spurgeon dev 09 shtator pm
September 2023

Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë të ulur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha.

Zbulesa 4:4

Thuhet se këta përfaqësues të shenjtorëve në qiell gjenden “rreth e qark fronit”. Në një pasazh te Kënga e Këngëve, Salomoni ia thotë këngës për Mbretin që ulet në tryezën e tij, të cilën disa e përkthejnë si “një tryezë të rrumbullakët”. Duke u nisur nga kjo, janë disa interpretues të Biblës që—sipas mendimit tim, pa e shtrembëruar kuptimin e vargut—kanë thënë: “Ka barazi mes shenjtorëve.” Në fakt, kjo ide përcillet nga afërsia e baraslarguar e njëzet e katër pleqve.

Gjendja e shpirtrave të përlëvduar në qiell është ajo e afërsisë me Krishtin, e pamjes së qartë të lavdisë së Tij, e qasjes së vazhdueshme në oborrin e Tij, si edhe e përbashkësisë së afërt me personin e Tij. Në këtë kuptim, nuk ka ndonjë ndryshim mes shenjtorëve, por se mbarë populli i Perëndisë—qofshin këta apostuj, martirë, shërbëtorë apo të krishterë të panjohur e të zakonshëm—do të ulet pranë fronit, prej nga do të shohë një pamje të përsosur të Zotit të tij të përlëvduar dhe do të kënaqet me dashurinë e Tij. Të gjithë ata do të qëndrojnë pranë Krishtit, të gjithë do të jenë të kënaqur nga dashuria e Tij, të gjithë duke ngrënë e duke pirë në të njëjtën tryezë me Të, të gjithë barabar të dashur si beniaminët dhe miqtë e Tij, ndonëse jo të gjithë barabar të shpërblyer si shërbëtorë të Tij.

Besimtarët në tokë duhet të imitojnë shenjtorët në qiell për nga afërsia e tyre me Krishtin. Ne duhet të ndjekim shembullin e pleqve në qiell, duke u ulur rreth e qark fronit. Krishti duhet të jetë në qendër të të gjitha mendimeve tona dhe në qendër të jetëve tona. Si mund të na e bëjë vallë zemra që të qëndrojmë në një largësi të tillë prej Tij? Zot Jezus, na afro gjithnjë e më shumë pranë Vetes! Na thuaj: “Qëndroni në mua dhe unë në ju”, dhe jepna mundësinë të këndojmë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë, Zoti i Plotfuqishëm, Ti që përjetë ishe, je dhe do të jesh!”.

O më ngri më lart, më pranë Teje,
Dhe tek ngrihem lart i pastër e i drejtë,
Dashtë përulja e shpirtit tim
Poshtë këmbëve të tua të më shtrijë;
Duke pasur më pak besim në vete,
Shijoj më shumë të dashurisë sate përdëllim.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>