spurgeon dev 09 am
October 2023

…që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim.

Juda 24

Nga njëra anë mund të thuhet se shtegu drejt qiellit është shumë i sigurt, por nga ana tjetër, nuk ka udhë tjetër më të rrezikshme sesa ai. Është i mbushur me vështirësi. Mjafton një hap i gabuar (dhe sa lehtë mund ta hedhim atë në mungesë të hirit) dhe sa hap e mbyll sytë qorrollisemi. Sa i rrëshqitshëm është shtegu nëpër të cilin duhet të ecin disa prej nesh! Sa herë na duhet të shpallim ashtu si psalmisti: “...gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mi do të shkisnin” (Psalmi 73:2). 

Në qoftë se do të ishim malësorë të fortë e me këmbë të hekurta, një gjë e tillë nuk do të mund të thuhej për ne, por sa të dobët që jemi në vetvete! Na lënë këmbët menjëherë, edhe kur ecim në shtigje të lehta; pengohemi sa hap e mbyll sytë, madje edhe në udhët më të sheshta. Gjunjët tanë të dobët mezi e mbajnë peshën e madhe të trupit. Mjafton një pupël për të na e ndryshojë drejtimin dhe një guriçkë për të na lënduar. Jemi si fëmijë të vegjël që hedhin hapat e parë fërgëllues në udhën e besimit; Ati ynë qiellor na mban nga krahët, përndryshe do të rrëzoheshim menjëherë. 

Meqenëse ruhemi nga rrëzimi, sa shumë duhet ta bekojmë fuqinë e durueshme që vigjilon mbi ne ditë për ditë! Pa mendoni pak se sa të prirur jemi për të mëkatuar, se sa të lehtë e kemi të zgjedhim rrezikun, se sa e fortë është prirja brenda nesh për t’u penguar dhe për të rënë, dhe kështu, këto reflektime do të na nxitin që të këndojmë edhe më bukur sesa kurrë më parë: “Dhe atij që mund të na ruajë nga çdo rrëzim… [i qoftë lavdi dhe madhështi, sundim dhe pushtet, edhe tani, edhe në përjetësi].” Kemi shumë armiq që përpiqen të na rrëzojnë poshtë. Rruga është e vështirë, dhe ne jemi të dobët; mirëpo, veç kësaj, armiqtë na zënë pritë dhe mezi ç’presin të na sulmojnë befasisht; ata përpiqen të na pengojnë, ose të na hedhin në greminën më të afërt. 

Vetëm një krah i gjithëfuqishëm mund të na ruajë prej këtyre armiqve të padukshëm, të cilët po përpiqen të na shkatërrojnë. Një krah i tillë gjendet në gatishmëri për të na mbrojtur. Ai që premtoi, është besnik dhe i aftë të na ruajë nga çdo rrëzim, kështu që, me një ndjesi të thellë të dobësisë sonë, mund të ushqejmë një besim të fortë në sigurinë tonë të përkryer dhe të themi me besim të hareshëm:

Tokë dhe ferr ngrihen bashkuar kundër meje,
Fuqi hyjnore ngrihet dhe merr anën time;
Jezusi është gjithçka dhe është mbrojtja ime!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>