“Sepse, nëse bëhet kështu me drurin e njomë, ç’do të bëhet me të thatin?”.
Luka 23:31
Ndër interpretimet e tjera që i janë dhënë kësaj pyetjeje mbresëlënëse, ky i mëposhtmi është më mësimdhënësi: “Në qoftë se zëvendësuesi i pafajshëm i mëkatarëve vuan kështu, atëherë, çfarë do t’i ndodhë vetë mëkatarit—drurit të thatë—kur të bjerë në duart e një Perëndie të zemëruar?”.
Perëndia nuk e kurseu as Jezusin kur e pa të zinte vendin e mëkatarit; prandaj, nuk ka për t’i kursyer as të parilindurit pa Krishtin, kur t’i dalin përpara. O mëkatar, Jezusin erdhën dhe e morën armiqtë e Tij; dhe ti do të tërhiqesh zvarrë nga djajtë për në vendin që të është caktuar. Jezusi u braktis nga Perëndia, dhe në qoftë se u braktis Ai që thjesht u llogarit si një mëkatar, sa herë më i braktisur do të jesh ti?
“Eli, Eli, lama sabakthani?” Çfarë britme zemërçjerrëse ishte kjo! Mirëpo, cila do të jetë britma jote kur të thuash: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”, dhe të të vijë kjo përgjigje: “Sepse hodhe poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranove ndreqjen time, edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tënde, do të tallem kur të vijë ajo që druan.”
Nëse Perëndia nuk e kurseu Birin e Vet, atëherë aq më pak do të të kursejë ty! Çfarë fshikullimesh dhimbjeje therëse do të ndiesh kur ndërgjegjja të të brejë me gjithë tmerret e saj! Ju mëkatarët më të pasur, më të gëzuar dhe më të vetëdrejtë—kush do ta zërë vendin tuaj kur Perëndia të thotë: “Ngrihu o shpatë kundër atij që më hodhi poshtë, godite atë, dhe le ta ndiejë dhimbjen therëse përjetë!”?
Jezusin e pështynë. O mëkatar, sa i madh do të jetë turpi yt! Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë masën e madhe të vuajtjeve që ra mbi kryet e Jezusit, i cili u flijua në vendin tonë; prandaj është e pamundur që të të përshkruajmë pafundësinë e lumenjve, çfarë po them, të oqeaneve të dhimbjes, që do të vërshojnë mbi frymën tënde nëse vdes në gjendjen që je sot! Mund të vdesësh në këtë gjendje; mund të vdesësh tani. Për hir të agonisë së Krishtit, të plagëve dhe gjakut të Tij, mos e tërhiq mbi veten zemërimin që po vjen! Beso në Birin e Perëndisë dhe nuk do të vdesësh kurrë!
© dritez.al 2024