spurgeon dev 09 nëntor pm
Nëntor 2023

Shkëmbinjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t’i jepet, uji i tij do t’i sigurohet.

Isaia 33:16

O i krishterë, a mos po dyshon nëse Perëndia do ta mbajë premtimin e Tij? A mos vallë shkëmbinjtë e fortifikuar do t’i marrë me vete stuhia? A mos vallë do të mbeten bosh magazinat e qiellit? A mos vallë po mendon se Ati yt qiellor, megjithëse i njeh mirë nevojat e tua për ushqim e tesha, ka për të të harruar? Si mund të dyshosh dhe të mos kesh besim tek Ai, kur as një harabel i vetëm nuk bie përdhe pa lejen e Tët Eti dhe kur të gjitha fijet e flokëve të kokës sate janë numëruar një për një? Mbase vuajtja që të ka zënë, do të të mundojë derisa të guxosh t’i zësh besë Perëndisë tënd, dhe vetëm atëherë do të pushojë. 

Të shumtë janë ata që janë sprovuar e munduar derisa në fund, për shkak të dëshpërimit të thellë, janë shtyrë që të ushtrojnë besimin e tyre te Perëndia. Ky moment i besimit të tyre është kthyer në çastin e çlirimit, dhe aty e kanë parë nëse Perëndia do ta mbante premtimin e Tij apo jo. Prandaj, të përgjërohem, mos dysho tek Ai më gjatë! Mos e kënaq të paudhin dhe mos e trazo më keq veten, duke u lënë vend atyre mendimeve që s’janë të denja për Perëndinë! Mos të të duket një gjë e lehtë të dyshosh te Jahveh-u. Kujtoji vetes, që ta bësh këtë, është mëkat; dhe jo një mëkat dosido, por është një krim i shkallës më të rëndë. Engjëjt kurrë nuk dyshuan tek Ai, madje as djajtë.

Ndër të gjitha krijesat e formësuara nga Perëndia, ne jemi të vetmet që e çnderojmë Atë përmes mosbesimit dhe e njollosim nderin e Tij duke mos i zënë besë. Turp e faqe e zezë për ne dhe për këtë marri tonën! Perëndia ynë nuk e meriton të trajtohet kaq keq. Gjatë gjithë jetës sonë, Ai na e ka dëshmuar se sa i vërtetë dhe besnik është ndaj fjalës së Tij, dhe me kaq shumë shembuj të dashurisë dhe mirësisë së Tij që kemi marrë dhe vazhdojmë të marrim ditë për ditë prej duarve të Tij, është një gjë e ulët dhe e pafalshme që lejojmë qoftë edhe një dyshim të vetëm të banojë brenda zemrës sonë. Tani e tutje le të vendosim të luftojmë orë e çast kundër dyshimeve ndaj Perëndisë tonë—të cilat janë armiqtë e paqes sonë dhe të nderit të Tij—dhe me një besë të palëkundur, le të besojmë se Ai do ta bëjë atë që ka premtuar. “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim” (Marku 9:24).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin