spurgeon dev 09 dhjetor pm
December 2023

Populli im do të banojë në një vend paqeje.

Isaia 32:18

Paqja dhe prehja nuk u takojnë atyre që nuk kanë rilindur; ato janë zotërimi i veçantë i popullit të Zotit, dhe vetëm i tiji. Perëndia i paqes u jep paqe të përsosur atyre zemrat e të cilëve qëndrojnë tek Ai. Përpara Rënies, Perëndia i fali njeriut kopshtin e Edenit si një vend të qetë ku të pushonte; por, vaj medet, sa shpejt që e prishi mëkati banesën e bukur të pafajësisë. Në ditën e zemërimit të përbotshëm, kur përmbytja fshiu një racë fajtore, familja e zgjedhur gjeti mbrojtje paqësisht në vendpushimin e arkës, duke lundruar kështu nga bota e vjetër nën dënim për në tokën e re të ylberit dhe besëlidhjes, duke simbolizuar Jezusin, arkën e shpëtimit tonë. Izraeli qëndroi i mbrojtur dhe i sigurt brenda banesave të spërkatura me gjak kur engjëlli shkatërrues i goditi të parëlindurit e Egjiptit; ndërsa në shkretëtirë, hija e shtyllës së resë dhe shkëmbi ujëburues u falën shtegtarëve të lodhur një pushim të ëmbël.

Sot gjejmë prehje në premtimet e Perëndisë tonë besnik, duke e ditur se fjalët e Tij janë të mbushura me të vërtetën e fuqi; qëndrojmë mbi doktrinat e Fjalës së Tij, të cilat janë vetë ngushëllimi për ne; mbështetemi në besëlidhjen e hirit të Tij, e cila është si një liman kënaqësie. Jemi shumë më të bekuar se Davidi në shpellë apo se Jona poshtë bimës së vet, sepse askush nuk mund ta pushtojë apo ta shkatërrojë strehën tonë. Personi i Jezusit është vendpushimi plot paqe i popullit të Tij, dhe kur i afrohemi Atij në thyerjen e bukës, në dëgjimin e Fjalës, në shqyrtimin e Shkrimeve, me lutje apo lavdërim, zbulojmë se çdo mënyrë me anë të së cilës i qasemi, u sjell paqe frymëve tona.

Të dashurisë fjalë dëgjoj,
Gjakun e derdhur vështroj,
T’fuqishmin flijim shikoj,
Paqen me Perëndinë shijoj.
Paqe e përjetshme është ajo,
E sigurt si emri i Jahveh-ut,
E qëndrueshme si i Tiji fron,
Përherë e njëjtë gjithmonë:
Retë mund të vijnë dhe t’shkojnë,
Stuhitë  qiellin tim mund të çajn’,
Miqësia gjakvulosur s’ndryshon,
Kryqi është pranë gjithmonë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin