Mars 2023

Qëndroni në mua.

Gjoni 15:4

Përbashkësia me Krishtin është kura më e mirë për çdo sëmundje. Pavarësisht nëse është pelini i trishtimit apo llokumi velës i kënaqësive të kësaj bote, përbashkësia intime me Zotin Jezus do të largojë hidhësinë e të parit dhe ëmbëlsinë velëse të të dytit. Qëndro në Jezusin, o i krishterë, dhe fakti nëse jeton në malin e nderit apo në luginën e poshtërimit, do të kthehet në një çështje dytësore për ty. Duke qëndruar në Jezusin, do të mbulohesh nga flatrat e Perëndisë dhe poshtë teje do të ndodhen krahët e Tij e përjetshëm. 

Mos të mbajttë asgjë larg asaj marrëdhënieje të shenjtë, e cila është privilegji unik i një jete të fshehur në Krishtin! Mos u mjafto me takimet rastësore, por përpiqu gjithmonë që ta ruash përbashkësinë me Të, sepse vetëm në praninë e Tij do të gjesh ngushëllim dhe siguri! Jezusi nuk duhet të jetë për ne një shok që na viziton herë pas here, por një mik me të cilin jemi në komunikim të vazhdueshëm. 

Meqenëse të pret një udhë e gjatë dhe e vështirë, ki kujdes, o udhëtar, që të mos ecësh në të pa udhërrëfyesin tënd! Ke për të kaluar përmes furrës së zjarrtë, por mos hyr në të nëse Biri i Perëndisë nuk të shoqëron përmes saj, ashtu siç bëri me Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon. Ke për të sulmuar muret e zemrës sate të prishur, por mos e fillo betejën pa takuar më parë, porsi Jozueu, Kreun e Ushtrisë së ZOTIT, i cili e mban shpatën e zhveshur në dorë! Kur të ndeshesh me tundime të shumta, mos u mbështet në krahun prej mishi! Do të kesh nevojë për Jezusin në çdo rast e situatë, por do të të nevojitet më së shumti kur portat e hekurta të vdekjes të hapen përpara teje. 

Qëndro afër Kreut të shpëtimit tënd, mbështetu te fuqia e Tij, lutju Atij të të freskojë me Frymën e Tij, dhe ti do të qëndrosh në fund para Tij, pa njolla, pa rrudha dhe në paqe! Nëse ke jetuar me Të dhe ke qëndruar në Të këtu, do të jetosh me Të dhe do të qëndrosh në Të edhe në përjetësi.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin