spurgeon dev 08 pm
October 2023

…duke u lutur në Frymën e Shenjtë.

Juda 20

Vër re karakteristikën kryesore të lutjes së vërtetë - “në Frymën e Shenjtë”. Fara e adhurimit të pëlqyeshëm duhet të vijë nga magazina e qiellit. Vetëm lutja që vjen nga Perëndia, mund të arrijë deri tek Ai. Lypset t’ia kthejmë Zotit shigjetat që na i hedh. Dëshira, të cilën Ai e shkruan në zemrën tonë, do ta prekë zemrën e Tij dhe do të sjellë një bekim, por dëshirat e mishit nuk kanë asnjë efekt mbi Të. 

Lutja në Frymën e Shenjtë është një lutje e bërë me zjarr. Lutjet e ftohta duket sikur i përgjërohen Zotit që të mos i dëgjojë. Ata që nuk përgjërohen me zell, nuk përgjërohen fare. Lutja e vakët është njësoj si zjarri i vakët—duhet medoemos që ajo të jetë e nxehtë si zjarri. Është një lutje këmbëngulëse. Lutësi i përnjëmendtë mbledh më shumë forca me kalimin e kohës, madje bëhet më i zjarrtë kur Perëndia e vonon përgjigjen. Sa më gjatë që porta të qëndrojë mbyllur, aq më e fortë bëhet trokitja; dhe sa më gjatë të qëndrojë engjëlli, aq më i vendosur bëhet lutësi për të mos e lënë të ikë pa i dhënë bekimin. Nuk ka gjë më të lavdërueshme në sytë e Perëndisë sesa lutja këmbëngulëse, me ngashërim, e ethshme dhe e paepur. Mirëpo, një lutje e tillë përshkohet edhe nga përulësia, sepse asnjëherë nuk ndodh që Fryma e Shenjtë të na fryjë me krenari. E ka për detyrë të na bindë për mëkatin tonë dhe të na bëjë të përulemi me pendim dhe thyerje zemre.

Nuk e këndojmë dot këngën Gloria in excelsis pa iu drejtuar më parë Perëndisë me De profundis: nga vende të thella duhet t’i këlthasim Zotit, ose përndryshe, kurrë nuk do ta soditim lavdinë në vendet më të larta. Është një lutje me dashuri. Lutja duhet ngjyer me parfumin e dashurisë, duhet të njomet me dashuri—dashuri për bashkëbesimtarët dhe dashuri për Krishtin. Veç kësaj, duhet të jetë një lutje plot me besim. Njeriu fiton vetëm për aq kohë sa beson. Fryma e Shenjtë është autori i besimit dhe forcuesi i tij, kështu që lutemi duke pasur besim në premtimin e Perëndisë. Tani lutemi që kjo ndërthurje e bekuar e hireve të shkëlqyera, të vyera e të këndshme si erëzat e rralla, të lëshojë një aromë erëmirë brenda nesh për shkak të pranisë së Frymës së Shenjtë në zemrat tona! Ngushëllues i bekuar, ushtroje fuqinë Tënde të pamasë brenda nesh, duke i ndihmuar dobësitë tona në lutje!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>