spurgeon dev 09 dhjetor am
December 2023

Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir.

Isaia 30:18

Perëndia shpesh vonohet për t’u dhënë përgjigje lutjeve. Kemi disa shembuj të tillë në Bibël. Jakobi nuk e mori bekimin nga engjëlli derisa po zbardhte dita—madje iu desh të luftonte për të gjatë gjithë natës. Gruaja e përvuajtur sirofenikase nuk mori asnjë përgjigje për një kohë të gjatë. Pali vetë iu lut tri herë Zotit për një “gjemb në mish” (2 e Korintasve 12:7), që Ai t’ia largonte, dhe nuk mori asnjë siguri se një gjë e tillë do të ndodhte, por në vend të kësaj mori premtimin se hiri i Perëndisë do të ishte i mjaftueshëm për të.

Në qoftë se ke trokitur në portën e mëshirës pa marrë asnjë përgjigje, a dëshiron vallë të dish se përse Krijuesi i fuqishëm nuk e ka hapur atë për të të lënë të hysh?

Ati ynë ka arsyet e Veta për të na lënë të presim. Disa herë e bën këtë për të treguar fuqinë dhe sovranitetin e Tij, me qëllim që ne të marrim vesh se Perëndia ka të drejtë ta japë ose të mos e japë një gjë të caktuar.

Në më të shumtën e rasteve, vonesa është për të mirën tonë. Ndoshta të lë të presësh, me qëllim që dëshirat e tua të bëhen më të zjarrta. Perëndia e di se vonesa do ta ndezë dhe do ta forcojë dëshirën, dhe se, nëse të lë të presësh, ti do ta kuptosh më qartë nevojën tënde dhe do ta kërkosh atë me më shumë zell, dhe me qëllim që ta vlerësosh mëshirën edhe më shumë për shkak të pritjes.

Po ashtu mund të ketë diçka të keqe brenda teje që duhet të hiqet përpara se Zoti të ta falë gëzimin e Tij. Mbase pikëpamjet e tua rreth planit të Ungjillit janë ngatërruar, ose mund të jesh duke u mbështetur te vetja, në vend që të besosh vetëm dhe tërësisht në Zotin Jezus. Ose mbase Perëndia të bën të presësh ca, për shkak se dëshiron t’i shfaqë me më shumë bollëk pasuritë e hirit të Tij në fund.

Lutjet e tua janë të gjitha të regjistruara në qiell, dhe në mos marrshin përgjigje të menjëhershme, me siguri që nuk janë harruar, por edhe pak dhe do të plotësohen për ëndjen dhe kënaqësinë tënde. Mos e lër dëshpërimin të ta mbyllë gojën, por vazhdo t’ia paraqesësh Perëndisë kërkesat e tua!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin