Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne dhe jemi tërë gëzim.
Psalmi 126:3
Disa të krishterë kanë prirjen e trishtueshme që të shohin vetëm anën e errët të çdo gjëje dhe që t’i kushtojnë më shumë vëmendje halleve që kanë kaluar, sesa veprave që ka bërë Perëndia për ta. Pyeti për përshtypjet e tyre rreth jetës së krishterë dhe do të të përshkruajnë vetëm luftën e brendshme që nuk resht për asnjë çast, vuajtjet e tyre të mëdha, fatkeqësitë e tyre të trishtueshme dhe mëkatshmërinë e zemrave të tyre, porse zor se i dëgjon të thonë ndonjë fjalë për mëshirat dhe të mirat që ka siguruar Perëndia për ta.
Mirëpo, një i krishterë, shpirti i të cilit është i shëndetshëm, do të brofë me gëzim dhe do të thotë: “Nuk do të flas për veten time, por për nder të Perëndisë tim. Ai më nxori jashtë një grope shkatërrimi dhe nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshëm hapat e mi; Ai vuri në gojën time një këngë të re për të lëvduar Perëndinë tonë. Zoti ka bërë gjëra të mëdha për mua dhe jam tërë gëzim.”
Kjo përmbledhje e përvojës është gjëja më e mirë që mund të paraqesë çdo fëmijë i Perëndisë. Është e vërtetë që durojmë sprova, por është po kaq e vërtetë që çlirohemi prej tyre. Është e vërtetë që kemi shthurjet tona dhe ne e pranojnë plot keqardhje këtë, por është po kaq e vërtetë që kemi një Shpëtimtar të gjithëmjaftueshëm, i cili i mposht ato dhe na çliron nga sundimi i tyre. Tek e hedhim vështrimin pas, do të bënim gabim po të mohonim se nuk kemi rënë kurrë në Batakun e Depresionit, apo se nuk jemi zvarritur përgjatë Luginës së Poshtërimit, por do të ishte po kaq e mbrapshtë po të harronim se kaluam përmes këtyre vendeve pa asnjë rrezik dhe duke nxjerrë disa mësime të vlefshme; në fakt, nuk mbetëm aty, falë Ndihmuesit dhe Udhëheqësit tonë Shumë të Lartit, i cili na ka nxjerrë “jashtë në një vend të freskët” (Psalmi 66:12).
Sa më të mëdha që të jenë hallet tona, aq më të zëshme do të jenë falënderimet tona ndaj Perëndisë, i cili na ka udhëhequr gjatë gjithë këtyre vështirësive dhe na ka ruajtur deri sot e kësaj dite! Pikëllimet tona nuk mund ta prishin melodinë e lavdërimit tonë; për ne, ato nuk janë veçse “notat e basit” të këngës së jetës sonë: “Zoti ka bërë gjëra të mëdha për ne dhe jemi tërë gëzim.”
© dritez.al 2024