Prill 2023

Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe grash që i binin kraharorit dhe vajtonin për të.

Luka 23:27

Mes turmës që i ishte vënë pas Shpengimtarit, tek i hidhte hapat drejt vdekjes së Tij, kishte edhe disa shpirtra të hirshëm, pikëllimi i hidhur i të cilëve gjeti shprehje vetëm në kujë e vajtime—një muzikë e përshtatshme për ta shoqëruar atë kortezh të vajtueshëm. Kur, përmes përfytyrimit, e shoh Shpëtimtarin tek e mban kryqin e Tij drejt Golgotës, shpirti im u bashkohet grave të perëndishme dhe qan bashkë me to; sepse pa dyshim që ai ka një arsye të vërtetë për t’u pikëlluar—një shkak që shtrihet më thellë nga sa mund të kuptonin ato vajtuese. Ato po qanin pafajësinë e keqtrajtuar, mirësinë e përndjekur, dashurinë e gjakosur dhe zemërbutësinë që gatitej të vdiste; por zemra ime ka një arsye më të thellë dhe më të madhe për të vajtuar. Mëkatet e mia ishin fshikujt e kamxhikut që i bënë plagë ato supe të bekuara dhe e kurorëzuan me gjemba ballin e gjakosur. Mëkatet e mia klithën me të madhe: “Kryqëzojeni! Kryqëzojeni”, dhe po ato e vendosën kryqin e rëndë mbi shpatullat e tij të shtrenjta.

Çuarja e Tij drejt vdekjes mbart në vetvete pikëllim të mjaftueshëm sa për një përjetësi; por fakti që unë isha vrasësi i Tij, është një burim dhimbjeje më i madh, pafundësisht më i madh sesa mund ta shprehë një burim i gjorë lotësh. Nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë se përse ato gra e donin dhe e vajtonin kaq shumë Jezusin, por ato nuk mund të kenë pasur kurrsesi arsye më të mëdha sesa ka zemra ime, për ta dashur dhe vajtuar Atë. Vejusha e Nainit e pa të birin që iu kthye në jetë—por unë vetë jam ringjallur në risinë e jetës. Vjehrra e Pjetrit u shërua nga ethet—por unë u shërova prej murtajës më të madhe të mëkatit. Shtatë demonë u dëbuan nga Magdalena—por prej meje u dëbua një legjion i tërë. Maria dhe Marta patën bekimin të vizitoheshin prej tij—ndërsa unë kam bekimin që Ai banon në mua. Nëna e Tij lindi të Tijin trup, por Ai—shpresa e lavdisë—formohet në mua. Duke mos mbetur prapa këtyre grave të shenjta për sa i përket borxhit [kundrejt Shpëtimtarit tim], le të mos mbetem pas tyre edhe në mirënjohje ose pikëllim!

Dashuri dhe dhimbje në zemër kam,
Me lotët e mi këmbët e Tij do t’laj—
Paqe e qëndrueshme zemrën ma pushton,
Për Atë që vdiq të më shpëtojë, vajtoj.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin