“Mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu.”
Luka 11:4
Sipas mësimit që kemi marrë, ato gjëra që duhet t’i kërkojmë ose të mos i kërkojmë në lutje, duhet që në të njëjtën mënyrë, t’i bëjmë ose të mos i bëjmë në veprimet tona. Për pasojë, me shumë zell duhet t’u shmangemi tundimeve, duke u përpjekur që të ecim me kaq kujdes në udhën e bindjes, në mënyrë që kurrë të mos e tundojmë djallin, që të na shtjerë në ngasje. Nuk kemi pse të shkojmë në xhungël në kërkim të luanit, sepse do ta paguanim shtrenjtë një mendjemadhësi të tillë. Ky luan mund të na zërë shtegun ose të na hidhet që nga zabeli, por ne nuk duhet të bëjmë as përpjekjen më të vogël për të shkuar pas tij për ta gjuajtur. Atij që ndeshet me të, edhe nëse del fitimtar nga mejdani, do t’i duket një dyluftim i ashpër.
Le të lutet çdo i krishterë, që të mos i bjerë për pjesë një përballje e tillë. Shpëtimtari ynë, i cili e kishte provuar në kurrizin e vet se ç’ishte tundimi, i bëri thirrje me ngulm dishepujve të tij: “Lutuni, që të mos bini në tundim.”
Mirëpo, edhe sikur të bëjmë atë që duhet, do të tundohemi prapëseprapë, prandaj duhet lutja: “Na shpëto nga i ligu.” Perëndia kishte një Bir të pamëkatë, por nuk ka asnjë bir pa tundime. Ashtu si shkëndijat që fluturojnë lart, edhe njeriu natyror ka lindur për telashe, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për të krishterin në raport me tundimin. Duhet të jemi gjithmonë vigjilentë ndaj Satanit, sepse, porsi një hajdut, ai nuk të jep asnjë shenjë se kur të afrohet.
Besimtarët që kanë përvojë në mënyrën e të vepruarit të Satanit, e dinë se sulmet e tij janë më të mundshme në disa kohë të caktuara, ashtu siç dihet se ka stinë kur mund të priten erëra të acarta. Prandaj, i krishteri është i paralajmëruar dyfish për rrezikun që e pret dhe rreziku shmanget duke u përgatitur për përballimin e tij. Parandalimi është më i mirë sesa kura: është më mirë të jesh i armatosur deri në dhëmbë, në mënyrë që djalli të mos të të sulmojë, sesa të përballosh vështirësitë e dyluftimit, megjithëse mund të dalësh fitimtar prej tij. Lutuni, pra, sonte pikësëpari, që të mos tundoheni, dhe së dyti, që edhe nëse lejohet tundimi, ju të mund të shpëtoheni nga i ligu.
© dritez.al 2024