I shërbeni ZOTIT me gaz.
Psalmi 100:2
Kënaqësia në shërbesën hyjnore është një shenjë pëlqimi. Ata që i shërbejnë Perëndisë fytyrëvarur, për shkak se bëjnë diçka që nuk i kënaq ata vetë, nuk i shërbejnë fare Atij. Shërbesa e tyre duket sikur bëhet me besnikëri, por asaj i mungon jeta. Perëndisë sonë nuk i nevojiten skllevër për të hijeshuar fronin e Tij. Ai është Zoti i perandorisë së dashurisë dhe dëshiron që shërbëtorët e Tij të mbajnë veshur uniformën e gëzimit.
Engjëjt e Perëndisë i shërbejnë Atij me këngë dhe jo me psherëtima, madje edhe një murmurimë a psherëtimë e vetme do të konsiderohej si një shenjë rebelimi në radhët e tyre. Në fakt, ajo bindje që nuk vjen nga zemra është mosbindje, sepse Perëndia sheh zemrën dhe nëse e kupton se i shërbejmë Atij të shtyrë nga detyrimi dhe jo sepse e duam Atë, me siguri do ta refuzojë flijimin tonë.
Shërbesa që shkon krah për krah me gazin është shërbim i cili rrjedh nga zemra, pra, për pasojë është e vërtetë. Zhvisheni të krishterin nga gatishmëria e hareshme që e karakterizon dhe, në këtë mënyrë, i keni hequr provën e sinqeritetit të tij. Nëse një burrë çohet në betejë me forcë, ai nuk është fare atdhetar; por ai që çan përpara me sy shkëlqyes dhe fytyrë rrëzëlluese, duke kënduar: “Sa bukur është të vdesësh për atdheun!”, dëshmon se është i sinqertë në atdhetarinë e tij.
Gazi është mbështetja e forcës sonë dhe në gëzimin e Zotit jemi të fortë. Në fakt, ai shërben për t’i larguar vështirësitë. Për shërbesën tonë, gëzimi është si puna e vajit për rrotat e vagonave të trenit. Në mungesë të vajit, boshti nxehet sakaq, dhe në këtë mënyrë ndodhin aksidentet. Nëse kemi mbetur pa gëzimin e shenjtë, që të na i vajosë rrotat, shpirtrat tanë do të bllokohen nga rraskapitja.
Njeriu që i shërben Perëndisë me gaz dëshmon kështu se bindja është virtyti i tij dhe vetëm ai mund të këndojë:
Bëmë që të eci sipas urdhërimeve të tua,
Nëpër këtë rrugë të kënaqshme.
Lexues, le të ngremë këtë pyetje—a i shërben Zotit me gaz? Le t’u tregojmë njerëzve të botës, të cilët mendojnë se besimi ynë është skllavëri, se për ne është kënaqësi dhe gëzim! Le ta shpallim me gazin tonë, se i shërbejmë një Mjeshtri të mirë.
© dritez.al 2024