spurgeon dev 09 gusht pm
August 2023

Iu shfaq së pari Maria Magdalenës, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë.

Marku 16:9

Maria Magdalena dikur kishte rënë pre e një të lige të frikshme. Ajo ishte pushtuar jo vetëm nga një, por nga shtatë demonë. Këta banorë të frikshëm i shkaktonin mjaft dhimbje dhe turbullime qenies së brishtë ku kishin gjetur strehë. Rasti i saj ishte i tmerrshëm dhe i pashpresë. Ajo nuk mund ta ndihmonte dot veten, dhe asnjë fuqi njerëzore nuk mund ta çlironte atë. Mirëpo, Jezusi kaloi andej pari, dhe pa ia kërkuar njeri, e me shumë gjasa edhe duke hasur rezistencë prej së gjorës të demonizuar, Ai shpalli fjalën e fuqisë, dhe Maria Magdalena u kthye në një dëshmi të fuqisë shëruese të Jezusit. Të shtatë demonët e lanë Marinë, e lanë për të mos u kthyer më, të zbuar forcërisht nga Zoti i gjithçkaje.

Çfarë çlirimi i bekuar! Çfarë ndryshimi i lumtur! Nga deliri në kënaqësi, nga dëshpërimi në paqe dhe nga ferri në parajsë! Menjëherë pas kësaj, ajo u bë një ndjekëse e përhershme e Jezusit, duke dëgjuar çdo fjalë të Tij, duke ndjekur hapat e Tij nga një vend në tjetrin, duke bashkëndarë jetën e Tij të ngjeshur; dhe në të gjitha këto, ajo u bë ndihmësja e Tij bujare, e para në mes të atyre grave të shëruara dhe mirënjohëse, që i shërbenin Atij me pasuritë e tyre. Në momentin e kryqëzimit të Jezusit, Maria vazhdoi të ishte pjesëmarrëse e turpit të Tij: e shohim fillimisht se si e sheh nga larg dhe pastaj se si afrohet deri te këmbët e kryqit. Edhe pse nuk mund të vdiste në kryq së bashku me Jezusin, ajo qëndroi aq afër tij sa mundej, dhe kur trupi i Tij i bekuar u zbrit poshtë, ajo u kujdes për të se si dhe se ku do të vendosej.

Ajo ishte besimtarja besnike dhe syçelë, e fundit te varri ku fjeti Jezusi, dhe e para te varri kur Ai u ngjall. Besnikëria dhe dashuria e saj e kthyen atë në një dëshmitare të parapëlqyer të Mësuesit të saj të dashur, i cili denjoi ta thërriste me emër dhe ta kthente atë në kasnecen e Tij të lajmit të mirë përpara Pjetrit dhe dishepujve të tulatur. Kështu, hiri e gjeti të padobishme dhe e ktheu në të dobishme, i dëboi demonët e saj dhe e bëri të shohë engjëj, e çliroi nga Qoftëlargu dhe e bashkoi përjetë me Zotin Jezus. Qofshim edhe ne mrekulli të tilla të hirit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>