Maj 2023

Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha… Të çohemi… për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar lastarë.

Kënga e Këngëve 7:11-12

Nusja ishte gati t’ia niste punës plot me zell, por dëshironte edhe shoqërinë e të dashurit të saj. Ajo nuk thotë: “Do të dal”, por “le të dalim”. Po kështu, edhe për ne është bekim të punojmë kur Jezusi është përkrah nesh! Është detyra e popullit të Perëndisë që të jetë krasitës i vreshtave të Tij. Ashtu si prindërit tanë të parë, edhe ne ndodhemi në kopshtin e Zotit që të kujdesemi për të; prandaj, le të dalim nëpër fusha!

Kur populli i Perëndisë mendon si duhet, ai dëshiron të gëzojë përbashkësinë me Krishtin. Disa mund të mendojnë se nuk mund t’i shërbejnë Krishtit në mënyrë aktive, dhe ende të kenë përbashkësi me Të; mirëpo, këta gabohen. Pa dyshim që mund ta shpërfillim lehtësisht jetën tonë të brendshme në ushtrime të jashtme, dhe pastaj të detyrohemi të themi: “...më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur” (Kënga e Këngëve 1:6). Nuk ka asnjë arsye se përse të ndodhë kështu, përveçse për shkak të marrëzisë dhe pakujdesisë sonë. Natyrisht, dikush që e shpall veten besimtar, mund të mos bëjë asgjë, e megjithatë të përfundojë po aq i pajetë frymërisht, sa edhe ata që janë tepër të zënë [me punë].

Maria nuk u lëvdua, sepse po rrinte pa bërë gjë, por për shkak se qëndronte ulur te këmbët e Jezusit. Po kështu, të krishterët nuk duhen lëvduar kur i lënë pas dore detyrat, me pretekstin se kanë përbashkësi të fshehtë me Jezusin: nuk është të ulurit që është i lavdërueshëm në vetvete, por të ulurit te këmbët e Jezusit. Mos mendoni se veprimtaria është një gjë e keqe në vetvete: ajo është një bekim i madh dhe një mjet hiri për ne. Për Palin, fakti që ishte lejuar të predikonte ungjillin, ishte një hir [i vërtetë]; por edhe çdo formë shërbese e krishterë mund të kthehet në një bekim personal për ata që merren me të. Nuk janë as murgjit dhe as eremitët, të cilët kanë më shumë kohë të lirë në dispozicion, ata që kanë përbashkësinë më të ngushtë me Krishtin, por punëtorët e palodhur që mundohen për Jezusin dhe që, në punën e tyre të lodhshme, e kanë Atë përkrah tyre, duke qenë bashkëpunëtorë me Perëndinë.

Atëherë, le të mbajmë mend se çdo gjë që duhet ta bëjmë për Jezusin, mund ta bëjmë dhe duhet ta bëjmë [vetëm] në përbashkësi të ngushtë me Të!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin