...dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë, sipas veprueshmërisë së pushtetit të forcës së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish.
Efesianëve 1:19-20
Ishte pikërisht një fuqi hyjnore ajo që u shfaq, jo vetëm në ringjallen e Krishtit, por edhe në shpëtimin tonë. Çfarë do t’u themi atyre që mendojnë se kthimi në besim ndodh falë vullnetit të lirë të njeriut dhe natyrës së tij të përmirësueshme? Po të fillonim t’i shihnim të vdekurit duke u ngritur nga varret falë fuqisë së tyre, atëherë mund të shpresonim t’i shihnim edhe mëkatarët e pafe që të ktheheshin te Krishti me përpjekjet e tyre. Nuk është fjala e predikuar dhe as fjala e lexuar në vetvete [ajo që sjell rilindjen]; e gjithë fuqia rilindëse rrjedh nga Fryma e Shenjtë.
Kjo fuqi ishte e parezistueshme. Nuk kishte kryeprift a ushtar që të mund ta mbante trupin e Krishtit brenda në varr; madje edhe vetë mortja nuk mund ta mbante Jezusin nën zgjedhën e vet: po kaq e parezistueshme është edhe fuqia e shfaqur në besimtarin kur ai ngrihet në risinë e jetës. Nuk ka mëkat, a prishje, a djaj në ferr apo mëkatarë mbi tokë që mund t’i rezistojnë dorës së hirit të Perëndisë kur synon ta kthejë një njeri në besim. Në qoftë se, në gjithëfuqishmërinë e Vet, Perëndia thotë: “U bëftë!”, njeriu nuk mund të thotë dot: “Mos u bëftë!”. Vër re se fuqia që e ngriti Krishtin nga të vdekurit ishte e lavdishme! I dha nder përmbi nder Perëndisë dhe i hutoi fare ushtritë e ligësisë. Kështu që Perëndia merr shumë lavdi në kthimin në besim të secilit mëkatar.
Ishte po ashtu fuqi e përjetshme. “Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja nuk zotëron më mbi të” (Romakëve 6:9). Kështu edhe ne, të ringjallur së vdekurish, nuk kthehemi pas te veprat tona të vdekura dhe prishjet tona të vjetra, por jetojmë për Perëndinë. “...sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni” (Gjoni 14:19). “...sepse keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë” (Kolosianëve 3:3). “...ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Së fundi, në këtë varg, vini re bashkimin e jetës së re me Jezusin. E njëjta fuqi që e ringjalli së vdekurish Kreun, sjell jetë edhe te gjymtyrët e Tij. Çfarë bekimi i madh të ringjallesh së bashku me Krishtin!
© dritez.al 2024