Ai është tërheqës në çdo anë.
Kënga e Këngëve 5:16
Bukuria e përkryer e Jezusit është tërheqëse në çdo anë dhe, si e tillë, më tepër duhet dashur, sesa duhet admiruar. Ai është shumë më tepër sesa i pashëm dhe i hijshëm—Ai është i bukur. Me siguri që populli i Perëndisë mund të gjejë çdo justifikim të mundshëm për ta përdorur këtë fjalë të artë, sepse Ai është objekti i dashurisë së tyre të zjarrtë, një dashuri që e ka burimin në përkryerjen e qenësishme të personit të Tij dhe në përsosmërinë e plotë të lavdisë së Tij.
Shikoni, dishepujt e Jezusit e njohin ëmbëlsinë e zërit të Tij dhe mund të thonë: “A nuk i bëjnë fjalët e Tij zemrat tona të digjen përbrenda, teksa ai na flet gjatë udhës?”. Ju adhurues të Emanuelit, vështroni kokën e Tij të mbuluar me shumë ar të kulluar dhe më thoni, a nuk janë mendimet e Tij të çmuara për ju? A nuk ëmbëltohet adhurimi juaj me dashuri, teksa gjunjëzoheni përpara asaj pamjeje që është e shkëlqyer si cedrat e Libanit? A nuk është i bukur çdo tipar i Tij dhe a nuk i kundërmon trupi nga një aromë e tillë e mirësisë së Tij, që ne ta duam Atë? A ka vallë ndonjë anë të qenies së Tij, e cila nuk është tërheqëse—ndonjë aspekt të personit të Tij, që nuk është bekim për shpirtrat tanë dhe një litar i fortë për t’i lidhur zemrat tona?
Dashuria jonë nuk është vetëm si një vulë e vendosur mbi zemrën e Tij të dashurisë, por gjendet edhe në krahun e Tij të fuqisë, madje nuk ekziston asnjë pjesë e Tij mbi të cilën ajo nuk gjendet. E adhurojmë gjithë personin e Tij me aromën e mirë të dashurisë sonë plot pasion. Do ta imitonim gjithë jetën dhe karakterin e Tij. Të gjitha qeniet e tjera nuk janë të përsosura; tek Ai gjendet vetëm përkryerje pa kufi. Madje edhe më të mirët ndër shenjtorët e Tij të parapëlqyer i kanë pasur rrobat me njolla dhe ballin me rrudha, kurse Ai është bukuri e shkuar bukurisë. Të gjithë diejt e universit janë me njolla: kjo botë e bukur ka shkretëtirën e saj, madje edhe gjënë më të bukur nuk mund ta duam në mënyrë të përkryer, por Krishti Jezus është ar pa përzierje, dritë pa errësirë dhe lavdi pa re.
Po, “Ai është tërheqës në çdo anë”.© dritez.al 2024