Prill 2024
Historikisht, si katolicizmi ashtu edhe protestantizmi e kanë kuptuar se mëkati ka nivele të ndryshme. Kisha Katolike e Romës bën një dallim mes mëkateve mortale dhe venale. Thelbi i këtij dallimi është se disa mëkate janë kaq të ndyra, të tmerrshme e të rënda saqë kryerja e tyre është vdekjeprurëse, në kuptimin që vret hirin e drejtësimit që gjendet në shpirtin e besimtarit. Sipas teologjisë së tyre, jo çdo mëkat është aq shkatërrimtar sa ta arrijë atë nivel. Janë disa mëkate reale që ata i quajnë mëkate venale. Këto janë mëkate më pak të rënda për sa i përket pasojave, të cilave u mungon aftësia për ta vrarë drejtësimin sikurse e kanë mëkatet mortale.
Shumë protestantë ungjillorë e kanë hedhur poshtë konceptin e niveleve të mëkatit, meqë janë të vetëdijshëm për faktin që reformimi protestant e hodhi poshtë dallimin katolik mes mëkateve mortale dhe venale. Për pasojë, ata nxitojnë të arrijnë në përfundimin se nuk ka dallime mes mëkateve në protestantizëm.
Mirëpo, duhet t’i kthehemi pikëpamjeve të vetë reformatorëve. John Calvin-i ishte një kritik i ashpër i Kishës Katolike të Romës dhe dallimit të tyre mes mëkateve mortale dhe venale. Calvin-i thoshte se të gjitha mëkatet ishin mortale në kuptimin që të gjitha ato meritonin dënimin me vdekje. Libri i Jakobit na kujton: “Sepse kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë të vetme, është fajtor në të gjitha.” (Jakobi 2:10). Madje edhe mëkati më i vogël është një vepër tradhtie kozmike. Kjo është e vërteta, edhe pse ne vetë nuk arrijmë ta ndiejmë rëndesën e veprimeve tona deri në këtë shkallë.
Kur mëkatoj, zgjedh vullnetin tim mbi vullnetin e Perëndisë së Plotfuqishëm. Kjo nënkupton se në fakt po them se jam më i zgjuar, më i urtë, më i drejtë dhe më i fuqishëm sesa vetë Perëndia. Calvin-i thoshte se çdo mëkat është mortal, në kuptimin që Perëndia me plot të drejtë mund të na shkatërrojë edhe për mëkatin më të vogël që kemi kryer. Faktikisht, ndëshkimi për mëkatin u dha që në ditën e parë të krijimit të njeriut: “Por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri” (Zanafilla 2:17). Megjithatë, Perëndia nuk na trajton sipas drejtësisë. Ai na trajton sipas hirit, duke na lënë të jetojmë dhe duke vepruar për të sjellë shpengimin tonë. Calvin-i thoshte se të gjitha mëkatet janë mortale, në kuptimin që meritojmë dënimin me vdekje për kryerjen e tyre, por asnjë prej tyre nuk është mortal në kuptimin që mund të shkatërrojë hirin tonë shpëtues. Po, duhet të pendohemi për to, por hiri drejtësues që sjell Fryma e Shenjtë nuk vritet prej mëkatit tonë. Calvin-i dhe gjithë reformatorët e tjerë mbronin me forcë pikëpamjen se ekziston një ndryshim mes mëkateve më të vogla dhe atyre që ata i quanin si mëkate të fëlliqura e të rënda.
Është e rëndësishme për të krishterët që ta kuptojnë këtë dallim, me qëllim që të jemi aq tolerantë sa duhet kur e vlerësojmë njëri-tjetrin. Mëkati i zemërvogëlsisë, i cili shfaqet kur njerëzit fillojnë të mbajnë shënim edhe gabimet a shkeljet më të vogla në bashkësi, mund ta përçajë trupin e Krishtit në një masë të madhe. Kur ky mëkat nxitet edhe më tej nga zjarri i thashethemeve dhe shpifjeve, dëmet bëhen edhe më të mëdha. Jemi thirru të jemi të durueshëm dhe tolerantë ndaj të krishterëve që përleshen me të dështimet e tyre. Kuptohet që nuk duhen bërë lëshime ndaj mëkatit, sepse janë disa mëkate të renditura në Dhiatën e Re, të cilat janë të rënda dhe nuk duhen lejuar në kishë. Kurorëshkelja është mëkat i rëndë. Incesti e bën të detyrueshme disiplinën kishtare. Të dehurit, vrasja dhe kurvëria përmenden po ashtu shumë shpesh. Këto mëkate janë kaq shkatërrimtare, saqë e bëjnë të detyrueshme disiplinën kishtare sa herë që ato shfaqen.
Perëndia na thotë se hyrja në qiell do të jetë vetëm në bazë të meritës së Krishtit, por me të hyrë në qiell, shpërblimet do të shpërndahen
në bazë të veprave.
Është e qartë se kemi të bëjmë me nivele të ndryshme mëkati, po të marrim parasysh paralajmërimet e Shkrimit. Janë të paktën njëzet e dy referenca në Dhiatën e Re për nivelet e shpërblimeve që u jepen shenjtorëve në qiell. Në qiell ka nivele, shpërblime dhe role të ndryshme. Bibla na paralajmëron që të mos e shtojmë ashpërsinë e gjykimit tonë. Jezusi i tha Ponc Pilatit: “Ai që më dorëzoi te ti ka mëkat më të madh” (Gjoni 19:11). Jezusi e mat dhe e vlerëson fajin, dhe me faj dhe përgjegjësi më të madhe vjen edhe një gjykim më i ashpër. Ky është lajtmotivi që përshkon Dhiatën e Re.
Koncepti i klasifikimit të mëkateve dhe shpërblimeve bazohet në drejtësinë e Perëndisë. Nëse bëj dyfishin e mëkateve të dikujt tjetër, drejtësia e kërkon që ndëshkimi të jetë në përpjesëtim të drejtë me krimin. Nëse kam qenë dyfish më i virtytshëm sesa dikush tjetër, drejtësia e kërkon që të marr një shpërblim më të madh. Perëndia na thotë se hyrja në qiell do të jetë vetëm në bazë të meritës së Krishtit, por me të hyrë në qiell shpërblimet do të shpërndahen në bazë të veprave. Ata që i kanë pasur veprat e mira me bollëk do të marrin një shpërblim të bollshëm. Ata që nuk i kanë kryer apo i kanë lënë pas dore veprat e mira, do të marrin një shpërblim të vogël në qiell. Në të njëjtën mënyrë, ata që kanë qenë armiq të përbetuar të Perëndisë do të vuajnë mundime të mëdha në ferr. Ata që kanë qenë më pak armiqësorë ndaj Tij, do të pësojnë një ndëshkim më të lehtë nga Perëndia. Ai është përsosmërisht i drejtë dhe kur të gjykojë do t’i marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese. Jezusi tha: “Por po ju them se ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë” (Mateu 12:36).
Përse vallë është kaq e rëndësishme për ne që ta theksojmë këtë pikë? Ka ndodhur shumë herë që të flas me burra të cilët përleshen me epshin dhe më thonë: “Mund të vazhdoj ta ndjek këtë rrugë dhe të kryej kurorëshkelje, sepse tashmë jam fajtor për epshin. Nuk ka se si t’i kem punët më keq me Zotin, kështu, pse të mos e përfundoj veprën”. Unë përherë i përgjigjem atyre: “Mos ki merak, se mund t’i kesh edhe më keq punët me Zotin”. Gjykimi i kurorëshkeljes do të jetë shumë më i ashpër sesa gjykimi i epsheve. Perëndia do t’i përgjigjet mëkatit tonë sipas nivelit të tij, prandaj është një budallallëk i vërtetë që një person i cili ka kryer një kundërvajtje, më pas të thotë: “Meqë tashmë jam fajtor, po e kryej edhe një krim”. Kurrë mos na lëntë Perëndia që të mendojmë në këtë mënyrë! Nëse mendojmë kështu, do të përballemi me gjykimin e drejtë të Perëndisë. Këtë gjë duhet që ta mbajmë përherë ne mendje, teksa përpiqemi të ndërtojmë një ndërgjegje të krishterë dhe një karakter të krishterë.
Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/are-there-degrees-sin
Autori: R.C. Sproul
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez 2024