Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të.
Zbulesa 21:23
Atje tej, në botën më të mirë, banorët e saj nuk varen te të mirat materiale. Atyre nuk u duhen rroba të reja; petkat e tyre të bardha nuk konsumohen asnjëherë dhe as nuk ndoten, as nuk grisen. Nuk u nevojiten ilaçe që të shërohen nga sëmundjet, sepse asnjë banor i qytetit nuk do të thotë ndonjëherë: “Jam sëmurë.” Nuk kanë nevojë për gjumë që të përtërijnë forcat—ata nuk pushojnë as ditë, as natë teksa e adhurojnë Perëndinë në tempullin e Tij. Nuk u duhen marrëdhënie shoqërore prej të cilave të marrin ngushëllim, dhe çfarëdolloj lumturie që mund t’u falë përbashkësia me të afërmit, nuk është e domosdoshme për lumturinë e tyre, sepse prania e Jezusit u mjafton për të kënaqur edhe dëshirat e tyre më të mëdha. Nuk u nevojiten as mësues atje, megjithëse pa dyshim që flasin me njëri-tjetrin rreth gjërave të Perëndisë, por nuk kanë nevojë që ta mësojnë njëri-tjetrin, sepse vetë Zoti është mësuesi i tyre.
Ne marrim dhurata te porta e Mbretit, ndërsa ata festojnë të ulur në vetë tryezën e banketit mbretëror. Këtu ne mbështetemi në krahun e një miku, ndërsa atje ata mbështeten në Shumë të Dashurin dhe vetëm në Të. Këtu na nevojitet ndihma e shoqërisë, ndërsa atje ata gjejnë gjithçka që u nevojitet në Krishtin Jezus. Këtu i mbajmë sytë tek ushqimi që prishet dhe teshat që i ha mola, ndërsa atje ata gjejnë gjithçka në Perëndinë. Këtu përdorim kovën për të nxjerrë ujë nga pusi, ndërsa atje ata pinë nga kryeburimi dhe i vënë buzët në rrjedhën e ujit të gjallë. Tani engjëjt na sjellin bekime, ndërsa atëherë nuk do të na nevojitet ndonjë lajmëtar nga qielli. Atyre atje lart nuk u nevojiten engjëj që t’u sjellin pusullat e dashurisë të shkruara nga Perëndia, sepse ata e shohin Atë ballë për ballë. Sa i bekuar do të jetë ai çast kur pasi t’i kemi lënë pas të gjitha gjërat dytësore, do të mbështetemi te krahu i zhveshur i Perëndisë! Sa orë e lavdishme do të jetë ajo kur Perëndia dhe jo krijesat e Tij—Zoti, dhe jo veprat e Tij—do të kthehet në gëzimin tonë të përditshëm! Shpirtrat tanë atëherë do të kenë arritur lumturinë e përkryer.
© dritez.al 2024