spurgeon dev 08 shtator am
September 2023

“Fryti yt vjen tek unë [prej meje].”

Osea 14:8

Fryti ynë vjen nga Perëndia ynë si rezultat i bashkimit që kemi me Të. Fryti i degës e ka pikënisjen e Tij te rrënjët. Prite lidhjen mes tyre dhe dega do të thahet, dhe asnjë fryt nuk do të prodhohet më. Ne japim fryt vetëm falë bashkimit tonë me Krishtin. Çdo vile rrushi e ka burimin te rrënjët; pastaj ka kaluar përmes kërcellit, ka rrjedhur përgjatë enëve limfatike dhe ka marrë formën e frytit së jashtmi. Mirëpo, së pari ishte në kërcell; kështu, edhe çdo vepër e mirë e ka origjinën te Krishti dhe pastaj shfaqet në ne. I krishterë, çmoje këtë lidhje të vyer me Krishtin, sepse duhet të jetë burimi i gjithë frytshmërisë që mund të shpresosh se do të prodhosh sot e përngaherë! Në qoftë se nuk do të ishe i bashkuar me Jezu Krishtin, do të ishe me të vërtetë një degë e pafrytshme. 

Fryti ynë vjen nga Perëndia për sa i përket provanisë frymërore. Kur shiu bie nga qielli, kur retë shohin nga lartësitë dhe janë gati të zbrazin thesarin e tyre të lëngshëm, kur dielli i ndritshëm i fryn pak nga pak kokrrat e rrushit në vile, çdo fryt qiellor mund t’i pëshpëritë hardhisë duke thënë: “Fryti yt vjen prej meje.” Fryti i detyrohet shumë rrënjës—ajo luan një rol thelbësor në krijimin e tij—por i është shumë borxhli edhe ndikimeve të jashtme. Sa shumë që i detyrohemi provanisë së hirshme të Perëndisë, përmes së cilës Ai siguron vazhdimisht për ne, duke na sjellë në risi jete, duke na mësuar, ngushëlluar, forcuar ose duke bërë gjithçka tjetër që na nevojitet! Kësaj i detyrohemi për gjithë dobinë ose virtytin tonë.

Fryti ynë vjen nga Perëndia edhe si rezultat i përkujdesjes duarartë. Thika e mprehtë e kopshtarit nxit frytshmërinë e hardhisë, duke rralluar vilet, si edhe duke krasitur lastarët e tepërt. Kështu ndodh edhe me ty, o i krishterë, me krasitjen që të bën Zoti! “Ati im është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt” (Gjoni 15:1-2). Meqenëse Perëndia është autori i virtyteve tona frymërore, le t’i japim Atij gjithë lavdinë për shpëtimin tonë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>