spurgeon dev 09 shtator am
September 2023

Unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.

Jeremia 33:3

Ekzistojnë përkthime të ndryshme të këtij vargu. Një version e përkthen atë: “Do të të njoftoj gjëra të mëdha që të ta forcojnë zemrën.” Një tjetër e bën kështu: “Do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të fuqishme.” Natyrisht që ka gjëra të veçanta, të ruajtura për përvojën e krishterë: jo të gjitha zhvillimet e jetës frymërore ndodhin në të njëjtën mënyrë ose në të njëjtin hark kohor. Janë të mirat dhe ndjenjat e zakonshme të pendimit, besimit, gëzimit dhe shpresës, të cilat gëzohen nga e gjithë familja; por ekziston edhe një sferë më e lartë kënaqësie, përbashkësie dhe bashkimi të qëllimshëm me Krishtin, e cila zor se mund të konsiderohet si përjetimi i zakonshëm i besimtarëve.

Jo të gjithë e kemi privilegjin e madh të Gjonit, për t’u prehur mbi kraharorin e Jezusit; as privilegjin e Palit që u rrëmbye gjer në qiellin e tretë. Ekzistojnë lartësi të njohurisë përjetuese të gjërave të Perëndisë, të cilat syri prej shqiponje i intelektit njerëzor nuk i ka parë asnjëherë dhe mendja e filozofit nuk i ka përkapur kurrë, sepse vetëm Perëndia mund të na shpjerë atje. Mirëpo, karroca e zjarrtë me të cilën shkojmë deri atje, dhe kuajt e zjarrtë që e tërheqin atë, nuk janë veçse lutje ngadhënjyese.

Lutja ngadhënjyese del fitimtare me Perëndinë e mëshirës: “...dhe me forcën e tij luftoi me Perëndinë. Po, luftoi me Engjëllin dhe fitoi; qau dhe iu lut shumë. E gjeti në Bethel, dhe atje ai foli me ne” (Osea 12:4-5). Lutja ngadhënjyese e shpie të krishterin në mal dhe e bën atë ta mbulojë qiellin me re bekimi dhe tokën me reshje mëshire. Lutja ngadhënjyese e ngre të krishterin dhe i tregon atij trashëgiminë e tij, dhe e shpërfytyron sipas shëmbëllimit të Zotit të tij. Nëse do të dëshiroje të arrije diçka më të lartë sesa përjetimet e zakonshme e të çfarëdoshme, ngriji sytë te Shkëmbi që është më i lartë se ti, dhe vështro me sytë e besimit përmes dritares së lutjes ngulmuese. Kur ta hapësh atë dritare nga ana jote, ajo nuk ka për t’u mbyllur nga ana tjetër.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>