spurgeon dev 09 nëntor am
Nëntor 2023

Ashtu, pra, ecni në të.

Kolosianëve 2:6

Në qoftë se e kemi marrë Vetë Krishtin në thellësinë e zemrave tona, jeta jonë e re do të shfaqet në miqësinë tonë intime me Të, përmes ecjes me besim në Të. Ecja nënkupton veprim. Jeta jonë e krishterë nuk duhet mbajtur mbyllur në dhomëzën tonë; atë që besojmë duhet ta tregojmë në praktikë. Në qoftë se dikush ecën në Krishtin, atëherë ai duhet të sillet siç do të sillej Krishti; duke qenë se Ai është në të—shpresa, dashuria, gëzimi dhe jeta e tij—ai vetë është pasqyrimi i shëmbëllimit të Jezusit; dhe njerëzit do të thonë për të: “Ai është fiks si Mësuesi i vet; ai jeton si Jezu Krishti.” 

Ecja nënkupton progres. “Ashtu, pra, ecni në të.” Kaloni nga hiri në hir; rendni derisa të arrini shkallën më të lartë të njohurisë që mund të arrijë dikush në lidhje me Krishtin. Ecja nënkupton vazhdimësi. Duhet të qëndrojmë vazhdimisht në Krishtin. 

Shumë të krishterë mendojnë se në mëngjes e në mbrëmje duhet të vijnë në shoqërinë e Jezusit, kurse pjesën tjetër të ditës e konsiderojnë si të tyren. Mirëpo, kjo nuk është mënyra e duhur e jetesës; ne duhet të jemi përherë bashkë me Të, duke shkelur në gjurmët e Tij dhe duke bërë të Tijin vullnet. 

Ecja gjithashtu nënkupton zakon. Kur flasim për ecjen dhe sjelljen e njeriut, nënkuptojmë zakonet e tij, stilin e tij të jetesës në vazhdimësi. 

Pra, në qoftë se herë kënaqemi në Krishtin dhe herë të tjera e nxjerrim fare nga mendja, në qoftë se disa herë e quajmë tonin dhe në kohë të tjera e lëmë mënjanë, nuk bëhet fjalë për një zakon; ne nuk jemi duke ecur në Të. Duhet t’i rrimë afër, të ngjitemi pas Tij, të mos i ndahemi për asnjë çast, por të jetojmë dhe të gjallojmë në Të. 

“Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të”; këmbëngulni në të njëjtën rrugë në të cilën filluat, dhe ashtu siç, në fillim, Krishti Jezus ishte objekti i besimit tuaj, burimi i jetës suaj, motivi i veprimeve tuaja dhe gëzimi i frymës suaj, kështu qoftë Ai deri në çastin më të fundit të jetës. Qoftë Ai i njëjti kur të ecni përmes luginës së hijes së vdekjes dhe kur të hyni në gëzimin dhe prehjen që mbeten për popullin e Perëndisë. O Frymë e Shenjtë, bëna të aftë që t’i bindemi këtij urdhërimi qiellor!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin