“Hetoni Shkrimet.”
Gjoni 5:39
Fjala greke që këtu përkthehet si hetim, ka kuptimin e një hulumtimi të përpiktë, të vëmendshëm, të zellshëm dhe kureshtar, ashtu siç bëjnë njerëzit kur kërkojnë për ar, ose gjahtarët kur përpiqen ta nxjerrin gjahun nga strofkat ku fshihet. Nuk duhet të kënaqemi me leximin sipërfaqësor të një ose dy kapitujve, por, me llambën e Frymës në dorë, duhet ta kërkojmë me qëllim kuptimin e Fjalës.
Shkrimet e Shenjta kërkojnë hulumtim—një pjesë e madhe e tyre mund të mësohet vetëm pas një studimi të kujdesshëm. Ka qumësht për foshnjat, por ka edhe mish për burrat dhe gratë e forta. Rabinët kanë të drejtë kur thonë se një mal i tërë njohurie rëndon mbi çdo fjalë të Shkrimit, në të vërtetë, mbi çdo germë të tij. Ja pse Tertuliani deklaroi: “E adhuroj plotësinë e Shkrimeve.” Ai që i hedh vetëm një vështrim sipërfaqësor Librit të Perëndisë, nuk do të ketë dobi prej tij; ne duhet të gërmojmë dhe rrëmojmë [nëpër thellësitë e tij] derisa t’i gjejmë thesaret. Vetëm çelësi i studimit të palodhur e hap derën e Fjalës. Shkrimet kërkojnë që të hulumtohen. Ato janë shkrimet e Perëndisë; mbartin vulën dhe miratimin hyjnor—kush vallë do të guxojë t’i trajtojë ato me mendjelehtësi? Të përbuzësh Shkrimet, do të thotë të përbuzësh Perëndinë që i shkroi ato.
Mos e dhëntë Perëndia që Bibla e ndonjërit prej nesh të kthehet në një dëshmitar kundër tij ose saj në ditën e madhe të gjykimit! Fjala e Perëndisë do ta shpërblejë hulumtimin. Perëndia nuk na kërkon të shoshitim një mal me byk që aty-këtu ka ndonjë kokërr gruri nëpër të, por Bibla është grurë i shirë—mjafton të hapim derën e hambarit dhe ta gjejmë atë. Shkrimet bëhen gjithnjë e më të dashura për studiuesin e tyre.
Ato janë të mbushura plot me surpriza. Nën ndriçimin e Frymës së Shenjtë, ato feksin me shkëlqimin e zbulesës në sytë hulumtues, porsi një tempull pa fund i shtruar me flori dhe me një çati rubinësh, smeraldesh dhe lloj-lloj gurësh të tjerë të çmuar. Asnjë mall apo e mirë nuk mund të krahasohet me të vërtetën e Shkrimeve. Së fundi, Shkrimet na zbulojnë Jezusin. “Ato janë këto që dëshmojnë për mua.” Nuk ka motiv më të fuqishëm për t’i nxitur lexuesit e Biblës sesa ky: Ai që gjen Jezusin, gjen jetën, qiellin dhe çdo gjë tjetër. Lum si ata që, duke hulumtuar Biblën, gjejnë Shpëtimtarin e tyre.
© dritez.al 2024