë se një grua thotë se ajo personalisht nuk do të abortonte ndonjëherë, por nga ana tjetër nuk dëshiron t’ia mohojë dikujt tjetër të drejtën për ta bërë këtë, atëherë për çfarë arsyeje do të nguronte kjo grua që të abortonte? Mbase ajo dëshiron të ketë sa më shumë fëmijë që të jetë e mundur dhe nuk pret që t’i ndodhë ndonjë shtatzëni e padëshiruar. Mbase kjo grua mendon se fetusi është një qenie e gjallë njerëzore ose nuk është e sigurt për atë se çfarë është fetusi. Mbase beson se fetusi është një qenie e gjallë njerëzore, por nuk dëshiron që t’ia imponojë këtë pikëpamje të tjerëve. Në këtë pikë, mbërrijmë te thelbi i qëndrimit pro-zgjedhje. A është e drejta për të zgjedhur, një e drejtë absolute? A e kemi të drejtën morale për të zgjedhur atë që është moralisht e gabuar? Vetë shtrimi i kësaj pyetjeje është përgjigjja e saj.

Fakti është që çdo ligj që miratohet i përcakton ose i kufizon zgjedhjet e dikujt. Kjo është vetë natyra e ligjit. Në qoftë se nuk dëshirojmë që t’i kufizojmë zgjedhjet e njerëzve përmes legjislacionit, atëherë duhet të reshtim së hartuari dhe së miratuari ligje e të mos votojmë më. Mendoj se shumica e njerëzve e pranojnë se liria e zgjedhjes nuk është një liri absolute. Asnjë qenie njerëzore nuk është ligj absolut për vetveten. Nëse nuk jemi gati ta pranojmë një sistem etik të karakterizuar prej relativizmit të pastër, me anë të të cilit ligji dhe shoqëria bëhen të pamundura, duhet të arratisemi sa më larg pikëpamjes se individi është autonom. Për të kaluar nga trajtimi abstrakt i kësaj çështjeje në atë konkret, gjithmonë e pyes veten nëse aktivistët pro-zgjedhjes i kundërvihen ligjeve që mbrojnë të drejtat e tyre mbi pronën. A e gëzon hajduti që hyn me forcë në një shtëpi për të vjedhur televizorin e dikujt, të drejtën e patjetërsueshme për ta bërë atë zgjedhje? A e gëzon një burrë të drejtën e patjetërsueshme për ta përdhunuar një grua? Këta shembuj ekstremë e bëjnë të qartë se liria e zgjedhjes nuk mund të konsiderohet një e drejtë absolute.

Cila është vija fundore e lirisë së zgjedhjes? Unë besoj se ajo gjendet në atë pikë ku liria ime e zgjedhjes cenon të drejtat e patjetërsueshme të dikujt tjetër për jetë dhe liri. Asnjë foshnjë e palindur nuk e ka gëzuar ndonjëherë të drejtën për të pranuar ose mohuar shkatërrimin e vet. Faktikisht, siç e ka thënë dikush, vendi më i rrezikshëm për një qenie njerëzore në Shtetet e Bashkuara është brenda mitrës së një gruaje. Për miliona foshnja të palindura, mitra është kthyer në qelinë e njësisë së të dënuarve me vdekje. I burgosuri ekzekutohet pa një e pa dy, pa pasur të drejtën për të dalë përpara gjyqit dhe për të folur në mbrojtje të vetes. Ky është një ekzekutim që zhvillohet duke ia këputur një nga një gjymtyrët viktimës. A mos është ky përshkrim shumë realist? A mos po jua trondit ndjenjat? Jo, aspak. Do të ishte i tillë vetëm po të ishte një përshkrim i rremë.

E drejta për të zgjedhur, sado e shenjtë që mund të jetë, nuk mbart me vete të drejtën për të shkatërruar një jetë njerëzore. Kjo është po aq dështim i drejtësisë sa edhe i një foshnje njerëzore.

Çfarë mbart në vetvete liria për të zgjedhur, që është kaq e vyer? Çfarë e shtyu Patrick Henry-n që të klithte: “Ja liri a vdekje”? Natyrisht, ne dëshirojmë që të gëzojmë të drejtën e vetëvendosjes dhe vetë koncepti i të jetuarit nën shtrëngim të jashtëm është i neveritshëm. Ne jemi krijesa mendimtare dhe e vlerësojmë lirinë për të bërë zgjedhje. Shumë nga ne e urrejnë jetën e burgut, mirëpo, edhe në një burg të sigurisë së lartë, askush nuk zhvishet plotësisht nga e drejta për të zgjedhur.

Është pikërisht ky parim i vetëvendosjes – i të pasurit të së drejtës për të vendosur për gjendjen dhe të ardhmen tonë – që i mohohet në mënyrë brutale çdo foshnjeje të palindur e të abortuar. Nuk kisha asnjë të drejtë për të reaguar ndaj vendimit të nënës sime nëse do të më abortonte apo do të më lindte. Gjithë jeta ime ishte në duart e saj. Po ta kishte zgjedhur abortin, jeta ime do të ishte fikur përpara se të lindja. Ju dhe unë, të gjithë jemi qenie të vërteta njerëzore. Dikur ishim plotësisht të paaftë që ta ushtronim të drejtën tonë të vyer për të zgjedhur. Dikur ishim plotësisht të varur nga zgjedhja e dikujt tjetër për vetë ekzistencën tonë.

Një dimension i dytë thelbësor i së drejtës për të zgjedhur është çështja se kur duhet bërë zgjedhja morale në lidhje me jetën e foshnjës. (Askush nuk parapëlqen të flasë në lidhje me këtë temë, sepse ka të bëjë me parimet morale lidhur me seksualitetin.) Koha për të zgjedhur, nëse dëshironi apo jo që të keni një fëmijë, nuk është pasi foshnja të jetë ngjizur dhe të ketë filluar zhvillimin e vet. Përveç rasteve të përdhunimit, marrëdhëniet seksuale me ose pa mjete kontracepsioni kryhen me vullnetin e lirë të dikujt. Zgjedhjet që bëjmë, qofshin të natyrës seksuale apo joseksuale, kanë gjithmonë pasoja. Si etika, ashtu edhe ligji përmbajnë aksiomën sipas së cilës jemi përgjegjës për pasojat e zgjedhjeve tona.

Kur kryejmë marrëdhënie seksuale, me shumë gjasë as kemi synim apo dëshirë që të ngjizim një jetë tjetër njerëzore. Mirëpo, jemi të vetëdijshëm se këto marrëdhënie shënojnë pikënisjen e procesit të riprodhimit dhe mund të çojnë në lindjen e pasardhësve tanë. Vrasja e pasardhësve tanë, zor se është një metodë e përgjegjshme apo e moralshme e trajtimit të këtij vendimi.

Fragment i përshtatur nga libri “Abortion” i shkruar nga R.C. Sproul. Mund ta shkarkoni falas versionin elektronik të kësaj vepre. Ju inkurajojmë që ta ndani këtë material me familjen, miqtë dhe bashkësinë tuaj të kishës.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/pro-choice-what-does-it-mean
Autori: R.C. Sproul  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin