Nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua.
Psalmi 23:4
Shiko se sa të paprekshëm nga rrethanat e jashtme e bën Fryma e Shenjtë të krishterin! Çfarë drite rrëzëlluese mund të shkëlqejë në ne, edhe kur gjithçka jashtë nesh zhytet në errësirë! Sa të palëkundur, sa të lumtur, sa të qetë, sa në paqe mund të jemi ne, edhe kur toka lëkundet dhe themelet e dheut nuk janë më! Madje edhe vetë vdekja, me gjithë fuqinë e saj të frikshme, nuk ka aq forcë sa ta fashisë muzikën e zemrës së të krishterit, përkundrazi, e bën melodinë e saj edhe më të ëmbël, më tingëlluese dhe më qiellore, derisa veprimi i fundit i mirë që vdekja mund të bëjë, është që ta lejojë këngën tokësore të shkrihet me korin qiellor dhe gëzimin e përkohshëm me lumturinë e përjetshme!
Le të kemi, pra, besim në fuqinë e Frymës së bekuar për të na ngushëlluar! Lexues i dashur, a mos po përballesh me skamjen? Mos u druaj, sepse, në mes të nevojës sate, Fryma e Shenjtë mund të të japë një bollëk më të madh sesa ai i të pasurve mes gjithë begatisë së tyre! Ti nuk e merr dot me mend se çfarë gëzimesh mund të ruhen për ty në shtëpizën përreth së cilës hiri do të mbjellë trëndafilat e kënaqësisë.
A ke nisur t’i vëresh shenjat e dobësimit të fuqive të tua fizike? A pret të vuash net pa gjumë dhe ditë të mbushura me dhimbje? Oh, mos u trishto! Shtrati yt mund të kthehet në një fron për ty. Ti nuk mund ta dish se si çdo sëmbim që ta shpon trupin, mund të kthehet në një zjarr pastrues për të ta hequr zgjyrën—një rreze lavdie për të ndriçuar edhe skutat më të errëta të shpirtit tënd.
A mos po e humbet vallë dritën e syve? Jezusi do të jetë drita jote. A mos vallë po të lënë veshët? Emri i Jezusit do të kthehet në muzikën më të bukur për shpirtin tënd, dhe personi i Tij, në kënaqësinë tënde më të shtrenjtë. Sokrati e kishe zakon të thoshte: “Filozofët mund të jenë të lumtur edhe pa muzikë”, dhe të krishterët mund të jenë më të lumtur se edhe vetë filozofët, edhe kur të gjitha arsyet e jashtme për të qenë të gëzuar janë zhdukur.
O Perëndia im, zemra ime do të ngadhënjejë në Ty, pavarësisht nga rrethanat e mia! O Frymë e bekuar, zemra ime do të ngazëllojë falë fuqisë Sate, edhe sikur çdo gjë këtu poshtë të më lërë në baltë!
© dritez.al 2024