Por ai nuk iu përgjigj asnjë fjalë.
Mateu 15:23
Përgjëruesit e vërtetë, të cilët nuk e kanë marrë ende bekimin e kërkuar, mund të ngushëllohen prej kësaj historie. Shpëtimtari nuk e fali menjëherë bekimin, megjithëse gruaja kishte besim të madh tek Ai. Në fakt, Ai kishte ndërmend ta falte bekimin, por e la të priste pak. “Ai nuk iu përgjigj asnjë fjalë.” Vallë, a mos ishte lutur keq ajo grua? Jo, nuk besoj se ka pasur ndonjë tjetër që të jetë lutur më mirë se ajo grua. Vallë, a nuk përfaqësonte një nevojë të madhe rasti i saj? Në fakt, nevoja e saj ishte e tillë që ta këpuste shpirtin. Vallë, a mos nuk e ndiente ajo nevojën e vet aq sa duhej? Ajo e ndiente sa më s’ka. A mos vallë nuk ishte edhe aq e sinqertë sa duhet? Ajo ishte tej mase e sinqertë. A mos vallë nuk kishte besim? Ajo kishte kaq shumë besim, saqë edhe Jezusi mbeti i mahnitur dhe tha: “O grua, i madh është besimi yt!”. Shih, pra, megjithëse është e vërtetë që besimi sjell paqe, këtë nuk e bën gjithmonë sa hap e mbyll sytë! Mbase ekzistojnë disa arsye të cilat e bëjnë të nevojshme që besimi të sprovohet, në vend që të shpërblehet.
Besimi i vërtetë mund të jetë brenda shpirtit porsi një farë e fshehur, e cila deri më tani mund të mos ketë bulëzuar dhe as çelur lule gëzimi e paqeje. Heshtja e Shpëtimtarit është sprova e dhimbshme për shumë shpirtra përgjërues, por edhe më e rëndë është zemërdhembja që të shkakton një përgjigje e ashpër dhe e prerë si kjo: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.” Shumë prej atyre që presin në Zotin, fitojnë kënaqësi të menjëhershme në lutje, por kjo nuk ndodh me të gjithë. Disa, si gardiani i burgut, për shembull, kalojnë brenda një çasti nga errësira në dritë, por të tjerë janë si bimë me rritje më të ngadaltë.
Në fakt, mund të fitosh një ndjesi më të thellë për mëkatin sesa për faljen, dhe në një rast të tillë do të të nevojitet durim për të përballuar goditjen e rëndë. Ah, zemër e gjorë, megjithëse Krishti mund të të godasë e të të lëndojë, madje edhe të të vrasë, prapëseprapë beso tek Ai; edhe sikur të të thotë ndonjë fjalë të ashpër, beso në dashurinë e zemrës së Tij! Të përgjërohem, mos hiq dorë nga kërkimi i Zotit tënd ose nga besimi tek Ai, edhe pse mund të mos e kesh fituar ende gëzimin e përnjëmendtë, të cilin e dëshiron me aq zjarr! Hidhu në krahët e Tij dhe mbështetu me ngulm në ta, edhe atëherë kur nuk mund të shpresosh gëzueshëm!
© dritez.al 2024