spurgeon dev 08 qershor pm
Qershor 2023

“Tani do të shikosh nëse fjala ime do të shkojë në vend apo jo.”

Numrat 11:23

Perëndia i kishte dhënë një premtim të sigurt Moisiut, se për një muaj të tërë do ta ushqente me mish tërë atë masë të madhe njerëzish në mes të shkretëtirës. Atëherë, Moisiu, i mbërthyer nga një krizë mosbesimi, sheh atë që duket, dhe nuk e koncepton dot se si do të realizohet premtimi. Ai kërkoi ndihmën e krijesës, në vend që t’i drejtohej Krijuesit. Mirëpo, a pret Krijuesi që ta realizojë krijesa premtimin në vend të Tij? Jo; Ai që e jep premtimin, e përmbush gjithnjë përmes gjithëfuqisë së Tij, pa ndihmën e askujt. Në qoftë se Ai flet, zëre se është bërë—është kryer prej vetë Atij. Përmbushja e premtimeve të Tij nuk varet nga bashkëpunimi i fuqisë së papërfillshme njerëzore. E dallojmë pa vështirësi gabimin që bëri Moisiu. Mirëpo, prapëseprapë, sa lehtë biem në të njëjtin gabim!

Perëndia ka premtuar t’i përmbushë nevojat tona, por ne i drejtohemi krijesës për të bërë realitet atë që ka premtuar Perëndia; dhe pastaj, duke qenë se arrijmë ta kuptojmë që krijesa është e dobët dhe e paaftë, i dorëzohemi mosbesimit. Përse vallë na shkojnë sytë nga ajo anë? A do të shkoje vallë deri në Polin e Veriut për të vjelë fruta të pjekura nën rrezet e diellit? Kjo nuk do të ishte një marrëzi më e madhe sesa po të kërkonit fuqinë tek i dobëti dhe të prisnit që krijesa të kryente veprën e Krijuesit. Pra, le ta shtrojmë pyetjen ashtu siç duhet. Themeli i besimit nuk është mjaftueshmëria e mjeteve të dukshme për përmbushjen e premtimit, por gjithëmjaftueshmëria e Perëndisë të padukshëm, i cili me siguri do ta bëjë realitet atë që ka thënë.

Në qoftë se, pasi ta kemi kuptuar qartësisht se përgjegjësia i takon Zotit dhe jo krijesës, guxojmë t’i lëmë vend mosbesimit, atëherë na drejtohet fuqishëm një pyetje nga Perëndia: “A është shkurtuar dora e ZOTIT vallë?”. Dashtë Zoti që, në mëshirën e Tij, së bashku me pyetjen, mbi shpirtin tonë të vijë edhe kjo shpallje e bekuar: “Tani do të shikosh nëse fjala ime do të shkojë në vend apo jo.”


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin