…që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore, në Krishtin.
Efesianëve 1:3
Krishti ia dhuron popullit të Tij gjithë mirësinë e së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Në epokat e mistershme të së kaluarës, Zoti Jezus ishte i zgjedhuri i parë Atit, dhe në zgjedhjen e Tij përfituam edhe ne, sepse u zgjodhëm në Të përpara se të themelohej bota. Nga përjetësia më e thellë, ai zotëronte të drejtat e Birërisë, duke qenë i vetëmlinduri dhe shumë i dashuri Bir i Atit të Vet; dhe falë pasurive të hirit të Tij, përmes birësimit dhe rilindjes, Ai na ka ngritur edhe ne në statusin e birërisë, duke na dhënë “pushtet të bëhemi bij të Perëndisë” (Gjoni 1:12).
Besëlidhja e përjetshme, të cilën Ai e ka vërtetuar me një betim, është e jona, për ngushëllimin tonë të fuqishëm dhe sigurinë tonë. Në marrëveshjen e përjetshme të urtësisë paracaktuese dhe të dekretit të gjithëfuqishëm, sytë e Zotit Jezus ishin ngulur mbi ne gjatë gjithë kohës; dhe ne duhet të jemi të sigurt se, në gjithë pergamenën e paracaktimit, nuk ka as edhe një rresht në dëm të interesave të të shpenguarve të Tij.
Vlesa e madhe e Princit të Lavdisë është e jona, sepse Ai është fejuar me ne, dhe nuk do të kalojë shumë kohë përpara se të mbahet dasma e shenjtë përpara gjithësisë së mbledhur së bashku. Trupëzimi i mrekullueshëm i Perëndisë së qiellit, me gjithë përuljen dhe poshtërimin e mahnitshëm që e shoqëruan, është yni. Djersa prej gjaku, fshikullimi dhe kryqi janë po ashtu tonat përgjithmonë. Të gjitha pasojat e hareshme që rrjedhin prej bindjes së përsosur, shlyerjes së përfunduar [të mëkateve], ngjitjes së Tij në qiell apo ndërmjetësimit, janë të gjitha tonat si një dhuratë prej Tij.
Mbi parzmoren e Tij, ai mban tashmë emrat tanë; dhe në lutjet e Veta plot autoritet përpara fronit, Ai na kujton dhe përgjërohet për të mirën tonë. Ai e shfrytëzon sundimin e tij mbi principatat dhe pushtetet, madje edhe madhështinë e Tij absolute në qiell, për të mirën e atyre që besojnë në Të. Gjendja e Tij e lartësuar është po aq në shërbimin tonë, sa edhe përulja e Tij deri në vdekje. Ai që e dha Veten për ne në thellësitë e pikëllimit dhe vdekjes, nuk e tërheq ndihmën e Tij ndaj nesh tani që rri ulur mbi fron në qiejt më të lartë.
© dritez.al 2024