Mos harro asnjë nga të mirat e tij.
Psalmi 103:2
Një mënyrë e kënaqshme dhe e frytshme për ta kaluar kohën është të shohësh veprën e dorës së Perëndisë në jetët e shenjtorëve të lashtë dhe të vëresh mirësinë e Tij tek i shpëton, mëshirën e Tij tek i fal, dhe besnikërinë e Tij tek e mban besëlidhjen të lidhur me ta. Mirëpo, a nuk do të ishte edhe më interesante dhe më e frytshme për ne sikur ta vërenim veprën e dorës së Perëndisë në jetën tonë? A nuk duhet ta shohim historinë tonë jetësore po aq të mbushur me praninë e Perëndisë, me mirësinë dhe të vërtetën e Tij, si një dëshmi po aq bindëse të besnikërisë dhe vërtetësisë së Tij, sa edhe jetët e secilit prej shenjtorëve që kanë jetuar para nesh?
Ne jemi të padrejtë ndaj Zotit tonë kur supozojmë se Ai i kreu të gjitha veprat e Veta të fuqishme dhe e tregoi fuqinë e Tij për ata qëmoti, por se nuk bën mrekulli apo nuk e shtrin krahun e Tij në ndihmë të shenjtorëve që sot shkelin mbi këtë tokë. Le t’i shqyrtojmë për një çast vetë jetët tona. Sigurisht që në to mund të zbulojmë shumë rastësi fatlume, të cilat janë ripërtëritëse për ne dhe përlëvduese për Perëndinë tonë. A nuk ke përjetuar vallë asnjë çlirim? A nuk ke kapërcyer asnjë lumë, i kapur fort pas dorës hyjnore? A nuk ke kaluar mes zjarresh pa t’u djegur as edhe një qime floku? A nuk ke pasur vallë shenja? A nuk të është bërë ndonjë favor i zgjedhur? Perëndia që i fali Salomonit dëshirën e së tijës zemër, a nuk të ka dëgjuar ndonjëherë dhe a nuk u është përgjigjur lutjeve të tua? A nuk të ka kënaqur ndonjëherë me bollëkun e Vet Perëndia i begatisë bujare, të cilit Davidi i këndoi: “Ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:5)? A nuk të ka shpënë ndonjëherë të ulesh në kullota me bar të njomë? A nuk të ka udhëhequr drejt ujërave që të çlodhin?
Me siguri, Perëndia ka shfaqur edhe ndaj teje të njëjtën mirësi që shfaqi ndaj shenjtorëve qëmoti. Prandaj, le t’i thurim mëshirat e Tij në një këngë! Le ta marrim floririn e kulluar të mirënjohjes dhe xhevahiret e lavdërimit, dhe le t’i punojmë ato në një kurorë tjetër për kryet e Jezusit! Dalshin nga shpirtrat tanë melodi po aq të bukura dhe frymëlartuese, sa edhe ato që dilnin nga harpa e Davidit, tek e përlëvdojmë Zotin, mëshira e të cilit vazhdon përjetë!
© dritez.al 2024