spurgeon dev 08 am
October 2023

“Shko në të thella, dhe hidhini rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

Luka 5:4

Në këtë ndodhi del qartë në pah nevoja për veprimin njerëzor. Kjo që ndodhi ishte një mrekulli e vërtetë, mirëpo, as peshkatari, as varkat dhe as rrjetat e tij të peshkimit nuk u lanë pas dore; të gjitha ato luajtën rol në kapjen e peshqve. Kështu, Perëndia vepron me anë mjetesh për shpëtimin e shpirtrave; dhe për sa kohë që do të mbetet në fuqi hirdhënia e tanishme, Perëndia do ta ketë për kënaqësi t’i shpëtojë ata që besojnë përmes marrëzisë së predikimit. Natyrisht që Perëndia përlëvdohet edhe kur vepron pa ndihmën e instrumenteve, por Ai e ka përzgjedhur këtë plan të përfshirjes njerëzore si mënyrën me anë të së cilës Ai madhështohet më së shumti këtu në tokë. 

Mjetet në vetvete janë tërësisht të pavlera: “Mjeshtër, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë!” Cila ishte arsyeja e këtij dështimi? Vallë, a nuk ishin ata peshkatarë me përvojë që ushtronin zanatin e tyre? Në të vërtetë, ata nuk ishin fillestarë në zanat; ata dinin se si ta bënin punën. A mos vallë u mungonte aftësia? Jo. A mos vallë ishin përtacë? Jo; ata ishin bërë copë për të kapur qoftë edhe disa peshq. A mos vallë u mungonte ngulmi? Jo, ata ishin munduar gjithë natën. A mos vallë kishin mbaruar peshqit në det? Me siguri që jo, sepse, me të ardhur Mësuesi, një tufë e tërë peshqish ra në rrjetat e tyre. Atëherë, përse ndodh një gjë e tillë? Kjo ndodh ngaqë instrumentet nuk kanë pikë fuqie në vetvete, përveç asaj që rrjedh nga prania e Jezusit. Pa Të nuk mund të bëjmë asgjë, ndërsa me Krishtin mund të bëjmë gjithçka.

Prania e Krishtit është ajo që sjell sukses. Jezusi u ul në barkën e Pjetrit, dhe vullneti i Tij, përmes një force të mistershme, i tërhoqi peshqit në rrjetë. Kur Jezusi lartësohet në Kishën e Vet, prania e Tij është fuqia e Kishës—thirrja e një mbreti është në gjirin e saj. “Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë” (Gjoni 12:32). Le t’i hyjmë këtë mëngjes punës së peshkimit të shpirtrave, duke e hedhur vështrimin lart me besim, dhe përreth nesh për mundësitë e mëdha! Le të punojmë derisa të bjerë nata, duke e ditur se puna nuk do të na shkojë kot, sepse Ai që na thotë ta hedhim rrjetën në det, do ta mbushë atë me peshq!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>